E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, letër Topit për amnisti ndaj 75-vjeçares

 

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, i shkruan presidentit të Republikës Bamir Topi ku i drejtohet me kërkesën për të falur 75 vjeçaren Feride Bako, e moshuara e dënuar për kultivim Kanabis e burgosur në burgun e grave 325 në Tiranë. Kërkesa zyrtare e kreut te PS-së, Rama vjen pas një kërkese publike të artikuluar pak ditë më parë gjatë një konference për shtyp ku Rama u shpreh se "drama e nënë Ferides është drama e atyre që vuajnë në skajshmëritë e një mjerimi total". "Ju parashtroj përmes kësaj letre kërkesën time që të ushtroni të drejtën e faljes për një shtetase të moshuar në zbatim të kompetencave tuaja të parashikuara nga Kushtetuta e vendit" -nis letra e kreut të PS Rama, drejtuar presidentit Topi. Duke treguar shkaqet që kanë shtyrë të moshuarën për të bërë këtë vepër penale, Rama shprehet se arsyet kanë qenë varfëria ekstreme. Sipas tij, "gjyshja e kyçur në burg është shëmbëlltyrë e pafajshme e varfërisë, që e ka shtyrë atë përtej kufijve të ligjit". Rama kërkon lirimin e nënë Ferides si të vetmen mbështetje për dy nipërit e saj ende fëmijë, të cilët mbijetojnë vetëm, në një kasolle pa asnjë kusht për t'u quajtur shtëpi. Çdo ditë që kalon është një aventurë e paparashikueshme për ata dy fëmijë". Rama shprehet se "duhet amnisti për raste të ngjashme me ato të nënë Ferides". Ndërkaq Grupi parlamentar socialist ka paraqitur në kuvend një projektligj për amnistim të të gjithë të dënuarve të cilët janë mbi 60 për femrat dhe 65 për meshkujt. "Amnistohen të dënuarat femra, të cilat në datën, që do të vendoset nga Kuvendi, kanë mbushur moshën 60 vjeç dhe të dënuarit meshkuj, të cilët kanë mbushur moshën 65 vjeç, me përjashtim të parashikimeve të nenit 4 të këtij ligji", thuhet në propozimin e socialistëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›