E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha akuzon Ramën se alternativa e vetme e tij është mbrojtja e dosjeve

Kryeministri i bën thirrje Ramës: Dorëzo Planin Urbanistik të kryeqytetit!  
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha i ka bërë thirrje kreut të Bashkisë, Edi Rama që të dorëzojë Planin e Përgjithshëm Urbanistik të kryeqytetit. Kryeministri Berisha ka zgjedhur Shkodrën për të sulmuar ashpër rivalin e tij kryesor politik, Edi Rama. Sipas kreut të qeverisë, Rama po mban peng planin, pasi nuk do që qytetarët e Tiranës të zhvillojnë qytetin e tyre në përputhje me një plan të miratuar, por do ta përdorë llokma për kompanitë e tij të mediave dhe kompani të tjera me të cilat ndan fitimin. Edhe njëherë nga Shkodra i kërkoj në mënyrë të prerë të dorëzojë Planin e Përgjithshëm Urbanistik të kryeqytetit. Plani urbanistik nuk është pronë as plaçkë e tij, por është pronë e qytetarëve të Tiranës dhe e mbarë shqiptarëve që kanë në Tiranë kryeqendrën e vendit, vlerësoi Kryeministri. Sipas tij, Shkodrën dhe Ramën i ndajnë shekuj dhe mijëvjeçarë të sakrificave të këtij qyteti për liri dhe dinjitet njerëzor, i ndan e vërteta dhe mashtrimi. Kryetari i Bashkisë së Shkodrës pasi ka vendosur këtu standarde 18 herë më të përshtatshme për biznesin se sa kryetari i Bashkisë së Tiranës po bën restaurimin e vërtetë të qytetit po i rikthen Shkodrës vlerat e saj bashkë me arkitektët, me punëtorët, të cilët unë i përgëzoj. Nga ana tjetër nuk mund të mos rri pa denoncuar qëndrimin që mban zoti Rama ndaj Planit Rregullues të qytetit të Tiranës, u shpreh Kryeministri. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë ka akuzuar kreun e Bashkisë, Rama se alternativa e këtij të fundit është mbrojtja e dosjeve. Alternativa jonë, është alternativë e konsolidimit të vlerave, e ndërtimit të rrugëve, urave, shkollave, universiteteve ndërsa alternativa e Ramës është mbrojtja e dosjeve, theksoi Berisha në inaugurimin e rrugës "Kolë Idromeno" në qytetin e Shkodrës, qytet i cili sipas tij ka rendur pas të vërtetave të mëdha të njeriut dhe qytetërimit, ndërsa Rama pas mashtrimeve, trillimeve, shpifjeve të panumërta, skandaleve që i krijon nga njëri tek tjetri për të fshehur arkivat e tmerrshme të krimit. Në fillim kryeministri është ndalur në investimin e rikuperimit të vlerave të Piacës e quajtur tashmë Pedonalja dhe që është vendosur të marrë emrin Kol Idromeno si një nga ideatorët e modelit Venecian të veçantë në Shqipëri. Berisha i shoqëruar nga Topalli dhe Kreu i Bashkisë Lorenc Luka, kanë takuar qytetarë të Shkodrës në rrugën e re dhe të bukur pedonale dhe kanë ndalur në Bankën e re Italiane për Zhvillim për të cilën Berisha ka deklaruar se ka si mision kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me një shumë fillestare rreth 25 milion euro. Berisha pastaj ka inauguruar rrugën Jeronim De Rada dhe Trumën e Dugajve të Reja. Kryeministri Sali Berisha është ndalur në qytetin e Shkodrës në turin e tij Shqipëria po ndryshon, ku ka inauguruar përfundimin e disa veprave publike kryesisht në infrastrukturën rrugore.
Berisha: Rama vendosi censurën për ish kryetarin e tij
Në auditorin me studentë të universitetit të Shkodrës, Kryeministri Berisha ka sulmuar ashpër kryetarin e PS-së Edi Rama për vendosjen e censurës për ish- kryetarin e PS- së, Fatos Nano. Sipas tij, Edi Rama kontrollon disa media, të cilat nuk kanë shfaqur këtë informacion. Kujtoni disa edicione të lajmeve, ku ish- kryetari i Ramës për 15- të vite ka dalë dhe ka bërë një deklaratë, por tre nga mediat që Rama kontrollon me anën e lejeve të ndërtimit dhe të shesheve të ndërtimit, por dhe lista deputetësh, nuk guxuan të transmetojnë qoftë edhe një fjalë të vetme, paçka se e dinë se ky vend ka 60- të televizione, është shprehur Berisha, ku ka theksuar se nuk mund të vendoset kurrë censura në këtë vend me mendimin se shikoni sa primitiv, dhe imagjinoni sikur ai të ketë pesë apo dhjetë televizione në dorë dhe që të gjitha do ti vendosë në censurë, për të përdhosur kulturën tonë të lirisë dhe vlerave të saj. Nano në prononcimin e tij ka thënë se do të qëndroj jashtë kësaj politike që është e pa kuptimtë, jo vetëm për shqiptarët por edhe për të majtët dhe natyrisht e kishte fjalën për politikën e PS-së dhe të kryetarit të saj Edi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›