Mediu: Aleancat spontane, rrezik për të djathtën
Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, i sugjeron lidershipit të PD-së që të përfitojë nga përvoja evropiane për një koalicion sa më efikas në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare. Mediu paralajmëroi dje rrezikun e një bashkëpunimi në mënyrë spontane, të momenteve të fundit, teksa apeloi për organizimin e një koalicioni të bazuar mbi përvoja pozitive. Këto deklarata, kreu republikan i bëri gjatë mbledhjes së djeshme të kryesisë së partisë, e cila mori në analizë situatën politike në vend. Sipas z. Mediu, është koha për bashkimin e së djathtës. “Në kuadër të bashkëpunimit të së djathtës, ne kemi shprehur qëndrimet tona që në kongres, është koha për të vepruar dhe për të organizuar një bashkëpunim larg spontanitetit të momentit të fundit, i cili duhet të konsiderojë gjithë përvojën pozitive të këtyre viteve, por dhe fenomenet negative që na kanë shoqëruar. E përsëris, se patjetër duhet të përfitojmë nga përvojat më të mira evropiane, si në organizimin e koalicioneve, por dhe të fushatës së ardhme”, - tha z. Mediu. Në mbledhjen e djeshme të kryesisë, kryetari i PR-së i cilësoi si të rëndësishme përgatitjet për fushatën e ardhme elektorale si dhe moment të rëndësishëm përballë një serie reformash apo ligjesh që kanë të bëjnë me drejtësinë apo edhe zhvillime të tjera, siç është çështja e pronës apo kodi zgjedhor. “Le t’i kthehem edhe një herë asaj se çfarë duhet të bëjmë vetë. Asgjë nuk ka vlerë nëse nuk kuptojmë se ç’ndërtojmë tani do vjelim në zgjedhjet ardhshme parlamentare. Zgjedhjet e ardhshme janë një konkurrim i hapur politik, i cili kërkon organizim të qartë elektoral dhe vlerësim real se si dhe ku duhet t’i fokusojmë energjitë tona”, - tha Mediu. Para anëtarësisë së kryesisë republikane, ai foli dhe për çështjen e Kodit Zgjedhor. Për këtë ai kërkoi që të përfundojë sa më shpejt sepse përndryshe çdo përgatitje për zgjedhje do të krijonte probleme dhe paqartësi për vet partitë në këtë fazë”. Ndërsa kryetari i Asamblesë Kombëtare të PR-së, z. Sabri Godo, vuri theksin në çështjen e pronës si një nga problemet kryesore që shqetëson njerëzit dhe një bashkëbisedim që duhet të fillojë nga kryesia e PR-së me njerëzit e të gjitha kategorive.