Shqipëria blen “karbon” nga vendet e zhvilluara
Shqipëria merr pjesë këtë vit në konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë për ndryshimet klimaterike, në Kopenhagën. Vendi ynë ka ratifikuar Konventën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike dhe Protokollin e Kyotos për reduktimin e gazrave me efekt serrë në atmosferë. Sipas një kronike të Deutsche Welle,sasia e emetimit të këtyre gazrave si pasojë e aktivitetit ekonomik nga një vend i vogël dhe në zhvillim si Shqipëria, është e pakët, rreth 7,6 milionë tonë në vit ose 2,4 tonë për frymë, shifra këto rreth pesë herë më të ulëta nga ato të vendeve të zhvilluara. Nga ana tjetër rreth 95 për qind e energjisë elektrike në Shqipëri prodhohet nga burimet hidrike gjë, që nuk sjell ndotjen e atmosferës. Kjo situatë i jep mundësi Shqipërisë të blejë kuotat të reduktimit të gazit karbonik, nga vendet e zhvilluara, kuota të caktuara si detyrime, që rrjedhin nga pjesëmarrja e tyre në Protokollin e Kyotos. Në këmbim të blerjes së këtyre kuotave, Shqipëria merr financime projektesh të zhvillimit të qëndrueshëm, që mbrojnë mjedisin. Saimir Hoxha, drejtor në Drejtorinë e Ruajtjes së Mjedisit, në Ministrinë e Mjedisit thotë se Shqipëria ka blerë kuota të reduktimit të emetimit të gazrave me efektin serrë nga Danimarka dhe Italia dhe është e hapur për të negociuar edhe me vende të tjera të BE. Ai thotë se janë përcaktuar edhe sektorët, ku do të financohen projekte të zhvillimit të pastër. “Është identifikuar sektori i energjisë, i industrisë, i energjisë së rinovueshme, që janë sektori hidro, energjia diellore dhe ajo e erës që zënë rreth 50 për qind të potencialeve të reduktimit të karbonit dhe 50 për qind të potencialeve për t`u financuar nga vendet apo donatorët e ndryshëm, për reduktimin e gazeve serrë dhe llogaritjen e tyre në vendet ku ata janë. “Pjesëmarrja në tregun e karbonit bën që Shqipëria të ketë rol aktiv në përpjekjet globale për reduktimin e gazit karbonik në atmosferë, në çatinë e përbashkët për gjithë botën. Lidhur me pozicionimin e saj në Konferencën Ndërkombëtare të Kopenhagës Saimir Hoxha thotë: “Pozicioni i Shqipërisë është që ajo do të marrë të gjitha përgjegjësitë si një vend që aspiron të bëhet anëtar i BE. Kjo do të thotë se do të nxiten investimet e pastra, projektet që nuk emetojnë dioksid karboni dhe do të vazhdojë aplikimi për projekte ku vendet e tjera mund të investojnë në Shqipëri, për llogari të kuotave të tyre të reduktimit”. Por Xhemal Mato, drejtor ekzekutiv i rrjetit Eko–Lëvizja, ku bëjnë pjesë 36 Shoqata jo qeveritare ambientaliste, mendon se politikat e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë nuk mbrojnë atmosferën. Përkundrazi e ndotin atë me gaz karbonik. Si shembull ai sjell ndërtimin vitet e fundit të 6 fabrikave të çimentos. “Prioritet i jepet jo zhvillimit të qëndrueshëm, por zhvillimit të shpejtë dhe fitimeve të shpejta. Kjo politikë nuk është mjedisore duke u ballafaquar me detyrimet që rrjedhin nga Protokolli i Kyotos. Shqipëria po shton gazin karbonik. Një pjesë e madhe e një pylli, p.sh., i jepet fabrikës së çimentos, në vend që të vlerësohet pylli dhe të shtohet sipërfaqja e tij”, thotë Xhemal Mato.