Berisha: Zgjedhjet kushtuan 40 milionë euro, por na mundësuan vizat
Kryeministri Berisha për pesë seancat e fundit parlamentare kërkon konsensusin e opozitës për ligjet që kërkojnë 3/5 e votave. Gjykata administrative, imuniteti dhe Kodi Zgjedhor janë lënë në dorë të opozitës, me kusht që ajo të ofrojë votat e saj për miratimin e ligjeve. "Në të gjitha reformat, kontributi i opozitës është i domosdoshëm. Për të gjitha ligjet që kërkojnë tre të pestat, opozita do të ketë të drejtën të bëjë çdo amendament që është brenda standardeve dhe mazhoranca do t'i pranojë ato, qoftë për Gjykatën Administrative, Kodin Elektoral apo imunitetin", u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë në grupin parlamentar të PD-së komentoi zgjedhjet e një viti më parë si më të ndershmet dhe theksoi se në kompleks ato kushtuan 40 milionë euro. “Ishin këto zgjedhje që bënë të mundur që në datën 14 maj Këshilli i Komisionit të BE-së të njoftojë shqiptarët dhe Europën se e kanë propozuar Shqipërinë për heqjen e vizave për në hapësirën e BE-së. Ishin këto zgjedhje, të cilat bënë të mundur që në mesin e javës që kaloi, Parlamenti Europian, komisioni i tij kryesor, Komisioni i Jashtëm, të votojë me unanimitet të paparë mbështetjen për heqjen e vizave për Shqipërinë”, tha Berisha. Sipas tij, bashkëpunimi nuk është gjë tjetër veçse respektim i sovranitetit të opozitës dhe rolit të saj në Parlament. “është në interesin më të mirë të vendit që tradita e bashkëpunimit në Parlamentin shqiptar të vijojë edhe më tej”, u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë shtoi se garanton opozitën të konkretizojënë ligj dhe vendime të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR. “E ftoj opozitën të japë kontributin e saj në të gjitha reformat. Kontributi i saj është i domosdoshëm. Duhet të qartësoj para shqiptarëve se për të gjitha ligjet të cilat kërkojnë 3/5, opozita do të ketë të drejtën e plotë të bëjë çdo amendament që është brenda standardeve dhe
mazhoranca do t’i pranojë ato”, tha Berisha.
Një vit pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, Kryeministri Berisha vlerëson se ky proces elektoral ishte më i miri që Shqipëria ka zhvilluar ndonjëherë. Ai tha se ishin këto zgjedhje që përcaktuan vendimet e mëdha për këtë komb gjatë një viti. “Me gjithë zhurmën që u bë për këtë proces, pa karakterin e lirë dhe të ndershëm, pa dëshminë e arbitrit ndërkombëtar se s'pati ndonjë manipulim të rezultateve, nuk do të kishim këto rezultate”, tha Kryeministri, duke përmendur mbështetjen e Brukselit për anëtarësimin e vendit në BE, çështjen e statusit kandidat dhe procesin e liberalizimit të vizave.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar, Kryeministri Berisha u ndal te ceremonitë festive që do të behën për 20-vjetorin e shembjes së murit të Berlinit në Shqipëri, ku në datën 1 korrik do të ketë një miting festiv dhe më 2 korrik një ekspozitë për të kujtuar zhvillimet e 20 viteve më parë.
Një fragment të rëndësishëm të fjalës së tij, Kryeministri i kushtoi edhe kampionatit botëror të futbollit. “Ajo që bëri arbitri në ndeshjen Gjermani-Angli ishte një marrëzi, sepse ai ishte një gol i qartë dhe i sigurt, por nuk mund të them se Gjermania nuk demonstroi një shkallë të lartë. Pra mund t’u them se m’u prish axhenda. Kisha ndërmend të shikoja vetëm ndeshjet e fundit, tani po pres të shoh atë më 3 korrik, që është pothuajse finalja, Argjentina dhe Gjermania”, tha Berisha. Kryeministri Berisha nuk njihet për tifoz i skuadrave të futbollit, por duket se ky botëror e ka detyruar kreun e qeverisë të ndryshojë shije. Në fund të mbledhjes, Kryeministri Berisha ka thënë edhe paragrafin që ka kënaqur deputetët e PD-së, duke ftuar të gjithë politikën të ndjekë kampionatin botëror të futbollit.
#