E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet e 28 qershorit, risitë dhe arritjet e procesit



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar dje të dhënat rreth procesit zgjedhor të 28 qershorit. Sipas KQZ-së, 45 300 persona u angazhuan për mbarëvajtjen e procesit, ndërsa 5 400 të tjerë monitoruan zgjedhjet në rolin e vëzhguesve. Në të dhënat e publikuara nga KQZ-ja bëhet e ditur se 3 800 ishte numri i kandidatëve të partive politike që synonin mandatin e deputetit. Ndër arritjet pozitive të procesit shënohet pjesëmarrja e lartë në votime, ecuria e procesit të votimit, teknologjia e kamerave e përdorur për numërimin e votave si dhe përfundimi brenda afatit kohor të procesit.

45 300 të angazhuarit
Për organizimin dhe menaxhimin e zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë u angazhuan 45 300 persona, nga të cilët: 60 persona përbënin stafin e përhershëm të KQZ-së, 250 persona ishte stafi ndihmës i marrë në punë vetëm për këto zgjedhje, 528 ishin komisionerët e nivelit të dytë (KZAZ), 38 008 ishte numri i komisionerëve që administruan procesin në qendrat e votimit ose komisionet e nivelit të tretë (KQV), rreth 6 000 ishin numëruesit e emëruar për të përmbyllur procesin e numërimit, 250 ishin trajnuesit dhe 150 operatorët dhe specialistët e teknologjisë dhe informacionit.

3 800 kandidatët
Në këto zgjedhje u regjistruan 34 parti politike si subjekte zgjedhore, nga të cilat: 33 prej tyre u grupuan në 4 koalicione, një garoi e vetme dhe një kandidat, i propozuar nga zgjedhësit për qarkun e Tiranës, garoi si kandidat i pavarur.
Të gjitha subjektet zgjedhore paraqitën në listat e tyre shumemërore rreth 3 800 kandidatë.

5 400 vëzhguesit
Numri i vëzhguesve të huaj që vëzhguan këto zgjedhje ishte 600 veta, ndërsa ai vëzhguesve vendorë 4 800 veta.
Në këto zgjedhje morën pjesë 1 566 079 zgjedhës nga 3 084 946 që përmbante lista e zgjedhësve ose 50 77%. Shifër kjo më e larta e 4 zgjedhjeve të fundit.
Numri i votave të vlefshme që prodhuan rezultatin përfundimtar ishte 1 519 176 ose 97.3%.

Risitë
U ndryshua sistemi zgjedhor nga sistemi i përzier maxhoritar dhe proporcional në sistemin proporcional rajonal. Për herë të parë u hartuan listat e zgjedhësve mbi bazën e regjistrit elektronik të shtetasve dhe askush nuk i kontestoi ato. Për herë të parë zgjedhësit votuan me karta identiteti, përveç pasaportave për udhëtim jashtë shtetit. Për herë të parë u aplikua sistemi i numërimit dhe monitorimit me kamera i procesit të numërimit të votave. U mbikëqyrën me kamera, të lidhura në rrjet, të 66 VNV-të, nga Tropoja në Sarandë, dhe pamjet u transmetuan direkt në KQZ. Për herë të parë rezultatet u hodhën në bazën e të dhënave në çdo vend numërimi dhe u përcollën elektronikisht direkt në KQZ pas numërimit të çdo kutie votimi. Të gjitha këto të dhëna u bënë menjëherë publike, si para mediave, ashtu dhe në faqen e internetit. Për herë të parë mbledhjet e KQZ-së u transmetuan “on line” nëpërmjet faqes së internetit, duke bërë të mundur ndjekjen e tyre nga çdo vend i botës. Për herë të parë, për shkak të ligjit, u rrit ndjeshëm pjesëmarrja e grave në të gjitha komisionet zgjedhore. Një rritje të ndjeshme pati dhe numri i tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Si rezultat i kuadrit të ri ligjor u regjistruan 1165 kandidatë femra ose 30,23 %, nga të cilat, 23 janë tashmë deputete ose 16 % (nga 9 ose 6.3% në legjislaturën e kaluar).

Problemet sipas KQZ-së

Bashkëpunimi me pushtetin vendor rezultoi jo frytdhënës. Kërkohet prej tyre një angazhim më i madh dhe përgjegjësi maksimale për realizimin e detyrimeve që u ngarkon Kodi Zgjedhor. Subjektet zgjedhore propozuan me shumë vonesë anëtarët e komisioneve zgjedhore dhe për rrjedhim trajnimi i tyre, në disa raste, ishte i mangët ose nuk u arrit të zhvillohej. Kjo problematikë nuk po arrin të përmirësohet nga zgjedhjet në zgjedhje. Disa vende të votimit dhe të numërimit të votave mund të ishin përzgjedhur më mirë dhe në kohën e duhur. Procesi i numërimit të votave u vonua më tepër nga sa parashikohej. Në këtë drejtim besojmë se ka vend për ndonjë ndryshim tjetër të mundshëm ligjor.

3 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›