E Diel, 1 Nëntor 2026

Poni: është përçapje halucinative

Planifikimi i buxhetit për pushtetin vendor përshkallëzon tensionet mes demokratëve dhe socialistëve. Zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, i ka cilësuar halucinacione pretendimet e deputetit të PS-së, Eduart Shalsi, dhe paralajmërimet e kryebashkiakëve socialistë për grevë urie.

"Janë përçapje halucinative dhe shumë të rrezikshme për t‘u artikuluar nga kryebashkiakët socialistë. Dëmton gjuhën institucionale dhe nuk ofron zgjidhje", tha zv.ministri Ferdinand Poni. Ndryshimi i balancave numerike në këshillat bashkiakë si pasojë e formimit të koalicionit të ri PD-LSI, i ka detyruar kryebashkiakët socialistë të ngrenë zërin për një sërë kërkesash. Demokratët kërkojnë uljen e toneve dhe qetësimin e ujërave, si në rastin e zv.ministrit Poni, i cili i komenton deklaratat e ish- nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe deputetit të PS-së, Eduart Shalsin, si të pamenduara që dëmtojnë gjuhën institucionale. Socialistët nga ana tjetër shprehin shqetësim për cenimin e pavarësisë së pushtetit vendor për ndërhyrjet në planifikimet e buxhetit dhe selektimin e ndarjes së grandeve konkurruese. Qëndrimi i bashkive që drejtohen nga socialistët është edhe pro bllokimit të shërbimeve, për të cilën deri tani kanë shprehur gatishmërinë kryebashkiakët e qyteteve të mëdha siç janë Durrësi dhe Vlora. Dy ditë pasi deputeti socialist, Eduart Shalsi, paralajmëroi grevën e bashkive socialiste për shkak të cenimit të autonomisë lokale, demokratët kundërpërgjigjen duke i cilësuar si përçapje halucinative për të dëmtuar gjuhën institucionale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›