Ndoka: E djathta e përçarë, përgjegjësia e PD-së
Nard Ndoka, kryetar i PDK-së, akuzon PD-në për përçarjen e së djathtës. Ai vëren me shqetësim se aktualisht në qeveri mungojnë ish-të persekutuarit, ish-pronarët dhe demokristianët. Sipas tij, këto grupe janë baza e së djathtës shqiptare. Në kuadër të takimeve që po bëjnë drejtuesit e Partisë Demokristiane me kryesitë e degëve, u mblodh dje kryesia e degës, Durrës. Qëllimi i këtyre takimeve është informimi i bazës me realitetet e reja politike, si dhe programimin e objektivave për fushatën e ardhshme elektorale. Ndoka shprehu se e djathta aktualisht është e përçarë dhe përgjegjësia për këtë realitet është vetëm i PD-së, e cila prej kohësh po mban një qëndrim të njëanshëm dhe aspak korrekt jo vetëm me Partinë Demokristiane, por edhe me aleatë të tjerë të së djathtës. Ndoka kërkoi mbledhjen në mënyrë urgjente të tryezës politike të mazhorancës, në mënyrë që të arrihet në një konkluzion në lidhje me aleancat e ardhshme para zgjedhore. Gjithashtu kreu i PDK-së apeloi që PD të shprehet qartazi në lidhje me marrëveshjen me PDK-në. Ai shprehu shqetësimin e demokristianëve për mosfunksionimin e koalicionit qeverisës, sidomos gjatë muajve të fundit, kur duhej të ndodhte e kundërta. “Për fat të keq, PD-ja pasi shkeli në mënyrë të njëanshme marrëveshjen me PDK-në për bashkëqeverisje, vazhdon të ndjekë politika joinstitucionale, duke mbështetur individë që nuk përfaqësojnë forcat politike pjesëmarrëse në koalicion”, - tha Ndoka.