E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgaj: Mos vini gjoba pa prezencën e shoferëve

Asnjë punonjës policie nuk do të mund që të vendosë gjobë mbi xhamin e makinës, pa qenë prezent në të drejtuesi i saj. Ky është urdhri i ri i drejtorit të sapoemëruar të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Burime nga policia bënë të ditur se drejtori i përgjithshëm i policisë ka mbledhur në një takim ditën e premte të gjithë drejtuesit dhe shefat e policisë rrugore në të 12 qarqet e vendit, të cilët kanë raportuar për punën e tyre. Takimi, i cili u zhvillua në ambientet e Policisë së Shtetit, ka pasur si qëllim përmirësimin e punës së policisë rrugore në të gjithë vendin. Të njëjtat burime bënë të ditur se kreu i Policisë së Shtetit i ka urdhëruar vartësit e tij që të marrin masa për aksidentet rrugore, si dhe të mos abuzojnë me detyrën. Por thelbi i kësaj mbledhjeje është urdhri i ri i drejtorit të Policisë së Shtetit, ku çdo punonjës i policisë rrugore nuk duhet të vendosë gjobë në xhamin e makinës pa qenë prezent drejtuesi i automjetit. Ndër të tjera, sipas burimeve, Burgaj ka pohuar se do të merren masa ndaj të gjithë punonjësve të policisë që do të tolerojnë drejtuesit e makinave të futen në rrugë me semafor të kuq. Sipas të dhënave, këto vendime kanë ardhur pas një diskutimi të gjatë të bërë nga specialistët e sigurisë rrugore. Prej rreth një muaji, ata kanë diskutuar mbi këto probleme, pasi ka pasur shumë ankesa nga drejtues mjetesh. Madje, në ankesat e tyre, ata shpjegonin se gjobat u janë vënë pa dijeni dhe vetëm kur janë ndaluar rastësisht në rrugë, kanë kuptuar se kanë gjoba pa paguar. Ankesat e tyre shkonin edhe më tej me justifikimin se kështu mund të marrin gjoba afrofe, duke mos qenë në një vend të caktuar. Në disa raste, drejtuesit e mjeteve kanë deklaruar se në data të caktuara kanë qenë në një qytet tjetër dhe gjobën e kanë marrë në qytetin ku jetojnë. Kjo ka sjellë dyshime për abuzime me gjobat ndaj tyre. Megjithatë, duket se ky problem ka marrë fund, pasi gjobat mund të vendosen, vetëm kur drejtuesi i mjetit të jetë prezent. Gjithashtu, në takimin e drejtorit të përgjithshëm me policinë rrugore janë diskutuar edhe masat e marra për parandalimin e aksidenteve rrugore.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›