Ligji, 400 të dënuar pritet t’i shpëtojnë burgut
Dënimet alternative pritet të jenë më të shpeshta dhe kjo, falë ngritjes së një strukture të veçantë monitoruese. Komisioni i Ligjeve miratoi dje në parim propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për ngritjen e Shërbimit të Provës, një institucion që do të monitorojë çdo vendim të gjykatës për dënimet alternative. Sipas Kodit Penal, gjykata mund të japë dënime alternative, për vepra penale të një rrezikshmërie të ulët për shoqërinë, por siç ka rezultuar shpeshherë, këto vendime nuk janë zbatuar. Me krijimin e kësaj strukture, pritet që çdo vit nga burgjet të shpëtojnë 400 të dënuar, të cilët do të kryejnë dënimin e tyre në forma alternative si punë të detyruar etj. “Projektligji është pjesë e paketës ligjore për krijimin dhe funksionimin e plotë të sistemit të dënimeve alternative në Shqipëri. Ndonëse kemi pasur dënime të tilla, ato parashikoheshin si dënime me gjobë, pasi mungonte organi i Shërbimit të Provës që do ta mbikëqyrte ekzekutimin e tij”, - tha Miran Konani në Komisionin e Ligjeve, drejtor i Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë. “Shërbimi i provës është një institucion i ri, që nuk ka ekzistuar më parë dhe mungesa e tij e ka bërë të pamundur ekzekutimin dhe zbatimin në praktikë në Shqipëri të dënimeve alternative”, - tha relatori i këtij projektligji, Ramiz Çobaj. Në këtë pikë, deputetët e opozitës, pavarësisht se dhanë votën pro ngritjes së këtij institucioni, ngritën shqetësimet e tyre. Pandeli Majko ngriti dyshimin se ky institucion mund të përdoret edhe për qëllime elektorale, në një moment kur zgjedhjet janë vetëm pak muaj larg, por ky këndvështrim u hodh poshtë nga mazhoranca. “Këto ndryshime do të reflektohen në sistem për përmirësimin. Tani besoj që të ma kuptoni shqetësimin. Që nga gjashtë muaj, shtatë muaj, sa jemi ne para zgjedhjeve, administrata fillon dhe ka lëkundjet e veta. Pra, kaq muaj para zgjedhjeve të futet ky sistem që është një gjysmë amnistie, për psikologjinë e njerëzve e përmirëson sistemin apo krijon ndonjë të carë, sepse në zgjedhje jemi apo jo”, - deklaroi Majko. Deputetët e mazhorancës thanë se Shërbimi i Provës do të krijojë një mundësi të re në vend për të rritur drejtësinë. “Një pjesë e mirë e veprave penale nuk kanë pse shkojnë detyrimisht në dënim me burg. Mosha e personit që e kryen, mund të jetë e vogël. Nëse ka një dënim alternativ, që mund të jetë punë në komunitet, mund të vendoset në një spital, në një punë tjetër publike, mund të jetë dhe një aktivitet privat ku personi të mund të punojë, pra që i shërben komunitetit, pastrimi i qytetit, gjithçka që mund të vendoset. Kush do ta mbikëqyrë ekzekutimin e këtij dënimi alternativ, që është punë në komunitet, për veprën që nuk dënohesh me burg? Atëherë duhet krijuar një institucion, dhe ky quhet Shërbimi i Provës që mbikëqyr sjelljen e këtij individi”, - u shpreh deputeti demokrat Aldo Bumçi. Në fund të diskutimeve, 10 deputetët e miratuan në parim këtë projektligj të qeverisë, ku vetëm një abstenoi. Ditën e hënë pritet të nisë edhe diskutimi nen për nen i këtij projektligji. Ai parashikon që institucioni i Shërbimit të Provës të jetë pjesë e Ministrisë së Drejtësisë dhe do të drejtohet nga drejtori i tij përgjithshëm.
Deklarata e Lohanit ngre në këmbë faktorët politikë
Një ditë pas deklaratës së ambasadorit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, se duhet nxituar me miratimin e reformës zgjedhore, reaguan edhe krerët parlamentarë të partive politike. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, u shpreh se procesi po ecën normalisht, ndërsa puna për standardet zgjedhore po ecën sipas planit. “Në këtë kontekst ne e gjejmë deklaratën e Lohanit në përputhje të plotë me qëndrimin tonë për këtë çështje. Lidhur me qëndrimin e shprehur nga PS-ja, mund të them se infrastruktura zgjedhore ku pretendohet se nuk po ecën në rrugën e duhur, nuk është aspak e vërtetë. Procesi i kartave të identitetit po ecën normalisht, dhe është një proces që po zhvillohet në të gjitha etapat e tij dhe unë nuk besoj se për qytetarët shqiptarë është e domosdoshme të dihet se në cilën datë do ta marrë kartën e identitetin qytetari Edi Rama”, - deklaroi Patozi. Nga ana tjetër, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, u shpreh se ka një vonesë të shkaktuar nga ana e qeverisë në lidhje me standardet zgjedhore. “Nuk janë shqiptarët ata që pengojnë votimin me karta, po duhet qeveria t’u japë garanci për kohën kur ata do t'i kenë në dorë kartat, e nëse do t'i kenë përpara zgjedhjeve. Mazhoranca duhet të angazhohet për përfundimin në afat të reformës zgjedhore, pra për miratimin e kodit elektoral”, - tha Leskaj. Për kreun parlamentar demokrat, Patozi, debati ka ngecur thjesht në disa pika që janë ende në proces shqyrtimi, ndërsa u shpreh se opozita nuk ka një vullnet konkret, të tillë siç e shpreh në media. “Unë besoj se jemi tërësisht koshientë nga Kryeministri i vendit dhe personi më i fundit i mazhorancës për këtë proces, ndërkohë që mund t’ju them se kreu i PS-së mungon prej disa ditësh në Tiranë dhe ndodhet prej disa ditësh për vizitë turistike jashtë shtetit. Ka disa çështje që nuk kanë marrë ende rrugën e zgjidhjes, por janë në proces negocimi dhe shqyrtimi”, - shtoi Patozi. Krejt qëndrim tjetër ka Lëvizja Socialiste për Integrim. Nëpërmjet Luan Ramës, LSI-ja mendon se vonesa në miratimin e reformës zgjedhore ka ardhur si rezultat i monopolit mes PD-së dhe PS-së. “LSI-ja shpreh edhe një herë qëndrimin e vet të njohur se reforma zgjedhore nuk mund të jetë monopol si monopolet e tjera korruptive të bashkëpunimit të lidershipit të PS me PD, dhe kërkon që procesi të jetë transparent, të jetë institucional dhe ku të përfshihen të gjithë aktorët politikë dhe elektoralë, për të mbërritur në një produkt konsensual dhe që të garantojë një proces zgjedhor korrekt, të ndershëm, të pakontestuar dhe në përputhje të plotë me standardet demokratike si në çdo vend tjetër të bashkësisë euroatlantike”, - tha Rama.