Kuvend, ndëshkohet me 2 javë Balla
BLEDAR HOTI
Byroja e Kuvendit ndëshkon deputetin e PS-së, Taulant Balla me dy javë mospjesëmarrje në seancat plenare, si dhe paralajmëron deputetin tjetër të opozitës, Sajmir Tahiri për sjelljen e tij ndaj Kryeparlamentares. Me këtë vendim, Ballës i është ndërprerë edhe paga për dy javë. Seanca e djeshme parlamentare nuk i ka shpëtuar akuzave dhe debateve ndërmjet maxhorancës dhe opozitës. Seanca ka qenë e tensionuar mes maxhorancës dhe opozitës, ku nuk i kanë shpëtuar as ndëshkimeve socialistët. Diskutimi i Ballës ka qenë arsyeje që kryeparlamentarja ka kërkuar që Byroja të mblidhej dhe të jepte ndëshkimin për Ballën. Në diskutimin e tij, socialisti ka deklaruar se "Për fat të keq në Shqipëri hajdutllëku është legalizuar si profesion, ndërsa kryehajduti i thotë vetes kavalier. Sot kemi një Qeveri që vjedh gjithçka. Trafikon armë e barut; dhe vret jetë të pafajshme. Blen e shet energji, por mbyt nën ujë popullin e vet. Ja pse kryehajduti kavalier manipulon zgjedhjet duke vjedhur votat", tha Balla. Deputeti socialist theksoi më pas se "Në tregun e Shqipërisë së mrekullisë ekonomike janë këta, ministrat dhe drejtorët e Sali Berishës, që shesin vende pune. Një vend pune për mësues në qytet kushton 2000 euro dhe 1500 euro në fshat. Një vend pune për infermiere kushton 2 milionë lekë. Një vend pune polic kushton 4 milionë lekë. Një vend pune në tatime kushton 5 mijë euro. Një vend pune në dogana jepet me përqindje fitimi. Ky është sistemi korruptiv që ka ngritur Sali Berisha". Këtyre akuzave iu është përgjigjur Ministri i Brendshëm, Basha, duke deklaruar se "moratoriumi i ka dhënë rezultatet e veta, po kështu edhe vendosja e trafikantëve në tërësi para drejtësisë dhe prapa hekurave. Normalisht ky është kursi që duhet të ecim, akoma kemi shumë për të bërë, ka edhe ndonjë trafikant që ka përfunduar në Parlament". Kryetarja e Kuvendit pas diskutimit të Ballës bëri të ditur se do të mbledhë Byronë për të ndëshkuar deputetin socialist për fjalët fyese që tha në seancë. "Byroja duhet të mblidhet të merret masa ndaj fjalëve shpifëse dhe mashtruese, ka rregulla Parlamenti. Me rregulla funksionon Parlamenti, të mësojë dhe zoti Balla se si flitet", tha Topalli. Këtij qëndrimi i është kundërvënë socialisti Tahiri, duke theksuar se Topalli nuk mund t'i bëjë presion opozitës. "Zonja kryetare, nëse ke ndonjë gjë për të thënë mbaje gojën mbyllur, më mirë të na lësh ne deputetët e opozitës dhe shqiptarët me dyshimin që je e paaftë, se sa të flasësh dhe të na vërtetosh edhe këtë dyshim. Dhe po të ketë për të transkriptuar fjalën e Taulant Ballës dhe ta ndëshkosh duke e kërcënuar deputetin e opozitës, po të them më mirë transkripto fjalën e shefit tënd, Kryeministrit të vendit, i cili 20 vjet në Parlament ka shpifur këtu duke gënjyer shqiptarët, bëje dhe mos i jep dënim se e dënojmë ne së bashku me shqiptarët", replikoi Tahiri.