E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitues zgjedhjesh pa mesazhe urimi

Brukseli dhe Uashingtoni nuk e urojnë fitimtarin zyrtarisht apo privatisht. Berisha merr urime vetëm nga miqtë si Berluskoni, Karamanlis dhe Erdogan

Albert Gjoka

Fituesi i zgjedhjeve të 28 qershorit nuk ka marrë ende urimin e asnjë prej institucioneve më të rëndësishme perëndimore, ndonëse ka mëse një muaj që ka përfunduar procesi i votimit. As Brukseli zyrtar dhe as Uashingtoni nuk i kanë përcjellë urimet protokollare zotit Berisha, që mori më shumë vota në zgjedhjet më të fundit. Duke iu referuar burimeve zyrtare të Këshillit të Ministrave, vetëm kryeministrat e Italisë dhe Greqisë fqinje e kanë uruar zotin Berisha. Po ashtu, edhe udhëheqësit politikë shqiptarë të Maqedonisë, Kosovës apo Malit të Zi. Sipas statistikave që dalin nga burime zyrtare, fituesi i këtyre zgjedhjeve është më pak i njohuri në arenën ndërkombëtare. Kryetari i PD-së deklaroi fitoren vetëm pak ditë pas zgjedhjeve, por edhe sot e kësaj dite ai nuk ka marrë mesazhet e pritshme të Bashkimit Europian apo edhe të Shteteve të Bashkuara, të cilat, zyrtarisht, do të shënonin edhe njohjen e rezultateve dhe institucioneve që pritet të dalin nga vota e 28 qershorit. Por kjo lidhet edhe me faktin e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ-ja, e cila vetëm dje ka përfunduar të gjithë procesin.
Mesazhet
Mesazhi i parë për fitimin e zgjedhjeve në adresë të zotit Berisha ka ardhur nga Vilfrid Martens, kryetar i Partive Popullore Europiane. Martens, i pranishëm edhe në ceremoninë mbyllëse të fushatës së koalicionit “Aleanca për ndryshim” më 26 qershor, nuk ka ngurruar që t’i urojë fitoren bashkëpjesëtarit të familjes së djathtë politike që më 6 korrik, kur nuk mund të thuhej ende zyrtarisht se cili koalicion ka marrë më shumë mandate. Një ditë më pas, kryeministri italian, Silvio Berluskoni, i njohur ndryshe edhe si miku i Berishës, e uron homologun shqiptar për rimandatimin e tij. Përmes një bisede telefonike, pasditen e 7 korrikut, siç thuhet edhe në njoftimin zyrtar të Këshillit të Ministrave, shefi i qeverisë së Romës e ka cilësuar këtë fitore si “një meritë të veçantë të kryeministrit Berisha”. Po ashtu, kavalieri ka përcjellë urimet edhe për koalicionin mes PD-së dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dy ditë më pas është konsideruar fitues zoti Berisha edhe nga presidenti i Kosovës, zoti Fatmir Sejdiu, i cili është edhe udhëheqësi i parë shqiptar në rajon që uron Berishën për fitore në zgjedhjet e 28 qershorit. Menjëherë pas presidentit Sejdiu kanë mbërritur në drejtim të qeverisë zyrtare të Tiranës mesazhe edhe nga krerët e tjerë shqiptarë të Maqedonisë dhe Kosovës. Riza Halimi i Preshevës, Arif Krasniqi, Imer Selmani, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi i përcollën urimet e tyre zotit Berisha.
Më datën 10 korrik një tjetër përgëzim i ka ardhur kryeministrit Berisha nga homologu grek, Kostas Karamanlis. Kreu i qeverisë së Athinës mori në telefon Berishën më 10 korrik dhe pasi e përgëzoi u shpreh se “kjo është një fitore plotësisht e merituar që e kanë mirëpritur dhe festuar të gjithë miqtë e Partisë Demokratike”. Më pas e kanë uruar drejtuesin e PD-së edhe liderët kosovarë, Behxhet Pacolli dhe Ramush Haradinaj. Një tjetër homolog eruopian, i një vendi mik, ka uruar qeverinë Berisha për rimandatim. Më 15 korrik kryeministri Taip Erdogan i ka telefonuar Berishës dhe i ka përcjellë mesazhet e fitores. Kreu i qeverisë turke mori pjesë vetëm pesë ditë para zgjedhjeve në ceremoninë inauguruese të tunelit ende të papërfunduar të Kalimashit, ceremoni e cila dukej fare qartë se ishte organizuar për qëllime elektorale. Dhe, pa dyshim, vizita dhe kontributi i kreut të qeverisë së Ankarasë u shërbeu synimeve elektorale të Berishës. “Kryeministri i Turqisë, Erdogan, e cilësoi këtë një fitore të merituar të kryeministrit Berisha, me një rëndësi të madhe për vazhdimin e reformave të vendit dhe integrimit të Shqipërisë në BE”, - thuhet në njoftimin zyrtar të qeverisë në lidhje me bisedën telefonike të dy kryeministrave. Urime i kanë mbërritur zotit Berisha edhe nga disa përfaqësues të partive popullore europiane.
Heshtja
Megjithëse zoti Berisha ka deklaruar fitoren që një javë pas zgjedhjeve dhe ka përfunduar marrëveshjen paraprake për koalicionin qeverisës bashkë me Lëvizjen Socialiste për Integrim, asnjë prej zyrtarëve më të lartë të Brukselit apo Uashingtonit nuk kanë përcjellë mesazhe urimi në drejtim të fituesit të zgjedhjeve. Edhe drejtuesit e organizatave të tilla si NATO, Këshilli Europës, etj., nuk kanë uruar fituesin e deklaruar. Ndër udhëheqësit shqiptarë të rajonit që nuk ka telefonuar apo dërguar telegrame urimi është homologu i Kosovës, zoti Hashim Thaçi. Zyrtarisht, qeveria dhe Partia Demokratike nuk kanë bërë të ditur mesazhe urimi nga qeveria e Prishtinës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për krerët e lartë maqedonas, apo edhe malazezë. Është e kuptueshme që mesazhe fitoreje nuk kanë mbërritur ende për zotin Berisha as nga kryeministrat e Francës, Anglisë, Gjermanisë apo Çekisë dhe Suedisë, si vende që mbajnë presidencat e radhës së BE-së gjatë vitit 2009. Edhe përfaqësuesi i Komisionit Europian në Tiranë, zoti Lohan, nuk i ka përcjellë urimet e fitimtarit zotit Berisha.
Shkaku
Certifikimi i zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe zvarritjet në krijimin e institucioneve të reja qeverisëse duket se janë edhe shkaku kryesor i numrit kaq të ulët të urimeve për fituesin e garës së 28 qershorit. Kjo lidhet edhe me faktin se diferenca mes PD-së dhe PS-së ishte tejet e ngushtë dhe vetëm LSI-ja, e cila shërbeu si “kingmaker”, i dha të drejtën Berishës që të shpallej fitues ndonëse procesi i numërimit donte edhe shumë kohë për të përfunduar. Zvarritjet gjatë numërimit të fletëve, apo ankimeve në KQZ dhe apelimeve në Kolegjin Zgjedhor, çuan përmbylljen e procesit deri më 1 gusht, datë që shënoi zyrtarisht edhe certifikimin e procesit nga KQZ-ja. Por, përtej faktit të shtyrjes së procesit të certifikimit të fituesve nga institucioni përkatës, kësaj radhe mesazhet flasin qartë se është e vështirë të gjesh fitimtarin real të garës së 28 qershorit.

Autoritetet Institucioni Data
Anne Marie Lizin Ish-kryetare e Senatit të Belgjikës 29/07
Antonio Lopez Isturiz Sekretari i Përgjithshëm i PPE-së 22/07
Josef Proll Kryetari i PP të Austrisë 20/07
Rezhep Tayip Erdogan Kryeministri i Turqisë 15/07
Behxhet Pacolli Kryetar i Partisë “Aleanca Kosova e Re” 15/07
Leka Zogu Pretendenti i Fronit Mbretëror 15/07
Ramush Haradinaj Kryetari i AAK-së 13/07
Avni Mustafaj Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan 12/07
Tahir Tahiri Këshilli i Shqiptarëve në Malin e Zi 12/07
Kosta Karamanlis Kryeministri i Greqisë 10/07
Menduh Thaçi Kryetari i PDSH-së në Maqedoni 09/07
Ali Ahmeti Kryetari i PBDI-së në Maqedoni 09/07
Imer Selmani Kryetari i Partisë Demokracia e Re 09/07
Arif Krasniqi Kryetari i Partisë Ekologjike të Kosovës 09/07
Riza Halimi Kryetar i Partisë për Veprim Demokratik 09/07
Fatmir Sejdiu President i Kosovës 08/07
Roland Galharague Drejtor për Europën në MPJ të Francës 07/07
Silvio Berluskoni Kryeministri i Italisë 07/07
Wilfrid Materns Kryetar i PPE-së 06/07

3 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›