E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasojat negative të sistemit proporcional rajonal në zgjedhjet e 28 qershorit

Sistemi zgjedhor prodhoi sërish fenomenin e Dushkut për aleatët e PD-së. Në zgjedhjet e 28 qershorit votat e partive të vogla shkuan dëm për shkak të sistemit

Shaban Sulçe

Produkti i sistemit proporcional rajonal, i përdorur për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, nuk ishte ndër më të mirët të mundshmit. Ky sistem prodhoi sërish fenomene negative, për pasojë të të cilave u deformua vullneti i zgjedhësve, por mbi të gjitha nuk u dha vlera maksimalizuese e çdo vote që shqiptarët hodhën në kutitë e votimit në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Në këtë drejtim u dëmtuan jo vetëm partitë e vogla, por edhe partitë e mëdha. Një tjetër pikë e errët e sistemit proporcional rajonal së bashku me formulat që u sanksionuan në Kodin Zgjedhor, ishte mosevitimi i fenomenit të Dushkut, ku u prodhuan të paktën dy mandate deputetësh mbi bazën e një përfaqësimi joreal të votave.

Votat
Nëse kishte një anë negative në zgjedhjet e 28 qershorit për shkak të sistemit zgjedhor dhe formulave të përdorura ishte fakti se shumë vota shkuan dëm dhe nuk arritën të përktheheshin në mandate në Kuvend. Nga kjo gjë u dëmtuan pa përjashtim të gjitha partitë politike, madje edhe partitë e mëdha. Për shembull, në qarkun e Elbasanit dhe në qarkun e Korçës, Partia Socialiste, ndonëse kishte një numër shumë të madh votash në krahasim me Partinë Demokratike, fitoi të njëjtin numër mandatesh sa dhe rivalja e saj. Por më të dëmtuara nga ky sistem, sigurisht, ishin partitë e vogla. Kjo ndodhi në të gjitha qarqet. Edhe pse arritën të fitonin një numër të konsiderueshëm votash, partitë e vogla, pjesëmarrëse në koalicionet e mëdha, nuk arritën të siguronin mandate deputetësh, pasi nuk arritën të kalonin pragun elektoral. Votat e partive të vogla u përdorën më shumë për të siguruar mandatet e partive të mëdha që drejtonin koalicionin ku ato bënin pjesë. Nga ana tjetër, të dëmtuar nga ky proces dolën edhe partitë kryesore të dy koalicioneve të vogla, si LSI, LZHK dhe PDK, votat e të cilave nuk u konfiguruan në mandate për shkak të mos arritjes së pragut elektoral.
Dushku
Ndryshe nga Parlamenti i kaluar, ku bënin pjesë rreth 12 parti parlamentare, në Parlamentin e ri do të bëjnë pjesë vetëm gjashtë parti, nga të cilat vetëm PS-ja, PD-ja dhe LSI-ja kanë një elektorat të madh, të shpërndarë dhe të qëndrueshëm. Partia Republikane, Partia për Drejtësi dhe Integrim dhe Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e siguruan përfaqësimin në Parlament vetëm falë avantazheve që u jepte Kodi dhe Sistemi Zgjedhor dhe rreshtimi përkrah dy partive të mëdha. Partia Republikane arriti që të siguronte mandatin e saj në qarkun e Tiranës, edhe pse përqindja e votave që ajo mori në këtë qark ishte më pak se 2.5%. Republikanët arritën të siguronin mandatin në Parlament falë formulës “Saint laguë”, ndonëse në qarkun e Tiranës kishin marrë më pak se 50% të votave të LSI-së, e cila gjithashtu siguroi vetëm një mandat në këtë qark. Ndërkaq, Partia për Drejtësi dhe Integrim dhe Bashkimi për të Drejtat e Njeriut arritën të siguronin përfaqësimin në Parlament pikërisht falë avantazheve të sistemit zgjedhor.

3 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›