Maxhoranca miraton dosjet, PS-ja i dhuron Berishës medalje për kontribute ndaj komunizmit
Eljona Ballhysa
Partia Demokratike miratoi dje me 74 vota pro, 2 kundër dhe 1 abstenim, projektligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë. Pavarësisht qëndrimit kundër të ndërkombëtarëve dhe bojkotit të opozitës, PD-ja ia doli mbanë të ligjëronte nismën për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit gjatë regjimit komunist. Deputeti i PBDNJ-së, Leonard Solis, ka qenë i vetmi nga maxhoranca që ka abstenuar, ndërsa deputetët Bukurosh Stafa dhe Durim Hushi kanë votuar kundër. Por i ashpër ka qenë dje qëndrimi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Në emër të këtij grupi, nënkryetari Erion Braçe akuzoi Berishën si bashkëpunëtor të komunizmit dhe kontribuues të këtij regjimi. Madje Braçe i ka dhuruar Berishës një medalje që ai ka marrë gjatë kohës që ishte anëtar i Partisë së Punës për kontribute që ka dhënë për komunizmin, si dhe një fotografi në të cilën Berisha ndodhej në krah të ish-ministrit të Brendshëm të regjimit komunist, Simon Stefani.
Opozita
Gjatë fjalës së tij, Braçe renditi arsyet pse nuk duhej miratuar projekti i PD-së. Ai tha se ligji jo vetëm që është antikushtetues dhe i kontestuar gjerësisht nga faktori ndërkombëtar, por është i pazbatuar dhe nuk synon dënimin e komunizmit, por fshehjen e krimeve dhe korrupsionit të qeverisë “Berisha”.
“Ky ligj nuk i hap dosjet. Ky ligj i mbyll ato. Ky ligj nuk dënon diktaturën e komunizmit, por mbron diktaturën e korrupsionit. Ky ligj nuk ka qëllim transparencën. Ky ligj ka vetëm një synim: të godasë rëndë deri në paralizë institucionet kushtetuese të Drejtësisë në çdo nivel. Ky ligj është antikushtetues. Për më keq është i pazbatueshëm. Ta konstatonim vetëm ne këtë do ishte vërtet pak. Por, në më pak se 10 ditë, shoqata prokurorësh e gjykatësish, ligjbërës e ligjnjohës çfarëdo, por me eksperiencë të gjatë në njohje e zbatim të ligjit, mbi të gjitha qeveri partnere kanë konstatuar ekzaktësisht këtë”, - është shprehur Braçe. Më tej Braçe tha se projektligji nuk është kopje e variantit çek, pasi në ligjin çek nuk ka asnjë germë përsa u përket prokurorëve dhe gjyqtarëve. Ai shtoi se edhe në ligjin shqiptar të ’95-s dhe në atë të ’97-s ishin përjashtuar prokurorët dhe gjykatësit dhe përfshiheshin vetëm gjykatësit që kishin marrë pjesë në gjyqe politike speciale me status të veçantë. Ndërsa në projektin aktual përfshihen të gjithë, dhe synimi i vetëm, sipas Braçes, është goditja e prokurorëve që po hetojnë mbi çështje korrupsioni qeveritar. Po kështu, deputeti i PS-së e cilësoi shqetësues përjashtimin nga ligji të agjentëve të huaj. Ai tha se në ligjin e ’95-s, ’97-s, ’98-s, janë penalizuar agjentët në shërbim të shërbimeve të huaja. “Sali Berisha këtyre bashkëpunëtorëve të UDB-së, me këtë ligj, u jep shans të bëhen presidentë, kryeministra, ministra, deputetë, gjykatës, prokurorë, administratorë, nëpunës të shtetit”, - bëri të ditur Braçe. Këtë e konfirmoi dhe deputeti i LSI-së, Pëllumb Xhufi. Ai tha se edhe në Kuvend ka ish-agjentë që kanë punuar për shërbimet e huaja. Përsa u përket ish-të përndjekurve politikë, Braçe tha se ky projekt nuk u vjen aspak në ndihmë dhe se po përdoren politikisht nga Berisha, i cili në tre vjet nuk ka bërë gjë tjetër veçse i ka gënjyer, duke mos u dhënë dëmshpërblimin e merituar. “Në 3 vjet i ka poshtëruar, tallur, zvarritur, gënjyer duke i mohuar dhe atë që u takon. Në tre vjet, paratë e ndara për ta në buxhet nuk janë paguar, përkundrazi, janë konsideruar fonde të djegura për ta, por janë derdhur për korrupsionin e familjes, lules së tij të vyshkur, kanë financuar vjedhjen në rrugën e kombit, Rrëshen-Kalimash”, - është shprehur Braçe. Ai gjithashtu i ka kërkuar Berishës që të mos dalë kundër faktorit ndërkombëtar, ndërsa ka renditur deklaratat kundër të Ambasadës Amerikane, Ambasadës Britanike dhe OSBE-ODIHR-it. Ai kërkoi që maxhoranca të miratojë sa më parë Kodin Zgjedhor si një kërkesë e vazhdueshme e faktorit ndërkombëtar dhe si një ligj i rëndësisë së veçantë, pasi zgjedhjet e ardhshme përbëjnë një kusht për ecurinë e proceseve euroatlantike të vendit. Në përfundim të fjalës së tij, nëpërmjet një debati dhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila i shkëputi mikrofonin për shkak të mbarimit të kohës prej 10 minutash, Braçe i drejtoi pyetjen kryeministrit Berisha nëse kishte qenë komunist. “Pasi kam dëgjuar për dhjetë ditë rresht mburrjen e pavlerë të kryeministrit tonë si luftëtar i pashoq kundër komunizmit në 50 vjet, dua ta pyes: A ke qenë ti komunist? A ke qenë ti sekretar partie në një prej celulave që mbikëqyrte, dhunonte, i merrte lirinë njerëzore dhe intelektuale pjesës me të ndriçuar të asaj periudhe, mjekëve? A je ti ky, në këtë foto, në krah të Simon Stefanit, ish-sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste dhe ish-ministër i Brendshëm i diktaturës? A je ti në dhjetëra foto të tjera, në po të njëjtën pamje, të përkulur në krah të gjithë ish-ministrave të diktaturës komuniste?” - është shprehur Braçe, ndërsa i ka dhuruar foton Berishës. Ndërsa ky i fundit i është përgjigjur me fjalët: “Shporru tani!”
I ashpër ka qenë dhe reagimi i Topallit gjatë fjalës së Braçes, e cila, ndërsa i ka shkëputur mikrofonin, i është drejtuar deputetëve të PD-së: “Për sa kohë ju rrini në heshtje, ai do të vazhdojë të flasë. Për sa kohë ju nuk flisni, ai ju dhunon të gjithëve me radhë. Turp të keni!”
Deputetët e PD-së miratuan projektligjin e paraqitur në Kuvend nga deputeti Aldo Bumçi, ndërsa rrëzuan amendamentin e paraqitur nga Nikoll Lesi për verifikimin e kryeredaktorëve dhe botuesve të mediave private. Në replikë me Lesin, Berisha tha se edhe ai është për këtë nismë, por nuk mund ta ndërmarrë jo vetëm për shkak se Gjykata Kushtetuese e Çekisë e ka rrëzuar, por dhe për faktin se do t’i ketë të gjithë gazetarët dhe botuesit kundër.
23 Dhjetor 2008