E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri: Reformat sollën rezultatet antikorrupsion

Kryeministri Sali Berisha vlerësoi dje raportin e Transparency International, i cili sipas tij "e renditi Shqipërinë në krye të vendeve të rajonit për sa u përket reformave dhe rezultateve të tyre në luftën kundër korrupsionit". Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, Berisha u ndal gjerësisht në raportin e bërë dje publik nga Transparency International, i cili rendit 180 vende mbi rezultatet e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit CPI 2008. Sipas Kryeministrit, "TI-ja është organizata më prestigjioze në botë për vlerësimin e luftës kundër korrupsionit dhe indeksi i saj është indeksi më serioz dhe më i besueshëm në botë që bazohet në një seri vlerësimesh". "TI-ja shpalli Shqipërinë në grupin e 10 vendeve me përpjekjet më serioze dhe rezultatet më konkrete në luftën kundër korrupsionit për vitin 2008. Raporti shpalli se qeveria shqiptare është kampione në përpjekjet në luftën kundër korrupsionit në vendin e saj", - tha Kryeministri Berisha. Duke cituar më tej këtë raport, ai vuri në dukje se "reformat kanë dhënë rezultate të qarta se në Shqipëri po ndëshkohet korrupsioni". Në këtë drejtim, kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi edhe kontributin e pamohueshëm të medias në këtë betejë. Duke risjellë në vëmendje platformën qeverisëse të "duarve të pastra", Kryeministri Berisha theksoi se "në sajë të kësaj platforme, Shqipëria la pas në këtë garë 41 vende, duke dëshmuar një vullnet të hekurt në luftën kundër korrupsionit". "Qeveria 'e duarve të pastra' u faktoi shqiptarëve se kjo platformë, sado e vështirë, është platforma e suksesit. Arritjet në këtë drejtim janë një inkurajim shumë herë më i madh për të vazhduar këtë betejë dhe për të parakaluar në këtë garë të vështirë, gjithnjë e më shumë vende, derisa ta vendosim Shqipërinë aty ku e meriton", - tha Kryeministri Berisha.

Qeveria përshëndet miratimin e Protokollit të NATO-s nga Senati amerikan

Komisioni i Jashtëm i senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës miratoi Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, përshëndeti dje miratimin e tij, duke e konsideruar një besim të madh ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. "Votimi i djeshëm është një besim i madh ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve nga miqtë tanë. Dua t’ju siguroj se këtë besim do ta shfrytëzojmë për të bërë çdo përpjekje që kriteret dhe standardet e një vendi anëtar të NATO-s të zhvillohen dhe konsolidohen të sigurta në vendin tonë", - u shpreh Berisha. Më tej, ai falënderoi në mënyrë të veçantë drejtuesit kryesorë të Komisionit të Jashtëm të Senatit amerikan, senatorët John Biden dhe Richard Lugar, duke i quajtur ata miq të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›