Tadiç-Koshtunica në komente konfliktuale
• Presidenti serb, Boris Tadiç dhe kryeministri Vojisllav Koshtunica kanë diskutuar për Kosovën dhe BE-në në intervista të ndara, dukeevidentuar edhe një herë qëndrimet krejt të kundërta të tyre për zgjidhjen e këtyre dy çështjeve, tejet të rëndësishme për këtë vend. Presidenti Tadiç, i cili është lider i Partisë Demokrate tha se, “Ka politikë unike në Serbi për Kosovën”. “Kosova është Serbi për identitetin e kulturës sonë dhe Kosova është Serbi në këndvështrimin e ligjeve ndërkombëtare, ndërsa anëtarësimi në BE është mundësia e vetme për perspektivën ekonomike të vendit”, tha ai për të përditshmen “Danas”. Tadiç njoftoi se të paktën gjatë pesëvjeçarit të ardhshëm Serbia ka ndër mend të “luftojë” kundër statusit pavarësi për Kosovën, por pa luftë, pa cenuar jetë njerëzore dhe pa ulur potencialin ekonomik dhe politik të vendit. Tadiç ka refuzuar deklaratat e partisë së Koshtunicës se më 11 maj zgjedhjet parlamentare janë për Kosovën duke e konsideruar këtë një subjekt artificial pasi politika në Serbi ka konsensus të gjerë mbi politikën që do të ndiqet për Kosovën. “Ne do të hyjmë në Evropë me identitetin tonë, ne do të mbrojmë Kosovën, si çdo të bënte çdo vend normal demokratik, ne do të mbrojmë njerëzit tanë dhe trashëgiminë në Kosovë, ashtu siç do të mbrojmë të drejtat e shqiptarëve në Kosovë”, ka komentuar ai. Tadiç nuk e sheh aspak koalicionin e ardhshëm qeveritar me partinë e Koshtunicës apo radikalët. Ai shprehu dëshirën se votuesit nuk do të materializojnë praninë e tyre në qeverinë e re, pasi duhet të dëshmojnë frymën pro evropiane. Tadiç tha se, kryeministri i ardhshëm i Serbisë do të jetë nga Partia Demokratike pasi negociatat kanë nisur. Ndërsa kryeministri Koshtunica, deklaroi se qeveria ka dështuar pasi nuk kishte konsensus për Kosovën. Koshtunica favorizon anëtarësimin e Serbisë në BE sapo unioni të konfirmojë kufijtë ekzistues të Serbisë.