Cani: Banka gaboi me interesin, normat e larta të kredive po i paguan biznesi
Redi Gjuzi
Në rast se sot kostot për marrjen e kredive anë më të shtrenjta, atëherë ky është “faji” direkt i Bankës së Shqipërisë. Në rast se sot kostot e investimeve janë më të shtrenjta, atëherë Banka e Shqipërisë duhet të parashikonte kohë më parë një situatë të tillë. Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, komenton lëvizjet e fundit të politikës monetare dhe vë grushtin mbi fajtorin, ose mosvepruesit e kësaj krize. Për Shkëlqim Canin, ulja e normave të interesit nga Banka Qendrore duhet të ishte bërë që në fund të vitit të kaluar, dhe sot kreditë dhe normat e borxhit të Qeverisë do të ishin më të favorshme. Në një intervistë të gjatë për gazetën, ekonomisti i njohur tregon edhe efektet e këtij mosveprimi. Çfarë po ndodh me ekonominë e vendit dhe pse parashikimet e INSTAT nuk janë realiste. Pse Qeveria po mban peng të gjithë ekonominë me rritjen e deficitit buxhetor dhe arsyet e biznesit që i detyrojnë bankat të blejnë bono dhe të mos japin kredi. Pse kriza ekonomike po i jep efektet përditë dhe sa do ë zgjasë për ekonominë shqiptare kjo situatë. Sipas Canit, sot ka dy aktorë që nuk po ndihmojnë për daljen nga kriza, ato janë Banka e Shqipërisë dhe Qeveria.
Në mbledhjen e fundit Banka e Shqipërisë vendosi që të mos ta ndryshojë normën bazë të interesit ndërkohë që bankat e tjera të huaja i kanë ulur në limitet e fundit, a mendoni që ulja e kësaj norme do të sillte uljen e normave të interesit për kreditë që janë shumë problematike dhe të depozitave?
Do të duket sikur po i shmangem po në fakt nuk po i shmangen përgjigjes, por unë dua të jem korrekt. Nuk është kaq e lehtë për ne jashtë dyerve të Bankës së Shqipërisë, që në këtë moment, që ne komunikojmë bashkë të japin një vlerësim nëse duhet apo jo të ulet norma e interesit, për arsye se ulja e normës së interesit nga BSH është një çështje që vendoset në kompleks. Janë disa treguesit që duhen marrë parasysh për uljen e normës së interesit. Në do kisha shumë më të lehtë që t’ju thoja se Banka e Shqipërisë duhet të kishte ulur në nëntor, dhjetor dhe janar normën e interesit dhe jo vetëm duhet të kishte ulur, por duhet të kishte ulur në një nivel relativisht të lartë dhe kam folur për këtë edhe në atë kohë. Duke u nisur sot, nga kushtet që janë sot, unë vlerësoj që Banka e Shqipërisë duhet të kishte, ulur normën e interesit dhe aq më tepër më krijohet bindja që ka gabuar me mos uljen e normës së interesit në atë kohë. Dhe kam lënë një shifër atëherë, që un përsëri e mbroj, që duhet ta kishte ulur normën e interesit jo 0.5 për qind, por duhet të kishte bërë dy ose tre ulje në një kohë të shkurtër. Pra brenda dy muajve Banka e Shqipërisë duhet të ulte normën e interesit deri në 2 qind, jo 0.5 për qind, por në total 2 për qind.
Pra sot norma e interesit duhet të ishte 3.75 për qind?
Po sot të ishte 3.75 ose 4 për qind. Por tani nuk duhet të merremi me këtë shifër. Banka e Shqipërisë duhet të kishte marrë këtë hap për arsye se ulja e normës së interesit faktor madhor ka inflacionin e pritshëm. Por nuk ka inflacionin e sotëm po ka inflacionin e 6-12-24 muajve në vijim. Nëse Banka do të kishte ulur normat e interesit në nëntor, ne tashmë jemi në korrik, pra pothuajse pas 9 muajsh dhe kemi inflacionin 2 për qind, pra kishte shumë hapësira për ta ulur. Aq më tepër që në atë kohë çmimet e shumë mallrave me shumë influencë në inflacionin shqiptar, që janë ushqimet, nafta etj., ishin në ulje dhe priteshin me një rënie drastike. Pra, ky veprim, shumë thjesht, duhet të ishte bërë atëherë. Pse unë hezitoj tani të them që duhet ulur sot norma e interesit? Për arsye se nuk di pasojat. Domethënë sesi do të jetë ecuria e çmimeve. Tregu ndërkombëtar besoj se po e kapërdin deri diku krizën, nuk është se kriza iku, por thelbi i krizës ka rënë. Kështu që nuk pritet rënie çmimesh, në mos mund të fillojë një valë rritje çmimesh në fillim e moderuar. Por diku nga viti 2010 do të fillojë, një rritje çmimesh, rritje e cila do të fillojë edhe për efekte të hedhjes kaq shumë të likuiditetit në treg.
Një faktor tjetër?
Duhet parë edhe ecuria e kursit të këmbimit. Norma e interesit është e lidhur me kursin e këmbimit. Ecuria e kursit të këmbimit në Shqipëri ende nuk është shumë e qartë. Ndërsa dimë që hyrjet në valutë janë ulur nga eksportet duket sikur ka një shenjë të mirë për turizmin. Kjo jo për t’u mburrur Qeveria, sepse nuk është turizmi që ne presim, pra turizmi me turistë të huaj, por është më kosovarët, maqedonasit dhe shqiptarët emigrantë, të cilët ne natyrisht i quajmë turistë, por nuk janë turistë sepse është një mall që i sjell, malli për vendin malli për familjen. Por sido që të jetë, le ta marrin në kahun pozitiv. Mesa duket shenjat janë që do vijnë disa të ardhura në valutë, që mund të kompensojnë deri diku këtë pjesën e munguar nga eksporti. Po kështu ndoshta edhe emigracioni po e kapërdin atë fazën shumë të keqe nga kriza. Shpresojmë që ata të reflektojnë në sjellje më pozitive për valutë në vend, por është pak e vështirë sepse u mësuan që të mos sjellin. Nga tjetër kemi edhe ulje të importeve, ulje e cila sjell kërkesë më të vogël për valutë. Por sidoqoftë, unë nuk mund të them sot se si do të jetë kursi i këmbimit. Ndërkohë që ka pak ulje në sjelljen e valutës po kështu ka dhe ulje në nxjerrjen e valutës. Kështu që nuk dihet si shkon kursi i këmbimit. Por nëse kursi i këmbimit qëndron relativisht stabël atëherë ka hapësira që të ulet norma e interesit. Kurse po qe se ka një valë të dytë nënçmimi të lekut, natyrisht e tëra do të reflektohet në çmime dhe po u reflektua në çmime natyrisht që nuk ka më hapësira se inflacioni del jashtë kontrollit.
Unë mund të përmend edhe faktorë të tjerë dhe efektet e krizës që qeveria i fsheh dhe Banka e Shqipërisë i nxjerr evidentë. Pak rëndësi ka. Në tërësi kriza pranohet që ka influencë dhe në varësi dhe të influencës së krizës do të kemi ndikim te çmimet. Pra, ky është një faktor që më bën sot më pak të guximshëm, se sa disa muaj më parë, për të rekomanduar ndryshimin e normës së interesit.
Ju thatë që në nëntor-dhjetor-janar Banka e Shqipërisë mund të ulte ndjeshëm normën e interesit. Janë pikërisht këta muaj, kur të gjitha bankat e nivelit të dytë, filluan të vështirësojnë kushtet dhe të rritin normat e interesit për kreditë. Sikur të ndodhte e kundërta, pra Banka e Shqipërisë të ulte normën bazë të interesit që në fund të vitit të kaluar apo në fillim të këtij viti, sot a do ishin kreditë për biznesin dhe konsumatorët më të lira?
Po patjetër. Sidoqoftë, në nëntor-dhjetor apo janar, për të qenë korrekt me ju edhe me Bankën e Shqipërisë, nuk ishte një situatë e lehtë për të ulur normën bazë të interesit. Në atë kohë kishte tërheqje masive të depozitave kështu që Banka e Shqipërisë u vë përpara provës që po të ulte normën e interesit a do frenohej rrjedhja e depozitave. Por duhet të kemi parasysh një faktor tjetër. Banka e Shqipërisë është institucioni që duhet të bëjë parashikimet. Për këtë punë e kemi, që të marrë vendime në kohë prove. Në të kundërt këtë punë ia kishim lënë në dorë të medias. Kështu që Banka e Shqipërisë e kishte këtë faktor. Ndërkohë, në të gjithë botën, bankat qendrore e ulën normën e interesit e para sepse prisnin inflacionin të ulët, e dyta sepse donin t’i kundërviheshin krizës. Dhe mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë krizës është, ose shteti të bëjë shpenzimeve më shumë, ose t’i lërë hapësirë bankës qendrore për të ulur normat e interesit në mënyrë që të ulet norma e interesit dhe nga bankat e tjera dhe të nxitet kreditimi. Këtë duhet ta bënte për të dyja motivet banka qendrore. Ndërkohë, që njëri motiv ende qëndron për arsye se biznesi ndjen peshën e rëndë të krizës dhe vështirësisë së marrjes së kredisë, pra një faktor akoma është i ndjeshëm në ekonominë shqiptare. Kështu që Banka e Shqipërisë, edhe për këtë shkak mund ta marrë një vendim për uljen e normës së interesit, edhe nëse i del inflacioni nga 2 në 3 apo 4.2. Unë mendoj që publiku shqiptar do ta toleronte një inflacion 0.2 më shumë se objektivi i Bankës Qendrore dhe do të vinte në ndihmë për kreditimin e ekonomisë. Kështu që banka do të ndikonte si në uljen e yeldit (interesit) të bonove të thesarit ashtu edhe në normat e interesit të kredisë për bizneset dhe konsumatorët. Pra patjetër që nga ky këndvështrim, do t’i vinte në ndihmë ekonomisë.
Ju përmendët Bonot e Thesarit. Norma e interesit të bonove të thesarit ka kaluar 9.2 për qind ndërkohë që qeveria e kaaluar 30 miliardë lekë deficitin dhe kërkon vazhdimisht bono thesari për të financuar atë. Norma e interesit të bonove shërben si bazë për normën e interesit të kredive që japin bankat. Sa më i lartë interesi i bonove aq më i lartë dhe interesi i kredive. Ky faktor bëhet edhe më i rëndësishëm, por të kemi parasysh që bankat gati e kanë pezulluar kreditimin në valutë. Si mund të ndërhyjë Banka Qendrore?
Kjo histori ka rrjedhur kështu. Qeveria ishte e ndërgjegjshme që do kishte efekte nga kriza, por u tregua e papërgjegjshme për hir të fushatës. Pra ajo duhet t’i bënte ato shpenzime sipas një logjike të saj. Natyrisht kur grumbullohen më pak të ardhura dhe kryhen shpenzimet relativisht sipas një ritmi që ti ke planifikuar, kjo do të çojë në një deficit. Ky deficit me diçka duhej mbuluar. Dhe dy ishin mënyrat që mund të përdoreshin. Njëra ishte me kredi nga jashtë. U mor një kredi tej çdolloj limiti. Me afërsi 12 qind ose eurolibor plus 10 për qind. E dyta është që do të marrë borxh nga brenda. Sa më shumë para të kërkosh në një treg, i cili nuk i ka mundësitë, (sepse depozitat kishin rënë ndërkohë që dhe tregu i huaj ishte jo likuid, pra ishte një treg antimarrjes së kredisë) natyrisht që e tëra do të sjellë rritjen e çmimit të parasë, e cila është rritja e normës së interesit. E thënë më thjeshtë, nëse kërkon dy kile domate kur fshatari ka vetëm një kile dhe ai s’do bëjë gjë tjetër veçse do të rrisë çmimin. Po këtë bëri edhe qeveria. Dolën në treg dhe kërkuan më shumë nga ç’kishte mundësi tregu, dhe doemos që u rrit yeldi i bonove të thesarit. Jo vetëm aq, por siç thatë edhe ju, rritet norma e interesit të kredive. I bënë keq jo vetëm kostos së buxhetit, pra lamë një rrugë, lamë një shkollë pa u ndërtuar, por rritëm dhe normën e interesit të kredive. Për arsye se të gjitha kreditë në lekë janë të lidhura me interesin e bonove të thesarit. , kjo i bëri dëm dhe biznesit. E treta, është konkurrenca mes shtetit dhe biznesit. Kur janë 100 lekë dhe shteti do të marrë 90, biznesit do t’i ngelë 10. Pra, shteti në këtë rast sulmoi privatin.
Pra bankat e nivelit të dytë kishin më shumë interes të blinin bono thesari me norma interesi të larta, se të investonin në kredi për biznesin.
Po. Sepse siguria e bonove është 100 për qind. Por, kjo ana tjetër prishi dhe të ardhmen, sepse biznesi është shtylla e ekonomisë. Shteti është më i burokratizuar më i korruptuar, ndërsa biznesi do të nxjerrë patjetër një biznes me fitim. Dhe e keqja më e madhe, sipas meje, nuk është deri këtu por është në uljen e investimeve nga ulja e kredisë, nga ulja e importeve të makinerive. Pra, do të kemi efekte që do shikohen në gjitha vitet sepse nëse s’do ketë investime nga firmat private natyrisht ne do ecim më pak GDP dhe në vitet e ardhshme. Kjo është e keqja që sipas meje ka bërë e tërë kjo politikë.
Pra përveç buxhetit aktual që duket se po korrektohet nga qeveria me vendimin për pezullimin e prokurimeve publike, duhet të korrektohet edhe i gjithë parashikimi për të ardhmen?
Duhet të jemi seriozë në parashikimet në të ardhmen dhe duhet parë me një sy më kritik rritja e GDP, ose me një sy më realist. Unë do dëshiroj që rritja të mos ishte 7 po të ishte 10 për qind. Por ne duhet të marrin parasysh disa efekte që rrjedhin nga kjo krizë dhe që do të ketë pasoja ë të ardhmen.
Por INSTAT thotë së rritja është 6 për qind…?
E para duhet të pranojmë se u lodhëm me këtë. Kjo nuk është shifra që nxjerr GDP. Kjo është një shifër që tregon tendencë. E dyta unë mendoj se INSTAT ka ardhur koha që të korrektojë vetveten. Kjo është një shifër testimi, por mesa duket të ky lloj testimi nuk shkon diçka në thelb. Ose Shqipëria nuk ka qenë rritur me 6 për qind gjatë viteve më parë, por rritja ka qenë me 10-12 për qind dhe tani është 6 për qind. Ose Shqipëria është rritur me 6 për qind gatë viteve të mëparshme dhe tani ka ndryshuar metoda e llogaritjes dhe kjo metodë që ne përdorim pavarësisht se nuk nisen për të gënjyer, nuk tregon të njëjtin realitet. Eshtë për të qeshur, por u bëmë si me punën e gripit të derrit, që vetëm Shqipërinë nuk e zinte viroza. Do të dëshirojë ndonjëherë, është vërtet cinike, por më mirë ta merrnin një me grip ta fusnin në Shqipëri dhe të vërtetohej se edhe ne jemi prekur si gjithë bota dhe fqinjët tanë. Tani nxorëm që jemi të veçantë, po është e pamundur që kriza të mos veprojë në Shqipëri. Por duhet të dinë, se këta njerëz që jetojnë këtu nuk është se nuk e nuhatin krizën. Në fakt, duhet të jemi edhe realistë. Kriza nuk është se është një tërmet nuk e shkatërron Shqipërinë, ajo do të mbajë peng një vit ose dy vjet. Pra, nëse Shqipëria kishte mundësi për të ecur përpara tani do të jetë më e ngadalësuar, nuk do të jetë rritja ekonomike në ato tempe që ka qenë, po nuk është se s’do ketë rritje ekonomike. Nuk duhet të kalojmë nëpër ekstreme dhe njerëzit të mos ta presin krizën si ndonjë tërmet. Kjo është kriza, kjo që po jetojmë përditë. Vijnë më pak para nga emigrantët për ato familje që jetojnë me këto para. Unë ju thashë edhe më parë, po të ishin ulur çmimet në Shqipëri aq sa janë ulur në botë, sot do të kishim shumë përfitime nga kriza. Të paktën për një shtresë të gjerë njerëzish. Krizën reale po e ndien fshatari se i është ulur çmimi i produkteve bujqësore, ndërkohë që nafta këtu në Shqipëri nuk është ulur. Kështu që këto shtesa penalizohen dyfish, kanë kosto të lartë dhe çmime të ulura nga konkurrenca e huaj. E dyta, do të penalizohen përsëri familjet fshatare ose pensionistët, të cilëve nuk do u vijnë të ardhurat nga emigrantët. Pra, këto janë shtresat më të penalizuara. Ne në Tiranë të mos presim ndonjë çudi nga kriza, përgjithësisht efektet negative i ka periferia. Por periferia nuk proteston. Dhe dëshiroj që të mos ndodhë, sepse dëgjova Kryeministrin Berisha që tha se duhen ndihmuar zonat e varfra. Pra, e kuptoi që kriza do të godiste pikërisht zonat e varfra.
Të ndalemi te kursi i këmbimit. Në parim kursin e vendos tregu, por ardhja e emigrantëve, sezoni turistik, rritja e prodhimit vendas, që shtojnë ofertën e valutës, nuk patën ndonjë ndikim të madh të forcimin e lekut. Sipas zyrave të këmbimit valutor lihet të kuptohet se ka ndërhyrë Banka e Shqipërisë për të mos ta ulur më shumë kursin e këmbimit.
Regjimi ynë është një regjim që e vendos tregu. Banka Qendrore në fakt duhet të ndërhyjë kur e ndjen se ka spekulim, si rregull. Duke thënë, si rregull, Banka Qendrore të paktën 10-15 vjet ka ndërhyrë edhe në kohën kur ka pasur blerje dhe shitje masive valute tej nevojave të tregut. Raste të tilla kanë qenë kur qeverisë i janë dhënë ndihma nga Komuniteti Evropian nga Banka Botërore, këto sasi valute i ka pas blerë banka me buxhetin në vend që Ministria e Financave të dilte në treg. Pra, ka shmangur lëvizjet e mëdha të kursit. Kjo për të shmangur ndryshimin e çmimeve që Banka Qendrore nuk e dëshiron. Edhe pse normalisht në vendet e tjera, këtë e bëjnë bankat tregtare sepse ky është një biznes. Një tregtar i mirë blen domatet kur janë lirë dhe i shet kur janë shtrenjtë. Pra duhet ta bënin bankat tregtare. Meqenëse bankat tregtare dikur kanë qenë shumë të dobëta për ta bërë, këtë e bënte Banka Qendrore dhe ndërhynte në treg gjatë verës. Sepse vera është tipike, p.sh., në Shqipëri që ka fluks valute ndërkohë që bie kërkesa, sepse hyn në treg për tre muaj prodhimi bujqësor vendas, zë peshë mall i importit. Pra për këto dy arsye gjithmonë ka ndërhyrë Banka e Qendrore, kështu që do doja ta përjashtoja këtë lloj ndërhyrje si të qëllimshme. Natyrisht që Banka Qendrore duhet të jetë gjithnjë e më pak e pranishme në treg, por meqenëse ne ishim përpara një krize Banka Qendrore po ta linte kursin në një pikiatë edhe psikologjike ndoshta nuk do të ishte mirë. Pra, edhe sikur të ketë ndërhyrë Banka Qendrore ka bërë mirë për të mos ta lënë kursin në pikiatë apo në ngjitje të lirë. Në këtë mënyrë ajo teston tregun.
Të ndalemi te kreditë e këqija. Numri i tyre është rritur gjatë kësaj periudhe krize. A duhet të krijohet një fond garantimi për bankat (për kreditë e këqija) në mënyrë që ato të vazhdojnë të japin kredi edhe pse janë rritur kreditë e këqija?
Kreditë e këqija kanë arritur në mbi 8 për qind. Për mua kjo shifër nuk është ndonjë gjë e re dhe nuk duhet të jetë gjë e re as për publikun e as për ju. Personalisht, kohë më parë unë kam gjykuar që viti 2009 do ta gjejë nivelin e kredive të pakthyera diku te 10 për qind. Banka Qendrore ka një rregullore që unë mendoj se e zbaton me rigorozitet dhe sa më me rigorozitet ta zbatojë aq më mirë është. Bankat janë të detyruara të krijojnë një fond rezervë. Sa më shumë para të detyrohen bankat të lenë mënjanë aq më shumë ulet fitimi i tyre. Pra, jo vetëm që kisha parashikuar që do të shkojë te 10 për qind dhe mesa duket thelbi po na çon atje, por kjo do të çojë edhe në uljen e fitimeve të bankave dhe unë përsëri kam parashikuar që bankat këtë vit po të dalin me fitim zero për të mos thënë që do të dalin me humbje. Por edhe kjo nuk është për t’u shqetësuar. E kam thënë disa herë, kjo nuk është ndonjë humbje e madhe, nuk është ndonjë shkatërrim për sistemin bankar që të mos dalin me fitim një vit qoftë edhe dy. Kjo për arsye se, pavarësisht se Qeveria nuk e pranon, ne jemi në krizë të ndikuar nga kriza. Bankat kanë pasur fitime të mjaftueshme kanë kapitale të mjaftueshme për ta kapërcyer këtë situatë. Tani pyetja juaj është më specifike akoma. A duhet krijuar një fond? Fond i veçantë që besoj se ju nënkuptoni nga Qeveria. Unë kam folur dhe për këtë shumë kohë përpara, që Qeveria duhet të krijonte një fond kontingjencë, i cili u tha se u krijua. Për mua që e njoh shtetin pothuajse në të gjitha nivelet unë e kuptoj që nuk ishte fond kontingjence. Ishte një shaka për t’iu shitur publikut. Kjo shaka fatmirësisht u kapërcye, por nganjëherë këto lloj shakash mund të jenë me shumë zarar për njerëzit në rast se ata konstatuan se i gënjeve. Por a kalojmë këtë. Në fakt isha dhe jam që duhet të krijohet një fond kontingjence, fond i cili të lihet mënjanë për nevoja të papritura. Bankat sot nuk e kanë të nevojshme, por megjithatë në rast se krijohet nuk është ndonjë e keqe e madhe. Sepse vërtet ka disa shenja pozitive për kapërcimin e krizës në botë, por Shqipëria ka hyrë me vonesë dhe do të dalë me vonesë nga kriza. Shqipëria besoj se dhe vitin tjetër do të jetë me pasoja krize kështu që ky fond në rast se krijohet nuk ka asgjë të keqe.