E Diel, 1 Nëntor 2026

Reformimi i Prokurorisë dhe (pa) varësia nga kryeministri

Nasip Naçe 

Prej kohës kur Partia  Demokratike erdhi në krye të shtetit shqiptar dhe kreu i saj, Sali Berisha në drejtim të Ekzekutivit, Reforma për Drejtësinë ka qenë një nga shtyllat kryesore të platformës dhe premtimeve. Megjithëse skeptikë për arritjen reale të kësaj reforme në shërbim të shtetit të së drejtës, unë dhe kolegë të mi, që dikur kemi punuar në organin e akuzës, tregojmë menjëherë ndjeshmëri sapo preket tema e reformës në Prokurori. Dhe një temë e tillë ka disa muaj që sillet përqark drejtësisë dhe përmidis politikës, duke kulmuar me konsesusin mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në Komisionin e Ligjeve për projekt ligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8737, datë 12.02.2001 "Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë".  
Pa u stërmunduar për të marrë mbi vete barrën e të vërtetës absolute, por si specialist i fushës, po paraqes disa pikëpamje të miat.
Këto ndryshime janë iniciuar nga maxhoranca dhe po trumbetohen si një nga nismat më të rëndësishme të Këshillit të Ministrave për të bërë "reformimin e institucionit të organit të akuzës". Ky "reformim" vjen në një kohë kur Prokuroria prej muajsh është e "zënë" me hetime të sferave të larta, ku përfshihen tragjedia e Gërdecit me një ministër të dorëhequr dhe pa imunitet, me funksionarë shtetërorë të shkarkuar e të larguar, me të ndaluar, por edhe me kryeministrin jo pak të akuzuar. Në listë është edhe hetimi mbi rrugën Durrës-Kukës, me përpjekje maksimale për ta mbyllur këtë çështje nëpërmjet burokracive të turpshme; edhe ky hetim me një ministër të dorëhequr (pavarësisht se në një post paralel) dhe pa imunitet, me zyrtarë të ndaluar dhe sërish me kryeministrin të akuzuar. Në duart e Prokurorisë janë edhe dosjet e Damir Fazlliç, e Remzi Hoxhës ku sërish janë të përfshirë struktura të larta të shtetit shqiptar. Përpos këtyre proceseve gjigandë, ka edhe dhjetëra të tjerë "më të vegjël", por që qeverinë e duarve të pastra e bëjnë tepër pis.
Duke kaluar tek projektligji propozuar nga Ministra e Drejtësisë, i miratuar me shpejtësi, ashtu si shumë ligje të tjera konsesuale mes PD dhe PS; vërehet se në 34 nenet e paraqitura e që po "shiten" si reformimi i shumëpritur i këtij institucioni, cenohet rëndë puna dhe pavarësia e Prokurorisë.
Nëpërmjet nenit 18 të këtij projektligji është shfuqizuar neni 36 i ligjit 8737 i vitit 2001 i ndryshuar për mbrojtjen nga procesi penal të prokurorëve ku thuhet se:
1. Prokurori nuk mund të ndalohet, kontrollohet, ose arrestohet pa pëlqimin e Prokurorit të Përgjithshëm, përveç rasteve kur kapet në kryerje e sipër të një krimi, ose menjëherë pas kryerjes së tij. Në këto raste organi përgjegjës njofton menjëherë Prokurorin e Përgjithshëm.
2. Në qoftë se Prokurori i Përgjithshëm brenda 24 orëve nuk jep pëlqimin për dërgimin në gjykatë të prokurorit, organi përgjegjës është i detyruar ta lirojë prokurorin e ndaluar.
Shfuqizimi i kësaj dispozite të mësipërme i përball prokurorët me abuzivitetin e mundshëm në rrugë nga shërbimet e policisë, kur ata janë në krye të ushtrimit të funksioneve të tyre kushtetuese a të ndjekjes penale. Mendoj se përveç pasigurisë që sjell ky nen në punën e prokurorëve, kjo është edhe një lloj trysnie që ushtrohet ndaj tyre dhe punës së tyre, për më tepër kur po bëhen çdo ditë e më të dukshme abuzimet e kësaj maxhorance dhe tendenca për të kontrolluar akuzën.
Një shembull i thjeshtë mund të merret, publikimi në media i shoqërimit për disa orë në polici i një prej prokurorëve të Krimeve të Rënda, pas një konflikti banal me policinë rrugore. Dhe në atë kohë ende nuk ishte shfuqizuar neni i mësipërm.
Duket e qartë se heqja e këtij neni nuk krijon gjë tjetër, reformë jo e jo, përveçse trysni të madhe negative, mbi ata prokurorë që në punën e tyre do të përballen me çështje penale në ngarkim të segmenteve të larta shtetërore, apo edhe personave e interesave të lidhura me to. Në argumentet që jepen për shfuqizimin e këtij neni thuhet se "imuniteti për një kategori zyrtarësh është i parashikuar në Kushtetutë dhe për pasojë as ligji nuk mund të heqë dhe as nuk mund të shtojë kategori të tjera me imunitet dhe nuk mund të flitet për imunitet të prokurorit, në kuptim të gjerë, apo të ngushtë të kësaj fjale, përsa kohë prokurori do të duhet të mbrohet nga vetë prokurori". Nëse është kështu, duke parë edhe konsensusin e gjerë të PD-PS, të cilat së bashku kanë edhe maxhorancën absolute dhe nëse kanë vullnetin e mirë për të bërë vërtetë reformë, mund të ndryshojnë Kushtetutën në nenin 148 të saj, duke bërë përmirësimet përkatëse.
Në vazhdën e "kontrollit" dhe jo të "reformimit të institucionit të akuzës" për të cilin pretendohet nga maxhoranca nëpërmjet nenit 28 është ndryshuar edhe neni 56 i këtij ligji duke u shtuar me dy paragrafë të tjerë.
Ndryshimi i këtij neni, duke e shtuar edhe me dy paragrafë të tjerë ku flitet për marrëdhëniet me Ministrinë e Drejtësisë, nuk është bërë për të reformuar këtë organ, por për ta "kontrolluar" atë, pasi në ligj është parashikuar se Ministri i Drejtësisë kontrollon në mënyrë të planifikuar, ose në bazë të informacioneve të dhëna nga organe, institucione ose persona të interesuar, ligjshmërinë e veprimtarisë së prokurorëve.
Ministria e Drejtësisë, me ligjin aktual mund të kontrollojë, ndjekjen dhe respektimin e afateve të hetimit, ndjekjen dhe respektimin e afateve të paraburgimit, ndjekjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të subjekteve të procedimit penal dhe në veçanti, të të ndaluarve dhe të arrestuarve, ndjekjen dhe respektimin e detyrimit ligjor të prokurorit për fillimin e ndjekjes penale, ndjekjen dhe ecurinë e politikës penale dhe në veçanti, të politikës së dënimeve që ndiqet nga prokurorët, ndjekjen dhe respektimin e parimeve të drejtësisë, barazisë dhe ligjshmërisë së veprimtarisë së prokurorit në marrëdhëniet e tij me subjektet e tjera të procedimit penal.
Mbi këtë objekt kontrolli dhe mbi rezultatin e tij, vihet në dijeni Presidenti i Republikës, Prokurori i Përgjithshëm dhe prokurori, veprimtaria e të cilit ka qenë objekt kontrolli.
Pra nëpërmjet këtij neni ligjshmëria e punës së prokurorëve  kontrollohet edhe nga jashtë sistemit gjyqësor, nga Ministria e Drejtësisë, një hallkë e rëndësishme e ekzekutivit.
Ligjshmëria e punës së prokurorëve, çdo ditë kontrollohet nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm nëpërmjet kontrolleve të veçanta, apo ato periodike të kryera nga Drejtoria e personelit dhe Inspektimit.
Ligjshmëria e punës së prokurorëve, çdo ditë kontrollohet nga vetë sistemi gjyqësorë në të gjitha shkallët e tij.
Harmonizimi i kontrollit të bërë nga gjykatat në të tre shkallët e gjykimit, me ushtrimin dhe kontrollin e brendshëm të vetë Prokurorisë dhe atë kontroll të bërë nga jashtë sistemit, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë do të siguronte një procedim të drejtë, të barabartë e të rregullt ligjor, duke mbrojtur liritë dhe të drejtat e shtetasve dhe do të ndihmonte realisht në forcimin e rendit juridik dhe zbatimin e Kushtetutës  dhe ligjeve të tjera të vendit.
Në këtë nen është shtuar edhe një paragraf me këtë përmbajtje: "Ministri i Drejtësisë paraqet në Kuvend, të paktën një herë në vit, raport me shkrim për inspektimet e kryera nga Ministria e Drejtësisë, duke vënë në dijeni edhe Prokurorin e Përgjithshëm. Raporti përmban të dhëna të përgjithshme për çështjet e parashikuar në pikën 2, të këtij neni. Prokurori i Përgjithshëm ka të drejtë të paraqesë në Kuvend mendimin e tij për raportin e dërguar nga ministri i Drejtësisë sipas kësaj pike. Në bazë të rezultateve të kontrollit, ministri i Drejtësisë, kur është rasti, paraqet rekomandim, për marrje mase disiplinore, Prokurorit të Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm shqyrton rekomandimin dhe vendos në lidhje me të. Rekomandimi për procedim disiplinor dhe përgjigja e Prokurorit të Përgjithshëm i njoftohen Presidentit të Republikës".
Ky ndryshim  bën të mundur që Ministri i Drejtësisë, të raportojë në Kuvend të paktën një herë në vit për inspektimet në organin e akuzës dhe padyshim që ky raportim do të shndërrohet në një debat politik në Parlament dhe, qofsha unë i gabuar, por nëse ky projektligj kalon me këto ndryshime të gjithë deputetët në garë me njëri tjetrin do të tregonin "ngjarje" nga zonat e tyre elektorale, gjatë këtij raportimi në Kuvend dhe kjo do të cenoje rëndë punën e prokurorëve dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, do të cenojë rëndë interesat e ligjshme të shtetasve shqiptarë, do të cenojë rëndë forcimin e rendit juridik dhe zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjeve të tjera të shtetit.
Natyrshëm që mund të kuptohet nxitimi dhe këmbëngulja e ligjvënësve demokratë si dhe kryeministrit shqiptar. Për një periudhë jo të vogël kohore, ata po përballen me ndjekje penale për zyrtarët e emëruar prej tyre, madje edhe të mbrojtur fort po prej tyre. Ndryshimet e bëra në ligjin për prokurorinë besoj se janë një përpjekje për të balancuar "tradhtinë" e kryeprokurores së re, e cila u vu në zbatim të ligjit dhe jo të urdhrave. E pikërisht për këtë, me ligjin e ri, kërkohet një Prokuror i Përgjithshëm, i cenueshëm, i goditshëm lehtë dhe mundësisht i varur nga ndikimet dhe lëvizjet e politikës së ditës. Me anë të këtij ligji qartësisht dhe në dritë të diellit kërkohet që Prokurori I Përgjithshëm, prokurorët dhe prokuroria si institucion të dalë nga parimet e saj kushtetuese dhe funksionale, ndjekjen penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq duke funksionuar pranë sistemit gjyqësor dhe kontrollohet prej këtij sistemi, të kthehen në organe që kontrollohen nga qeveria dhe në funksion të mbylljes së aferave të saj dhe lidhjeve të tjera. Kjo do të ishte edhe goditja e radhës, por ndër më të rëndat që do të merrte shteti shqiptar në pak kohë. Dhe kjo me konsensus të plotë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›