E Diel, 1 Nëntor 2026

Supermashtruesi në prokurori: Më kanë falsifikuar firmën

Indrit Aliu merret në pyetje dhe i komunikohet mbyllja e hetimeve. Prokuroria bën gati dosjen në gjykatë

Prokuroria e Tiranës është duke mbyllur hetimet ndaj Indrit Aliut, i konsideruar nga prokuroria si “supermashtrues” për të paktën nëntë raste mashtrimi me pasoja të rënda, me një dëm prej rreth 4 milionë eurosh. Një grup hetimor i Prokurorisë së Tiranës ka vizituar dje në qeli Aliun, i cili ka mohuar në mënyrë kategorike të gjitha mashtrimet, duke ngritur një alibi sipas së cilës “më kanë falsifikuar firmën”. Edhe gjatë marrjes në pyetje Aliu është treguar dinak, duke dashur të heqë nga vetja çdo përgjegjësi ligjore për të cilën është arrestuar në shtetin grek, ndërsa ka deklaruar se ka qenë një biznesmen i suksesshëm në disa fusha. Ai ka deklaruar se firma e tij ka fituar disa tenderë për ndërtime rrugësh, si dhe ka bërë bamirësi, ndërsa ka deklaruar se firma që zotëronte i kishte të gjitha kapacitetet për të vazhduar aktivitetin e saj të ligjshëm.

Mësohet se grupi i hetimit po kryen veprimet e fundit hetimore të dosjes së hapur më 19 mars 2009, pas gjashtë denoncimeve të bëra në prokurori që akuzonin Indrit Aliun për mashtrim me pasoja të rënda në rreth 3 milionë euro. Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, i kërkuari do të dërgohet në gjyq. Në përfundim të hetimeve, prokuroria pohon se ka provuar nëntë raste të vjedhjes me anë të mashtrimit nga shtetasi Indrit Aliu, 25 vjeç. Ai u largua jashtë Shqipërisë pak ditë pas denoncimeve të para të mbërritura ndaj tij në Prokurorinë e Tiranës. Të dëmtuarit kanë qenë kryesisht biznesmenë, të cilëve Indrit Aliu akuzohet se u ka marrë shuma të mëdha financiare dhe materiale me anë të mashtrimit në kontratat e nënshkruara. Duke u hequr si një biznesmen i fuqishëm, pronar i kompanisë “Dejs & Partners Consulting”, Aliu ka nënshkruar kontrata me sipërmarrës dhe kompani të tjera, duke përvetësuar paratë e më pas duke u zhdukur pa gjurmë. Mashtrimi i parë është kryer në dëm të shtetasit B.N, drejtues teknik i një firme. Në datën 21.01.2009, midis Aliut dhe të dëmtuarit u nënshkrua një kontratë 7 milionë euro. Indrit Aliu ka kërkuar sigurimin e kontratës në vlerën 3% të saj, pra në shumën 210.000 euro dhe më pas është zhdukur, pasi ka marrë paratë më 22 janar 2009. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në tetë raste të tjera, kur Aliu ka përfituar shuma deri në 500 mijë euro nga të paktën pesë kompani dhe tre individë, duke arritur t’i mashtrojë në të njëjtën skemë dhe më pas të zhduket. Pas denoncimeve ai u “zhduk” nga Shqipëria në rrugë tokësore, ndërsa u arrestua në shtetin grek dhe më pas u ekstradua për llogari të drejtësisë shqiptare.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›