E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush, letër Bashës: Vlerësoj lidershipin tuaj

Miqësia e vendosur mes kreut të Shtëpisë së Bardhë, Xhorxh W. Bush dhe liderëve të politikës shqiptare nuk ka qenë e shkurtër aq sa zgjati vizita e tij në Tiranë, por vazhdon me intensitet. Pas falënderimit për kreun e qeverisë, Sali Berisha, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, i ka dërguar një letër ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha, ku i shpreh vlerësimet maksimale për diskutimet gjatë takimit në Kroaci, vetëm një ditë, pasi Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në NATO. Në letrën e tij dërguar ministrit shqiptar, Presidenti amerikan shkruan: “I dashur Lulzim, takimi me ju gjatë udhëtimit tim në Kroaci ishte kënaqësi e madhe për mua. Diskutimet tona ishin produktive dhe thelbësore. Unë jam mirënjohës për lidershipin që vendi juaj ka treguar në përparimin e lirisë”. E pas vlerësimeve personale për kreun e diplomacisë shqiptare, kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk harron që të japë dhe vlerësimin në emër të popullit të tij duke ngritur lart miqësinë mes dy vendeve. Ai shkruan se “amerikanët e vlerësojnë miqësinë tonë me popullin e Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shprehin falënderimet e tyre Shqipërisë për mbështetjen e saj në luftën kundër terrorizmit; gjithashtu ne ju dërgojmë përgëzimet tona me rastin e aderimit tuaj në NATO”. Basha pati rastin të ishte zyrtari që i shtrëngoi i pari dorën Presidentit Bush sapo zbriti në Rinas më 10 qershor 2007. Pas një bisede miqësore me ministrin Basha, Bush do të vijonte një vizitë disaorëshe, por të paharrueshme në Shqipëri. Bush dhe SHBA kanë mbështetur fuqimisht anëtarësimin e vendit tonë në NATO.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›