Bode mbron importuesit e karburanteve: Nuk fitojnë shumë
Kreu i Financave u ka dalë dje në mbrojtje importuesve të karburanteve. Gjatë deklaratës së tij të djeshme, ai ka theksuar edhe një herë se Ministria e Financave nuk do të vendosë çmime reference për karburantet. Madje, pavarësisht deklaratave të bëra nga opozita apo nga ekspertë të ndryshëm të ekonomisë mbi abuzimet e importuesve për çmimin e karburanteve, Bode ka deklaruar se fitimet e tyre nuk janë të larta. “Është krijuar ideja se ka një marzh shumë të madh fitimi, mund t’ju them që nuk është aq i madh sa ç’mendoni ju. I gjithë tregu i karburanteve luan për 4–5 lekë të reja”, ka thënë ai. Por ai e ka pranuar faktin se në rastet kur çmimi i arit të zi në bursa rritet, ky ndryshim reflektohet menjëherë në tregun vendas. Por e kundërta ndodh kur çmimi i karburanteve në bursat ndërkombëtare pëson humbje. Lidhur me këtë, ministri Bode u shpreh: “Ne si organ fiskal i marrim taksat një më një, sa i ka futur në doganë, sa i ka shitur me pakicë etj. Kemi bërë skemën që ata të paguajnë taksat deri në shitjen me pakicë”. Gjatë deklaratës së tij, Bode nuk la pa përmendur edhe hetimin e nisur nga Autoriteti i Konkurrencës për tregun e karburanteve. “Janë rreth 50 kompani që importojnë karburante. Pra, nuk ka monopol të licencave, Autoriteti i Konkurrencës ka të drejtën për të operuar. Ajo që ne kemi në dorë dhe e ndjekim deri në fund është pagimi i taksave sipas çmimeve me të cilat operojnë”, tha ministri i Financave.