E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Mediat e Mistër censurës, kanë keqinterpretuar deklaratën e Berishës

Telebelinda, Telejala dhe Telebashkia, instrumente të Edi Ramës
Partia Demokratike ka reaguar ndaj disa mediave, të cilat, sipas saj kanë keqinterpretuar deklarimet e një nate më parë të Kryeministrit Berisha lidhur me koalicionet e mundshme paszgjedhore. Zëdhënësi i Partisë Demokratike Gerti Bogdani, tha dje gjatë një konference për shtyp, se disa media të kontrolluara nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kanë abuzuar me tituj si Berisha nuk bën koalicion me Ramën, por me Metën pas zgjedhjeve. Edi Rama, Mister 15%, Mister Dosja por mund ti themi me të drejtë Mister Censura dhe Mister Mashtrimi, diktoi fletushkat e kontrolluara prej tij, të mashtrojnë shqiptarët mbi deklaratën e bërë nga Kryeministri, lidhur me mundësitë e koalicioneve postzgjedhore. Kështu fletushkat hapen me titujt se Berisha nuk bën koalicion me Ramën por me Metën pas zgjedhjeve. Ky është një trillim i shëmtuar dhe amoral i zotit Rama, por edhe një keqpërdorim ekstrem i mediave në vend dhe përdorim i tyre si organe të mashtrimit, ka theksuar Bogdani, i cili sqaron se Kryeministri në deklaratën e tij ka bërë të qartë se Rama dhe Meta janë gjysmat e kalbura të një molle, me të cilët nuk bën koalicion, por për luftën e brendshme politike brenda opozitës, Edi Rama urdhëron mediat e kontrolluara prej tij që të shkruajnë e të trillojnë deklarata të paqena. Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe këtë censurë dhe korruptim të mediave. Edi Rama, i cili një ditë më parë censuroi televizionet që kontrollon me leje ndërtimi, me lista deputetësh, me ndërmarrje të përbashkëta apo me mënyra të tjera, Telebelinda, Telejala, dhe Telebashkia, që në mënyrë të përbashkët të mostransmetojnë deklaratat e njeriut që drejtoi për 15 vjet Partinë Socialiste, si një dëshmi kjo e intolerancës totale të tij ndaj fjalës ndryshe, sot bën të njëjtën gjë me fletushkat që kontrollon duke i shndërruar në organe mjerave, vijon në deklaratën për shtyp, zëdhënësi i PD, Bogdani. Duke iu drejtuar kreut të PS, Bogdani thekson se Partia Demokratike i thotë Edi Ramës të heqë dorë nga praktika të tilla të shpifjeve dhe trillimeve sepse ky është një standard i papranueshëm nga mbarë qytetarët shqiptarë kundër shprehjes dhe fjalës së lirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›