Ndërkombëtarët të shqetësuar për zgjedhjet dhe shpalljen e rezultatit
Institucionet ndërkombëtare dhe përfaqësuesit diplomatikë të Perëndimit në Tiranë nuk kanë qenë kurrë ndonjëherë më shumë të shqetësuar për procesin e votimeve dhe shpalljen e rezultateve zyrtare të zgjedhjeve. Kjo u duk që në fillim me praninë e madhe të vëzhguesve të huaj që ndoqën nga afër procesin. Më shumë se 550 monitorues, që bënin pjesë në misionet afatshkurtër dhe afatgjatë u shpërndanë që një ditë para zgjedhjeve në të gjithë vendin dhe qëndruan në komisionet e numërimit nëpër rrethe deri në përfundimin e procesit. Ambasadorët e OSBE-së dhe të SHBA-ve ditën e zgjedhjeve dolën publikisht bashkë me presidentin e Republikës, dhe bën thirrje për pjesëmarrje në votime dhe për zhvillimin e procesit në mënyrë të qetë dhe të ndershme. Përkujdesja ndërkombëtare u duk edhe në ditët në vijim pas 28 qershorit. Sidomos gjatë periudhës që nisi bllokimi i komisioneve në numërimit të votave në rrethe. Ata shërbyen për uljen e tensioneve dhe iu bën thirrje palëve që të presin rezultatet paraprake. Zyrtarë të OSBE-së, por edhe ambasadorë të vendeve perëndimore, ofruan mbështetje për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe, më pas, për Kolegjin Zgjedhor. Sapo nisi procesi i ankimimeve, Presidenca suedeze e BE-së, shefi i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, zoti Helmut Lohan, dhe ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Republikës Federale të Gjermanisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës takuan anëtarët e Kolegjit për të sinjalizuar mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe interesin për një proces elektoral të besueshëm. “Duke pasur parasysh ndërhyrjet që u vunë re në procesin e numërimit të votave nga partitë politike dhe presione ndaj administratës zgjedhore, përfaqësuesit diplomatike theksuan rëndësinë e rolit të Kolegjit Zgjedhor dhe të një procesi gjyqësor të pavarur”, - thuhet në deklaratën zyrtare të bërë nga ambasadorët e huaj pas përfundimit të takimit që u zhvillua më 21 korrik vetëm pak ditë para nisjes së apelimeve nga subjektet politike.
3 Gusht 2009