Moikom Zeqo: Një vëllim për apokalipsin
Apokalipsi, një çështje e trajtuar gjerësisht në letërsinë botërore e më tej në gjinitë e tjera të artit, është thelbi i përsiatjeve në vëllimin më të ri me tregime të Moikom Zeqos. I titulluar “Shitësit e kaosit”, është i treti vëllim i një korpusi që shkrimtari beson ta çojë në pesë. “Për mua, fokusi i përsiatjeve ka qenë fakti nëse është njeriu i aftë të përballojë apokalipsin, apo në mënyrë fatale dhe mekanike apokalipsi do të gllabërojë njeriun? Unë mendoj se ka mundësi për ripërtëritje”, cilëson Zeqo, i cili i është kushtuar këto kohë tërësisht prozës së shkurtër.
“Shitësit e kaosit” është vëllimi i tretë me tregime. Cila është linja që e udhëheq këtë përmbledhje?
Pasi bëra institucionalizimin e poezisë në 6 vëllime, “Miscellanea”, kam vendosur të bëj institucionalizimin e prozës së shkurtër. Deri tani kam botuar “Gjumashët e Efesit”, “Adami i fshehur” dhe sapo ka dalë nga shtypi “Shitësit e kaosit”. Ky vëllim trajton çështjet ekzistenciale në epokën globale. Merret me një arketip që e ka gjithë letërsia botërore e së fundmi filmat hollivudianë: Apokalipsi. Kjo çështje disa herë është ngatërruar thjeshtësisht në atë që quhet mbarimi i botës, ose në çështjen e degradimit të njeriut, apo atë që quhet apokalips ekologjik. Për mua, fokusi i përsiatjeve ka qenë fakti nëse është njeriu i aftë të përballojë apokalipsin, apo në mënyrë fatale dhe mekanike apokalipsi do të gllabërojë njeriun. “Shitësit e kaosit” e merr titullin nga një tregim i gjatë që ka të kondensuar lëndën e një romani: kaosi i kohës së sotme është i pakontrolluar apo ka forca për të lindur një humanizëm të ri. Kësaj pyetjeje jam munduar t’i përgjigjem duke menduar se apokalipsi është dialektik i kontradiktave të llahtarshme, por që mund të ripërtërihen.
Pse interesimi për këtë temë?
Ideja ka lindur nga një personazh real, një shitës cigaresh, dikur profesor i fizikës bërthamore. Për shkak të pensionit të vogël kishte dalë të shiste cigare, fenomen i njohur për shumë intelektualë në Shqipëri. Kur bleva cigare, më tha që unë shes kaos. Në të vërtetë kjo është pjesa thelbësore e ekonomisë, kështu janë marrëdhëniet me artin, revolucioni seksual, mungesa e limiteve, kaosi është çështje e letërsisë, e ideologjive dhe doktrinave. Libri im është kriticist nga pikëpamja iluministe. Vëllimi përmbledh një numër tregimesh të shkurtra që e shtjellojnë apokalipsin si domethënie universale. Kam bërë një disekuilibër mes zhanrit të tregimit dhe romanit, por tashmë konceptualiteti i prozës ka ndryshuar dhe mjetet shprehëse të prozës moderne janë të pafundme.
Do të vazhdojë me të tjera vëllime ky korpus?
Kam përfunduar një libër të cilin e kam titulluar “Libri i sinopseve”, që është gati për botim dhe kam në duar një tjetër vëllim me tregime që quhet “Sinaksarët e Bizantit”. U referohet jetëshkrimeve të shenjtorëve, sepse mendoj që Bizanti gjatë shumë shekujve ka krijuar disa trauma, por edhe histori qoftë të vërteta, qoftë virtuale me realitetin shqiptar. Shkrimtarët shqiptarë nuk e kanë trajtuar më parë, por ata ballkanikë kanë tentuar të bëjnë zhbirilime në këtë pikë. Mendoj se ky korpus mund të shkojë deri në 5 vëllime. është preokupimi im kryesor këto kohë.
Sa e pranueshme është proza e shkurtër e këtij lloji për lexuesin?
Unë mendoj që letërsia e madhe ka deri diku një karakter elitar. Nganjëherë mund të mos e ketë lexuesin e saj në moment, por shkrimtari nuk duhet të niset nga suksesi i ditës. Suksesi dhe buja e ditës është vdekje për shkrimtarin e vërtetë. Mendoj se sot te ne nuk shkruhet më letërsi shqipe, por letërsi botërore në gjuhën shqipe, sepse të gjitha letërsitë kombëtare janë pjesë e domosdoshme e letërsisë botërore. Kjo shpjegon një karakter të vijueshëm dhe provincial të letërsisë shqipe. Tendenca drejt një letërsie botërore mund të rezultojë edhe disfatiste, por synimi për ta bërë është i kuptueshëm. Letërsia jonë duhet të ketë sfidën e letërsisë botërore.
#