Meta në Gërdec: Bashkimi konsensual i opozitës me Qeverinë neglizhoi komisionin hetimor
Lideri i LSI, Ilir Meta, i shoqëruar dhe nga Nënkryetarja e LSI, Filloreta Kodra dhe të tjerë drejtues të LSI, bënë dje një vizitë në Gërdec, ku para një viti humbën jetën 26 viktima nga shpërthimi tragjik. Fillimisht Meta u ndal në familjen Leti, ku kjo familje në tragjedinë e 15 marsit të vitit të kaluar humbi vajzën 19 vjeçare, Zilie Leti. Zoti Meta në këtë vizitë homazhi u prit nga kryefamiljari Bajram Leti dhe familjarët e tjerë të 19- vjeçares Zilie Leti, të cilët deklaruan se kjo tragjedi ishte shumë e madhe dhe dhimbja për njeriun e humbur është shumë e madhe.
Më pas Meta takoi shumë familjarë dhe të afërm të viktimave të Gërdecit, si dhe ishte në vendin e kraterit të shpërthimit tragjik, të cilin Meta e quajti krateri i korrupsionit të Qeverisë Berisha. Gjatë kësaj vizite mjaft të dhimbshme, kreu i LSI, u shpreh se jemi sot këtu në Gërdec, jo vetëm për të vizituar disa nga familjet e viktimave të 15 Marsit të vitit të kaluar, por njëkohësisht jemi këtu, fare pranë kraterit të korrupsionit të qeverisë Berisha, për të kërkuar drejtësi në emër, jo vetëm të shpirtit të atyre viktimave që nuk jetojnë më, por edhe në emër të mospërsëritjes së krimeve të tilla që ndodhin vetëm për shkak të korrupsionit qeveritar dhe shtetëror. Më pas Meta shprehu angazhimin e LSI, që ngjarje të tilla të mos ndodhin më në vendin tonë, ku jeta e njerëzve të merret për shkak të papërgjegjshmërisë, të moszbatimit të ligjit e akoma më keq për shkak të interesave krejtësisht korruptive. Lideri i LSI tha gjithashtu se jemi sot këtu për të shprehur dhe një herë tjetër denoncimin tonë për gjithë atë përpjekje për të reduktuar krimin shtetëror që ndodhi në Gërdec, në një pakujdesi apo në një ngjarje të rastit dhe të gjitha përpjekjet për ta mbyllur këtë çështje. Duke iu drejtuar banorëve të Gërdecit, Meta theksoi se do të denoncojmë edhe atë bashkëpunim konsensual, i cili arriti deri aty sa pjesa më e madhe e opozitës në Parlament, nuk na dha firmat për të krijuar një Komision Hetimor parlamentar për krimin e Gërdecit. Jo vetëm kaq, por për të denoncuar të gjitha ato marrëveshje që u bënë në këmbim të mbylljes së çështjes së Gërdecit. Por, edhe për të denoncuar faktin që me këtë krim shtetëror është lidhur edhe ndryshimi i Kushtetutës së 21 Prillit në parlamentin e Shqipërisë, në mënyrë më antidemokratike dhe jotransparente, duke nënçmuar referendumin dhe vullnetin e shqiptarëve në vitin 98, u shpreh Meta. Në fund Meta u shpreh se ne jemi këtu pikërisht për ti dhënë fund nënçmimit të jetës së shqiptarëve, sikurse ka ndodhur në një tragjedi të tillë, por edhe nënçmimit të votës dhe dinjitetit të çdo qytetari shqiptar për të ardhmen e këtij vendi.
Last Updated on Friday, 13 March 2009 23:10
Last Updated on Friday, 13 March 2009 23:10