E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, ulen çmimet e mallrave dhe kredidhënia

 

fabiola Çela

Kriza globale ka dhënë efektet e saj edhe në tregun vendas. çmimet e mallrave të konsumit kanë pësuar rënie dhe kjo si pasojë e rënies së tyre në tregjet ndërkombëtare. Kjo ka bërë që norma vjetore e inflacionit gjatë muajit nëntor të jetë 2.6 për qind. “Rënia e normave të inflacionit bazë dhe të inflacionit të produkteve të patregtueshme, si edhe qetësimi i efekteve të goditjeve të ofertës sugjerojnë se presionet inflacioniste janë zhvendosur në kahun rënës”, thuhet në raportin e këshillit mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Por çmimet e mallrave të konsumit në tregjet ndërkombëtare vazhdojnë të pësojnë rënie, gjë e cila pritet të reflektohet edhe në tregun vendas, çka do të thotë se niveli i inflacionit mund të ulët sërish, rënie e cila mund të jetë përtej cakut të vendosur nga BSH. Por përballë një situate të tillë Banka e Shqipërisë deklaron se do të marrë të gjitha masat e duhura për të ruajtur nivelin e inflacionit brenda kufirit të përcaktuar nga ajo vetë. Në muajt në vijim do të kalojnë në skanerin e saj të gjitha informacionet e reja mbi ecurinë e ekonomisë, duke vlerësuar ndikimin e tyre mbi projeksionet për inflacionin. “Ajo mbetet e gatshme të marrë masat e duhura për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në nivelet e synuara prej 3 për qind në një periudhë afatmesme, me bindjen se ruajtja e besueshmërisë së publikut në monedhën vendase dhe në institucionet financiare është një kontribut esencial në ruajtjen e ritmeve të qëndrueshme ekonomike në periudhën afatmesme dhe afatgjatë”, thuhet në deklaratën e këshillit mbikëqyrës.
Ndërkohë, gjatë këtij harku kohor vihet se niveli i rritjes së  kredidhënies ka pësuar ulje. “Sektori bankar ka vazhduar të mbështesë ekonominë me kredi gjatë muajit tetor, por duke shënuar një ngadalësim të ritmit të rritjes. Kredidhënia nga sistemi bankar vazhdon të mbështesë më së tepërmi bizneset, të cilët kontribuojnë me 66 për qind të zgjerimit të stokut”, thuhet në deklaratën e BSH.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›