E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, akuza këshilltarëve bashkiakë: Abuzuan me fondet

Qeveria hedh akuza mbi këshilltarët e bashkive dhe komunave se kanë abuzuar me ndihmën sociale. Kryeministri Sali Berisha dhe dy ministrat Ridvan Bode dhe Spiro Ksera veçuan faktin se janë evidentuar raste ku këshilltarët janë futur në ndihmë ekonomike duke e ndarë atë mes tyre. Shefi i qeverisë e

cilësoi këtë dukuri të papranueshme duke theksuar se "kjo dhe të tjera raste abuzimi, sjellin nevojën e kontrollit më të madh të skemës dhe bashkëpunimit të nëpunësve të ministrisë dhe komunitetit në këtë drejtim". Kryeministri theksoi se ndihma ekonomike duhet të përfshijë të gjitha detyrimet që familjeve në nevojë u lindin me shtetin dhe të cilave nuk kanë mundësinë t‘u përgjigjen, si shkollimi, librat, bursat për fëmijët, energjia dhe të gjitha aspektet e tjera të jetesës së tyre që nuk përballohen dot prej familjeve në nevojë dhe se nuk duhet të ketë më asnjë pengesë ekonomike për familjet e varfra për të shkolluar fëmijët e tyre. Në mbledhjen për ndihmën ekonomike dhe shërbimet shoqërore u ra dakord të ngrihet grupi i punës, i cili do të merret me reformimin e thellë të nevojshëm të sistemit të ndihmës ekonomike. Ky grup do të evidentojë dhe shmangë përfitimet e padrejta dhe do të marrë përsipër për të vendosur brenda kësaj kategorie edhe personat me aftësi të kufizuara. Kryeministri Berisha u shpreh se "janë shumë familje në zonat rurale, të cilat nuk sigurojnë dot bukën çfarëdo që të bëjnë dhe që nuk kanë kushte që të prodhojnë produkte të tjera apo të blejnë bukën, ndaj duhet t‘u sigurohet atyre gruri mbi bazën e kritereve të caktuara".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›