E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Zgjedhjet në rrezik, Berisha ka marrë peng Kodin Zgjedhor”

Kreu i selisë rozë kërkon votimin e menjëhershëm të Kodit të ri Zgjedhor. Rama: “Berisha po mendon të mbrojë veten nga hetimet duke shkatërruar zgjedhjet”

Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka dhënë alarmin për procesin e ardhshëm zgjedhor në Shqipëri, duke e quajtur atë në rrezik. Sipas Ramës, procesi zgjedhor kërcënohet për shkak se Kodi i ri Zgjedhor po mbahet qëllimshëm peng nga kryeministri Sali Berisha. “Shpreh sot shqetësimin serioz të Partisë Socialiste për zvarritjen e pajustifikueshme të punës së Parlamentit për Kodin e ri Zgjedhor nga ana e forcave qeveritare dhe kryeministri Sali Berisha, i cili ka marrë një pozicion të papërgjegjshëm në raport me detyrimin madhor të forcave politike, të qeverisë veçanërisht dhe të tijin personalisht, ndaj popullit shqiptar e partnerëve ndërkombëtarë, për të përgatitur e realizuar zgjedhje të lira e të ndershme të standardeve europiane”, - deklaroi Rama.
Kodi Zgjedhor
Kreu i PS-së kërkoi sjelljen menjëherë për votim të Kodit Zgjedhor në Parlament. Sipas Ramës, vonesat në miratimin e Kodit po vënë seriozisht në rrezik standardet e zgjedhjeve të ardhshme. Rama tha se Kodi Zgjedhor po mbahet peng qëllimshëm nga kryeministri Berisha, për shkak të interesave të tij korruptive. “Marrja peng e Kodit Zgjedhor për arsye që s'kanë të bëjnë as me interesat e shqiptarëve e të Shqipërisë dhe as me Kushtetutën e ligjin, po vetëm me interesat, përditë e më personale, të kryeministrit të rrethuar nga zullumi përditë e më i trashë i korrupsionit qeveritar, është shprehja më alarmante e papërgjegjshmërisë së njeriut që qeveris vendin tonë dhe e vënies së pushtetit ekzekutiv në funksion të interesave të këtij njeriu e të oborrit të tij. Ndërkohë që Shqipëria duhet të bëjë gjithçka për të plotësuar standardet europiane në zgjedhjet e ardhshme dhe ndërkohë që shqiptarët e shqiptaret duhet të garantohen për këto standarde, ne po humbim kohë të shtrenjtë për ngritjen e administratës zgjedhore sipas hapave të përcaktuar në Kodin e ri Zgjedhor e po rrezikojmë krejt procesin zgjedhor”, - vijoi kreu i selisë rozë.
Zgjedhjet
Rama tha se zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri janë vënë seriozisht në rrezik, sepse kryeministri Berisha po mendon të mbrojë veten dhe ministrat e tij nga hetimet për masakrën shtetërore të Gërdecit, nga hetimet për grabitjen e fondeve shtetërore të rrugës së kombit, nga hetimet për marifetet shumëmilionëshe të sekserit serb që ka kapur shtetin me gjithë kryeministrin. “Po rrezikojmë krejt procesin zgjedhor sepse Sali Berisha e ka mendjen si ta ndalë Drejtësinë dhe të shpëtojë nga gjykimi i saj ministrat e tij të pandehur së bashku me oborrin kryeministror e me sekserin serb që ka futur në thes gjithë klanin “Berisha”. Po rrezikojmë krejt procesin zgjedhor, sepse Sali Berisha e ka mendjen se si të delegjitimojë e shkatërrojë pushtetin gjyqësor dhe për të bërë këtë u ka shpallur luftë prokurorëve e gjykatësve dhe vetë opozitës, ndërkohë që, nga ana tjetër, po kthehet me shpejtësi në kohën e vjetër të karshillëkut primitiv ndaj partnerëve tanë të pazëvendësueshëm perëndimorë”, - tha kreu i PS-së Edi Rama.

23 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›