Olldashi kallëzim për Dakon: Po rrezikon jetën e banorëve
Ministri i Punëve Publike ka zbuluar dje, sipas tij, një tjetër skandal me ndërtimet. Këtë radhë bëhet fjalë për ndërtimin e një pallati në qytetin e Durrësit. Olldashi ka treguar dje se në një pallat, 12 katesh, po kryet një shtesë prej 9 katesh. Ministri njoftoi se “Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit, ka depozituar në Prokurorinë e Rrethit Durrës, një kallëzim penal në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Objekt i kallëzimit është lejimi nga Bashkia e Durrësit, të ndërtimit të një shtese 9 kate, mbi një pallat me leje ndërtimi. Sipas ministrit, pallati ndodhet në kryqëzimin e dy rrugëve kryesore të këtij qyteti, atë të Bulevardit kryesor ose rrugës Tregtare dhe rrugës “Skëndërbej”.
“Pallati sot ka mbërritur në 21-kate, ndërkohë që leja fillestare e dhënë në vitin 2001, nga ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Z. Miri Hoti, ka qenë fillimisht për 12-kate, më pas me një shtesë mbi lejen në vitin 2003 janë akorduar dhe 2-kate të tjerë, pra nga 12-kate ka vajtur 14-kate. Ndërkohë, ndërtuesi ka shtuar mbi 12-katet tashmë të shitura dhe ku banojnë qytetarë me familje, ka shtuar 7-kate”. Ministri ka argumentuar se Bashkia e Durrësit ka marrë një vendim prishje, por ky vendim prishje nuk po ekzekutohet. Por pjesa më e rëndë e akuzave të ministrit, është rrezikshmëria e ndërtimit. Sipas tij, shtesa prej 9 kate mbi pallatin, kur katet e tjera janë të banueshme, mund të krijojë rrezik për banorët. Kjo akuzë është bërë pjesë e dosjes së dorëzuar në prokurori. “Në analizën e ekspertëve të Inspektoratit Kombëtar Urbanistik ky pallat është me një rrezikshmëri shumë të lartë për jetën e banorëve që janë brenda tij. Prandaj do t’i kërkoja kryetarit të Bashkisë së Durrësit që të ndërhyjë menjëherë, duke qenë autoriteti i vetëm kompetent për të prishur këtë shtesë mbi këtë pallat, për realizimin e prishjes dhe për më tëpër të ndërhyje urgjentisht për evakuimin e banorëve që janë ditë-natë në mënyrë të pandërprerë në rrezik permanent”.
PD: Rama leje abuzive për Leskajn
Deputeti i PD-së, Florjon Mima, denoncoi dje një shkelje të Bashkisë së Tiranës për dhënien e një leje ndërtimi në kryeqytet. “Bëhet fjalë pranë zonës së Ali Demit, për kuadratin S -15 i cili në mars të vitit 2005 figuron i destinuar për ndërtimin e objekteve para shkollore, kopshte dhe çerdhe. Në atë bllok ndodhen dy blloqe të mëdha banimi, të dhëna për firmën “Matriks’ SH.P.K në pronësi të shtetasit Leskaj”, tha Mima. “Shkelja e dytë që kemi denoncuar ka të bëjë me spostimin e lumit të Lanës dhe afrimin e tij në një distancë prej më shumë se 300 metrash, me arsyen e vetme që rruga e cila shoqëron Lanën që do të jetë rrugë kryesore, njësoj si Bulevardi “Zhan D’ark”, të afrohet në derë të këtij objekti”, theksoi më tej deputeti demokrat. Ai u shpreh se selia blu do të denoncojë të gjitha shkeljet që janë bërë lidhur me dhënien e lejeve të ndërtimit në Tiranë, teksa shtoi se për të gjitha këto shkelje do të jetë përgjegjëse vetë Bashkia e Tiranës.