Prodi në Durrës: Po njihem me gjithë vendin tuaj
Ish-kryeministri italian, Romano Prodi, ndaloi dje në qytetin e Durrësit ku u takua me drejtues të bashkisë së këtij qyteti. Ashtu si në vizitat në qytetet e tjera të vendit, Prodi ka shfrytëzuar çdo mundësi që të shijojë nga afër bukuritë që ofron qyteti bregdetar dhe duke vizituar amfiteatrin e Durrësit, muzeun arkeologjik dhe monumente të tjera historike të qytetit. Kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, falënderoi z. Prodi për kontributin që ka dhënë dhe vazhdon të japë në të mirë të vendit tonë. Më pas kryebashkiaku Dako e njohu z. Prodi me historinë e lashtë të qytetit si dhe resurset që ofron Durrësi në rrugën e zhvillimit të tij. Ish-kryeministri i Italisë, Romano Prodi, u shpreh se kjo është një vizitë miqësore për të njohur sa më mirë Shqipërinë, "pasi më pëlqen Shqipëria dhe dua ta njoh atë sa më mirë. Kur vija më parë në vizita zyrtare kufizohesha vetëm me takime me zyrtarë në qeveri apo Parlament, ndërkohë që këtë herë kam dëshirë të njihem me gjithçka në vendin tuaj". Z. Prodi deklaroi se në këtë kuadër Durrësi paraqet një interes shumë të veçantë për të nga pikëpamja historike, pasi qyteti ynë lidhet me shumë ngjarje të vendit fqinj, Italisë, si dhe nga pikëpamja e zhvillimit: "Ju jeni një qytet shumë i rëndësishëm jo vetëm nga pikëpamja turistike. Durrësi ka portin më të madh të vendit dhe ai do të bëhet pjesë e investimeve për t'u kthyer në terminalin kryesor për rrugën e Lindjes. Tashmë që Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara nevojitet që të shtohen sa më shumë investimet e huaja. Shqipëria punon për t'u futur sa më parë në BE, gjë që nuk është e lehtë, por nga ana tjetër, është plotësisht e realizueshme nëse ekziston vullneti pozitiv çka vendi juaj e ka demonstruar. Në këtë kuadër mesazhi im për shqiptarët është që të punohet sa më shumë për zhvillimin e Shqipërisë dhe se në të ardhmen ju nuk mund të jetoni me të ardhurat nga emigracioni, por mund të jetoni me të ardhurat nga rritja e ekonomisë shqiptare që është ajo që duhet bërë sa më shpejt".