Berisha: Zgjedhje të lira dhe të ndershme
Kryeministri Sali Berisha siguroi dje se "do të bëjë çdo përpjekje për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe do të respektojë me vendosmërinë më të madhe verdiktin e shqiptarëve". Gjatë një konference për shtyp, ku bëri analizën vjetore të qeverisë, Kryeministri Berisha përcaktoi se "detyrimi më madhor për 2009 është që shqiptarët në këto zgjedhje të votojnë njëlloj si qytetarët e tjerë evropianë". Duke u shprehur i sigurt në realizimin e premtimit të madh për pajisjen e shqiptarëve me karta identiteti, Berisha tha se në janar nis realisht prodhimi i tyre. "Pajisja me karta identiteti fillon në janar. Unë shoh se ka një interes të madh nga qytetarët për t'u pajisur me kartat e identitetit. Ne po bëjmë çdo përpjekje që ky interes të përballohet nga kompania. Mendoj se heqja e TVSH-së për kartat që u vendos sot, heqja e disa tarifave të tjera e ka bërë plotësisht të mundshme kartën e identitetit për t'u blerë nga qytetarët shqiptarë", tha Kryeministri.