E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Vujanoviç: Bashkëpunim në energjetikë, infrastrukturë e turizëm

Kryeministri Sali Berisha priti sot në mesditë Presidentin e Malit të Zi, zotin Filip Vujanovic. Pasi i uroi mirëseardhjen Presidentit Vujanovic, Berisha i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy vendeve. Të dy personalitetet shprehën vullnetin e përbashkët ti thelluar ato edhe më tej si dhe për forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes reciprok.

Në këtë kontekst, Presidenti Vujanovic vuri në dukje rolin e jashtëzakonshëm të Kryeministrit Berisha në vendosjen e këtij niveli marrëdhëniesh mes dy vendeve.
 

Kryeministri Berisha vlerësoi hapat e bërë nga Mali i Zi në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, ndërsa e siguroi atë për mbështetjen që Shqipëria do të vazhdojë të japë në procesin e antarësimit të Malit të Zi në NATO. Kryeministri Berisha dhe Presidenti i Malit të Zi theksuan se e ardhmja e të dy vendeve, por edhe e vendeve të tjera të rajonit, është integrimi në Bashkimin Evropian.
 

Më tej, Kryeministri bëri një ekspoze të zhvillimeve politike dhe ekonomike të vendit. Ai e njohu Presidentin e Malit të Zi me përpjekjet që qeveria shqiptare po bën për ndertimin e infrastruktures strategjike ku theks iu vu asaj energjitike. Ne kete drejtim, suksesi I projektit TAP u vleresua si me rendesi strategjike edhe ne nivel rajonal.
 

Kryeministri Berisha u shpreh se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë hapsira të gjera bashkëpunimi mes tyre, sidomos në fushën e energjetikës, infrastrukturës rrugore dhe turizmit.
 

Kryeministri Berisha përshëndeti investimet e bëra në infrastrukturë rrugore lidhëse midis dy vendeve, si dhe e njohu Presidentin malazez me projektet e qeverisë shqiptare për përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës rrugore që lidh Shqipërinë me Malin e Zi si dhe nenvizoi domosdoshmërinë e ngritjes në një nivel edhe më të lartë bashkëpunimin në fushën e turizmit.
 

Të dy bashkebiseduesit diskutuan edhe për zhvillimet në rajon. Kryeministri Berisha vlerësoi edhe njëherë qëndrimin e Malit të Zi në njohjen e Kosovës dhe nivelin e marrëdhënieve të krijuara mes tyre. “Jemi shumë të interesuar të shohim ndryshimin e faqes në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës” - tha Kryeministri Berisha. Nga ana e tij, Presidenti Vujanovic theksoi kontributin e Kryeministrit Berisha në drejtim të paqes dhe stabilitetit ne rajon.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›