E Diel, 1 Nëntor 2026

Rialokimi i fondeve, Kuvendi miraton shpërblimin e pensionistëve

 

Akti normativ i qeverisë për rialokim të buxhetit të shtetit u votua me 75 vota pro dhe 3 vota abstenuese. Të tre deputetët që abstenuan në këtë vendim ishin Pëllumb Xhufi, Nikollaq Nerenxi dhe Angjelina Kola. Ndërsa mungonin edhe deputetët e PDK-së. Deputetët e PS-së dhe të PSD-së munguan në diskutimin e këtij ndryshimi të rëndësishëm, që prek rishikimin e fondeve. Kryeministri Sali Berisha në diskutimin e tij u shpreh se “rritja ekonomike prej 9.9 për qind është një mesazh i mirë që Shqipëria i dërgon të gjithë botës në një moment krize”. Kryeministri hodhi poshtë qëndrimet e PS-së, pasi kjo e dhënë nuk është realizuar me asistencën e FMN-së. “Të jeni të bindur se vitin e ardhshëm, do të kemi bazën e të dhënave rajonale, dhe mbi bazën e tyre do të ndërmarrim politikat”. Në fjalën e tij në seancë plenare, Kryeministri Sali Berisha e vlerësoi këtë Akt Normativ si një akt human të Qeverisë së tij. Ai vuri në dukje përpjekjet e mëdha për të kursyer, të shprehura në kursimet për shpenzime administrative, si dhe për personelin, uljen e kostos së prokurimeve në masën 12%. Ndërsa deputetët e opozitës, Nikollaq Nerenxi dhe Angjelina Kola u shprehën se kërkohej më tepër kohë për shqyrtimin e këtij akti normativ, si dhe karakterizohej nga një mungesë e theksuar transparence më mënyrën e shpërndarjes së fondeve. “Për pensionistët duhet të ishte një shpërblim më i madh, pasi ky është i njëjtë me atë të paraardhësit tuaj zoti Berisha, prandaj shuma prej 5 mijë lekësh duhej të rishikohej”, theksoi Kola. Ndërsa Berisha ka hedhur poshtë këtë, duke shtuar se “në kohën e Nanos shpërblimi maksimal ishte 2 mijë lekë. Ai më shumë i merrte sesa u jepte”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›