E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Zaptimi i tokës, vepër penale

Kush zapton tokën e tjetrit, kryen një krim. Tani e tutje zaptimi i tokës do të konsiderohet një vepër që do të ndiqet penalisht. Qeveria shqiptare miratoi dje ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, të cilat parashikojnë ndër të tjerat, që puna e zezë dhe zaptimi i tokës të kthehen në vepra penale. Kryeministri Berisha e cilësoi këtë ndryshim si tepër të nevojshëm për të ndihmuar më parë procesin "Prona, tek i zoti". "Këto ndryshime janë të domosdoshme për t’u ndarë njëherë e përgjithmonë nga fenomene të tilla, si pushtimi i pronës së tjetrit, dhunimi i ligjeve të territorit, dhënia fund e përdorimit të krahut të punës si skllevër. Besoj se këto ndryshime në Kodin Penal do të kenë mirëkuptimin më të madh", - deklaroi Kryeministri Berisha. Sipas tij, projektligji "Për disa ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë", synon që ta vendosë Shqipërinë nën ligj. "Këto ndryshime do të na ndajnë njëherë e mirë nga zaptimi i pronës së tjetrit, nga dhunimi i ligjeve të territorit, si dhe nga përdorimi i krahut të punës si skllevër në një vend të lirë", - u shpreh z. Berisha. Gjithashtu, ai vuri në dukje se "këto ndryshime synojnë që ta ndajnë vendin njëherë e mirë nga abuzimi me ujin dhe me energjinë". Në përfundim, Kryeministri Berisha kërkoi mirëkuptim më të madh nga publiku shqiptar dhe nga forcat politike për miratimin e këtij projektligji, i cili do të jetë edhe objekt i diskutimeve të gjera në Parlament.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›