E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditari i përkthyesit:Debatet e Hrushovit me Enverin dhe Mehmetin gjatë vizitës në Tiranë

 

Afrim Imaj

“E prisnim vizitë historike, por nuk rezultoi e tillë. Sjelljet e dyzuara të mysafirit nga Moska, na zunë në befasi që në kontaktin e parë. Na duhej të bënim të pamundurën për t’i fshehur   opinionit situat-ën e trishtë, por nuk na shkoi mbarë deri në fund…
Sidoqoftë, bisedimet e udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik në vendin tonë në verën e vitit ‘59, nuk çuditën vetëm shqiptarët” Agim Popës, njeriut që përktheu bisedimet e Hrushovit me Enverin në Tiranë në verën e ‘59-ës, i është dashur t’u rikthehet disa   herë misterit dhe të papriturave të ngjarjes së bujshme. Në morinë e  shqipërimeve për krerët e kupolës komuniste, ato të mesazheve të liderit të Moskës për kolegët shqiptarë, kanë qenë të veçanta dhe tejet të vështira. Në një rrëfim për gazetën “Panorama” ish-funksionari i lartë të KQ të Partisë, pranon të zbulojë një pjesë të debateve të panjohura dhe të deklaratave provokuese të ish-udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik Nikida Hrushovi gjatë vizitës në vendin tonë në vitin 1959. “Mjaft syresh, shpjegon profesor Popa, i kam konsumuar për herë të parë me shkrimtarin e shquar Ismail Kadare gjatë kohës që përgatiste botimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”. Gjithsesi, rrëfimi i tij mbetet interesant për mjaft dëshmi e detaje që në atë periudhë historike në pragun e divorcit të madh konsumoheshin pas kuintave…
Zoti Agim! Ju keni qenë përkthyesi i Enver Hoxhës gjatë  bisedimeve me Hrushovin në Tiranë. Si u përzgjodhët për këtë detyrë të rëndësishme?
Kur jam thirrur për të bërë përkthimin e bisedimeve të Enverit me Hrushovin kur isha duke mbyllur studimet pasuniversitare në Moskë dhe punoja për shqipërimin e materialeve të muzeut “Lenin Stalin”, që ishte duke u hapur në Tiranë. Lajmërimi ishte zyrtar dhe kuptohet shkova menjëherë. Funksionarët e KQ më njohën me axhendën e vizitës së kreut të Kremlinit dhe pas disa porosive të rastit më thanë të filloja menjëherë nga puna. Nuk e di kush më rekomandoi dhe mbi çfarë motivesh u mbështetën që më përzgjodhën për këtë detyrë delikate. Ndoshta rezultatet e larta që kisha siguruar gjatë kualifikimit në Bashkimin Sovjetik, ishin bërë shtysa e kësaj përzgjedhje…
Kishit përkthyer më parë për Enver Hoxhën?
Unë asnjëherë nuk kam ushtruar detyrën e përkthyesit si profesion. Madje, Enver Hoxha nuk kishte përkthyes permanent. Kur e kërkonte nevoja, thirreshin për të shqipëruar specialistë të ndryshëm sipas gjuhëve përkatëse, pavarësisht vendit të tyre të punës. Në të gjitha rastet, bëhej kujdes i jashtëzakonshëm për të afruar jo vetëm profesionistë të aftë, por edhe njerëz të garantuar për nga besnikëria politike…
Çfarë mbani mënd nga çastet e para të përballjes me Hrushovin në Tiranë?
Ishin ditët e fundit të majit të vitit 59 kur Hrushovi mbërriti në vendin tonë. Në Rinas kishte dalë për ta pritur Enver Hoxha bashkë me disa nga udhëheqësit e lartë të Partisë. Unë ju bashkëngjita grupit të tyre qysh në çastet e para dhe nisa nga puna që në kontaktin e parë midis dy krerëve të delegacioneve të larta. Bashkë me kreun e Kremlinit ishte dhe ministri i Mbrojtjes i Bashkimit Sovjetik, marshalli Malinovski. Prej aty pastaj do të vazhdoja për të shqipëruar bisedimet e ndryshme me mysafirin nga Moska...
Flitet se mjaft nga mesazhet e atyre bisedimeve nuk u bënë të njohura për opinionin publik. Çfarë fshihej pas kësaj censure?
Padyshim që propaganda e Partisë së Punës nuk mund t’i zbardhte për publikun mesazhet e paqarta dhe opinionet e Hrushovit që binin ndesh me vijën e saj. Ishte pragu i divorcit historik me Moskën, ndërkohë që përplasja kishte nisur më herët. Në këto kushte, së paku, nga krerët e lartë pritej që udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik të konsumonte edhe çështje që nuk i vinin për shtat profilit të politikës së tyre. Dhe në fakt ato u shfaqën qysh në kontaktin e parë…
Mbani mënd çështjet për të cilat Hrushovi me Enverin ndanin mendime të ndryshme?
Përplasjet nuk ishin klasike, fol njëri e kundërshto tjetri, por të tërthorta. Në të gjitha rastet nismëtar I mendimeve të kundërta, I mesazheve befasuese, bëhej mysafiri nga Moska, I cili me ndërhyrjet e ndryshme e vinte shpesh herë në pozitë të vështirë Enverin…
Të vijmë te episodet që e gjetën të papërgatitur Enverin…
Episodi i parë u konsumua që në takimin e mirëseardhjes në Aeroportin e Rinasit. Hrushovi sa u takua me Enverin dhe pjesëtarët e tjerë të delegacionit, i porositi për mos ta përmendur fare emrin e Jugosllavisë dhe Titos gjatë vizitës së tyre në Shqipëri. Ndërkohë që për mua kjo ishte e papritur, nuk ishte e tillë për zyrtarët e tjerë, të cilët ishin njohur me të më herët se Hrushovi të mbërrinte në Tiranë. Kreu i Moskës i kishte paraprirë fluturimit për në Shqipëri me ultimatumin e prerë:
“Në qoftë se gjatë vizitës në Shqipëri, ndonjë nga udhëheqësit shqiptarë do të flasë kundër Jugosllavisë dhe Titos, ne menjëherë do ta ndërpresim gjithçka dhe do të kthehemi në Bashkimin Sovjetik(!)” Nuk diskutohej në atë situatë të guxonte dikush e mos t’i përmbahej kësaj porosie urdhëruese. Porosia në këtë rast shkoi nga kreu i kupolës deri te çdo zyrtar që ishte parashikuar për t’u takuar me drejtuesin e Bashkimit Sovjetik. U pranua pa kushte ky kompromis dhe deri te kontakti i fundit Hrushovi nuk e dëgjoi emrin e Titos dhe të Jugosllavisë. Nëse ky ishte episodi i parë, të tjerë, madje edhe më tronditës do të vazhdonin në ditët në vijim…
Thuhet se Hrushovi ka ironizuar për disa nga çështjet ekonomike të vendit…
Udhëtonim një ditë nga Tirana për në Durrës dhe Hrushovi i përqendruar në pamjen e plepave të shumtë anës rrugës, gjeti rastin dhe fare pa takt qortoi haptas për mbjelljen e tyre pa kriter. “Pse mbillni pemë të padobishme, shqiptoi ai me ton autoritar, kur në këtë hapësirë mund të kultivoni fare mirë qershi, fiq etj. Një rekomandim të tillë bëri edhe gjatë vizitës në Shtojë të Shkodrës. Pasi soditi fushën e mbjellë me hardhi dhe kodrat e zhveshura përqark, nuk vonoi duke tërhequr vëmendjen nga pozicioni i udhëheqësit të madh dhe specialistit të gjithanshëm: “Nuk ka arsye ta mbillni tokën bujqësore me hardhi, kur mund ta shfrytëzoni për misër. Hardhitë mbillini në kodrat djerra”. Të pranishmit bënë ç’është e mundur për t’i shpjeguar se fusha aty kishte një strukturë të tillë, ku veç pemëve nuk mund të kultivohej gjë tjetër. Po ai këmbëngulte në të tijën. Madje vuri  bast se misrit aty po t’i bëheshin shërbimet e duhura, arrinte   deri në dy metra. “Po të rritet misri këtu, u hodh aty për aty Mehemt Shehu, unë pres kokën me dorën time”. Sakaq, Hrushovi vuri buzën në gaz e duke i zgjatur dorën mbi supe Mehmetit, ja ktheu me shpoti: “Mos u nxito për të prerë kokën shoku Mehmet, se nuk të rritet më. Sa për kokën e misrit unë të garantoj se bëhet përsëri!”…
Diku është folur për shakanë e Hrushovit gjatë vizitës në Sarandë, ku rekomandoi për të mbjellë agrume në vend të grurit, pasi sipas tij aq miell sa na duhej e konsumonin minjtë në hangarët e Moskës…
Gjatë udhëtimit për në Butrint, Hrushovit i tërhoqi vëmendjen pamja e arave të mbjella me grurë dhe iu drejtuan Mehmet Shehut: “Nuk e keni menduar mirë. Kjo tokë e mrekullueshme mund të prodhojë agrume, portokaj e ullinj për të cilat tregu ka shumë nevojë” “Mirë, mirë, ia ktheu kryeministri, por mbi të gjitha ne kemi prioritet prodhimin e bukës në vend” “Buka, buka”, belbëzoi me nënqeshje mysafiri nga Moska. “Bukë do të thotë sovranitet! Grurë për bukë, pra…”, shtoi Mehmeti me një gjuhë patetike.
“Grurë ju japin ne sa të doni, ju mbillni agrume, sa më shumë agrume”, vazhdoi Hrushovi dhe me një xhest ironizues u kujtoi të pranishmëve se aq grurë sa i duhet Shqipërisë për një vit  konsumohet nga minjtë në hangarët e Moskës”. Këtu biseda ngeci për një çast dhe Mehmet Shehu, që nuk i pëlqeu reagimi i udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, preferoi të ndërrojë bisedë. Kur jam ulur e kam rrëfyer për Kadarenë këtë dialog, mbaj mënd që ai u befasua jashtë mase dhe këmbënguli për t’ia përshkruar imtësisht çdo pasazh të tij.
Si vlerësoheshin këto ndërhyrje të Hrushovit nga liderët e partisë dhe pse fshiheshin për opinionin e gjerë?
Fakti që Hrushovi do transmetonte mesazhe të papritura, dihej që më parë, sidomos nga krerët e lartë të KQ. Divergjencat midis dy partive tona edhe pse nuk ishin shpallur publikisht, ishin shfaqur më herët. Në këto kushte, funksionarët që bisedonin me Hrushovin duhej të raportonin rregullisht për çdo detaj të deklaratave të tij. Çdo mbrëmje, në Sekretariatin e KQ në një rreth të ngushtë diskutohej imtësisht për domethënien e tyre dhe për mënyrën si mund të reagohej për to. Karakteri fyes e provokues i mjaft mesazheve të Hrushovit, kushtëzonte censurën për konsumin publik. Kjo sidomos ishte pjesa më delikate e çështjes. Bindja ishte që ato në asnjë rrethanë mos të transmetoheshin. Si mund t’i thoshim popullit atëherë që ai na këshillon për të mos mbjellë grurë, pasi atë do na i sjellë Moska e Madhe. Çfarë shije mund të krijonte te njerëzit ironia e Hrushovit për sasinë e grurit që konsumojnë minjtë e Moskës. Apo pallavrat për problemet e mbrojtjes dhe ato të sigurisë që ishin përçmuese…
Çfarë keni parasysh me deklarata përçmuese për problemet e sigurisë?…
Pikërisht për ato ndërhyrje që vinin në diskutim jo thjesht sovranitetin, por edhe dinjitetin kombëtar. Për këto çështje Hrushovi kishte marrë me vete “kompetentin” ministrin e Mbrojtjes marshallin Malinovski, i cili ishte katapultuar në këtë detyrë menjëherë pas shkarkimit të Zhukovit. Marshalli që gjatë bisedimeve të ditëve të para bëri dëgjuesin, kur mbërritëm në Pashaliman dhe Butrint u gjallërua papritur. Befasia e parë do vinte prej tij në bazën e Vlorës. “Që këtej, thoshte triumfshëm Malinovski, Moska mund ta kontrollojë si në pëllëmbë të dorës krejt Mesdheun”. Ndërkaq, në të gjitha rastet ai nuk harronte të përmendte fjalët “nëndetëset tona”, “bazat tona”, “detashmentet tona të Mesdheut”. Ndërhyrjet e tij jo vetëm gjenin miratimin e Hrushovit, por herë pas here ishte ky i fundit që mundohej t’i argumentonte dhe më tej opsionet e marshallit…
A ndruhej nga prania e Enverit Hrushovi gjatë deklaratave të tilla?
Në përgjithësi Hrushovi mundohej të ishte i kujdesshëm gjatë komunikimit me Enverin, duke u përpjekur për të fshehur një lloj cinizmi e shpërfillje në sjelljen ndaj tij. Kur gjente rastin, nuk harronte të demonstronte edhe mjetin e presionit. Gjatë vizitës në Korçë, madje doli hapur kundër Enverit. “Keni një të keqe ju shqiptarët, u shpreh gjatë takimit me kuadrot atje, i lavdëroni njerëzit që i doni deri në marrëzi. Harroni që ata nuk janë të përjetshëm. Ja kishim ne Stalinin, bëri boll për Bashkimin Sovjetik, bile sa rrallëkush, por nuk do jetonte gjithmonë. Iku ai e erdhëm ne të tjerët. Jeta vazhdon normalisht. Pas nesh do vijnë të tjerë, më të rinj që do ta bëjnë punën edhe më mirë. E tillë është dialektika e jetës…” Mesazhi ishte i drejtpërdrejtë. Hrushovi fliste që ta dëgjonte Enveri. Ai duhej të bënte atë që i diktonte mysafiri nga Moska. Përndryshe do të s’postohej me forcën e tij…
vijon nesër

Dokumentari që zbuloi makthin e Enverit
Njerëzit që hodhën në celuloid vizitën e Hrushovit në Shqipëri, ishin të parët që konstatuan se gjërat nuk kishin shkuar kreshendo. Të paktën çfarë dallohej nga vështrimi i tyre në pamjet e bisedave të kreut të Kremlinit me miqtë shqiptarë, i bënte të besonin se kishte pasur fërkime e mosmarrëveshje. Agim Popa, njeriu që bëri përkthyesin gjatë këtyre bisedimeve, e ka dëgjuar nga afër këtë opinion të kineastëve sovjetikë. I ngarkuar me detyrën e konsulentit për filmin dokumentar që u përgatit në Moskë, i është dashur të dialogojë gjatë sidomos me regjisorin e tij. “Ishte një moment kur në studio montoheshin çastet e përcjelljes së Hrushovit nga Rinasi, kujton Popa dhe montazhieri kishte fiksuar me stop kamera pamjen e vrazhdë të Enverit, duke hequr dorën nga supet e Hrushovit. Shikoje, shikoje me vëmendje, më thoshte regjisori. Për një çast u përqendrova aty. Ishte vërtetë një pamje delikate. Prej aty Enveri dukej sikur thoshte “Më në fund shpëtova!” Për kineastët kjo ishte e qartë. Zbulimi i makthit të Enverit në çastet e përcjelljes me Hrushovin, do të shoqërohej më vonë me deshifrimin e mjaft të panjohurave nga vizita, që për ironi të fatit në dokumentar u cilësua si vizitë historike. Këmbëngulja e Enverit në besnikërinë ndaj Stalinit, solli çarjen e madhe

Gomulka në Moskë: Enveri foli si rrugaç

Enveri në mbrojtje të Stalinit! Menjëherë pas fjalës së përfaqësuesit të delegacionit shqiptar në mbledhjen e 81 partive në Moskë, është ndezur breshëria e goditjeve ndaj kreut të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Në ditarin e përkthyesit të Enverit në atë kuvend historik, kanë mbetur të regjistruara vetëm një pjesë e fyerjeve që antistalinistët i adresuan atij menjëherë pas denoncimit publik për devijim të idealeve komuniste. Po çfarë ka ruajtur tjetër në ditar nga ato momente përkthyesi Agim Popa…
4 nëntor 1960
Mbërritëm në Moskë për të marrë pjesë në mbledhjen e 81 partive. Delegacioni zyrtar kryesohet nga shoku Enver Hoxha dhe në të marrin pjesë shokët Mehmet Shehu, Hysni Kapo e Ramiz Alia. 
Në pjesën e këshilltarëve e përkthyesve bëjnë pjesë Foto Çami, Frederik Gjerazi, Mufit Mushi e Haxhi Kroi. Janë ndërkohë edhe zyrtarët e sigurisë.
7 nëntor 1960
Delegacioni i Partisë tonë mori pjesë në festimet madhështore me rastin e ditës së revolucionit. Ishin aty edhe studentët shqiptarë, që ndodhen me studime në Bashkim Sovjetik. Ishin ceremoni madhështore.
13 nëntor 1960
Në sallën Gjovgjeskaja ku bëhet mbledhja e 81 partive i jepet fjala përfaqësuesit të Partisë Komuniste kineze. Ten Sia Pini flet gjatë dhe shkakton debate në sallë. Menjëherë pas tij flasin krerët e partive që mbështesin Hrushovin dhe Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Presim me padurim si do pritet fjala e shokut Enver…
 16 nëntor 1960
Flet shoku Enver. Fjala e tij qysh në fillim irriton sallën që  humbet qetësinë. Unë isha në kabinën e përkthimit në fund të sallës, bashkë me Frederik Gjerazin dhe bëmë përkthimin e fjalës së shokut Enver, duke e lexuar në rusisht. Që aty ndiqnim reagimin e sallës, sidomos lëvizjet ironike të Hrushovit.
17 nëntor 1960
Vazhdon diskutimi që kundërshton fjalën e shokut Enver. Tensioni rritet. Dolores Ibarruri e Partisë komuniste spanjolle është e papërmbajtur në epitetet e saj ironizuese. Vladaslov Gomulka i PK të Polonisë, e cilëson fjalimin e shokut Enver një fjalim rrugaçësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›