E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Berisha dhe Rama nuk janë të hapur për debat politik

Kreu i LSI u bën apel politikanëve dhe mediave për transparencë në zgjedhjet e 28 Qershorit
Lideri i LSI, Ilir Meta gjatë vizitës së tij dyditore në Britaninë e Madhe ka dhënë një intervistë ekskluzive për BBC-në. I pyetur sesi e vlerëson situatën parazgjedhore tashmë në Shqipëri, Meta u shpreh se situata parazgjedhore nuk është ajo e dëshirueshmja për një klimë normale demokratike. Sipas tij, situata parazgjedhore nuk është një situatë transparente, dhe televizione të caktuara janë krejtësisht të kontrolluara ose nga bashkia ose nga Qeveria. Meta u bëri apel të gjithëve për një klimë më konstruktive. Gjithashtu, Meta u bëri apel edhe mediave për të qenë më transparente në misionin e tyre të informimit të opinionit publik për çdo zhvillim. Meta shprehu dëshirën për ti ftuar të dy drejtuesit e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste të jenë të hapur për debate elektorale në mënyrë që përmes transparencës, qytetarët shqiptarë të bëjnë qartë dallimin, midis tre alternativave kryesore në këto zgjedhje. I pyetur nëse niveli i debatit aktual është apo do të jetë një ogur jo i mirë për atë që do të ndodhë në finale, Meta tha se aktualisht nuk ekziston ndonjë debat. Sipas tij, Rama dhe Berisha i shmangen një debati të drejtpërdrejtë, të ballafaqimit të ideve, të vizionit, të ballafaqimit të alternativave, por kryesisht është zgjedhur rruga përmes elementeve të porositur për të degraduar debatin politik. Gjithashtu, i pyetur nëse ka mbetur ndonjë rrugë komunikimi për të gjetur gjuhën e përbashkët me lidershipin e PS- së, Meta pohoi se kreu aktual i PS- së zyrtare nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë vullnet për bashkëpunimin opozitar dhe ka qenë një nga përgjegjësit kryesorë të degradimit të Kodit Zgjedhor, dhe të situatës që u krijua me grevën e urisë. Nëse do të sillte ndonjë efekt kalimi i anëtarëve të njërës parti opozitare në tjetrën apo dhe anasjelltas, Meta tha se kjo nuk sjell asnjë lloj efekti. Unë besoj se të gjithë ata që vijnë tek LSI- ja, vijnë për arsye morale dhe për arsye bindjesh politike. Ndërsa raste tepër sporadike të porositura nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, përmes ofertave korruptuese për individë të dëshpëruar, që sipas Metës thjesht synojnë të rregullojnë ekonominë e tyre për momentin, jo vetëm nuk përbën ndonjë fenomen, por janë raste krejtësisht të shëmtuara që kanë ndihmuar shumë në rigjallërimin e LSI- së kudo ku ato kanë ndodhur. Ne në LSI kemi pritur me mijëra socialistë të paktën në vitin e fundit, që kur Rama shkeli Kushtetutën e 98-ës, pra e kam fjalën për 21 Prillin, tha Meta. Ai shtoi se në rast se do përpiqet përsëri me taktika të tilla korruptive të cilat në fakt synojnë të fshehin panikun e madh të tij, për rrjedhjen e jashtëzakonshme që po i ndodh në partinë e tij si rezultat i shkeljes së vlerave dhe traditës të PS- së, pastaj ne do të jemi të gatshëm të mbushim sheshin Skënderbej me gjithë anëtarët dhe eksponentët e PS- së, që kanë ardhur gjatë vitit të fundit në LSI. I pyetur se edhe Rama përgjigjet me të njëjtat kundërakuza përafërsisht të ngjashme, Meta tha se nuk ka asnjë akuzë të ngjashme, sepse ne jemi një opozitë e vërtetë. Unë jam lideri i opozitës në opozitë, në kuptimin e vërtetë, pasi tek ne njerëzit vijnë për arsye morale, sepse unë nuk jam as kryetar bashkie, nuk jam Kryeministër, nuk ofroj tenderë, nuk ofroj leje ndërtimi, por ofroj besim dhe moral për një ndryshim të politikës në Shqipëri dhe për të mbrojtur vlerat e majta dhe progresiste, u shpreh Meta. Lidhur me takimet e tij në Britaninë e Madhe me personalitete të mëdha, Meta bëri të ditur se diskutimi kryesor ka qenë ai i arritjes së standardeve dhe zhvillimi i zgjedhjeve të ndershme dhe të lira më 28 Qershor në Shqipëri. Dua të them se  shqetësimi që është edhe këtu, ka lidhje pikërisht me faktin nëse ekziston vullneti i duhur për të realizuar në kohën e duhur të gjitha standardet që do të garantonin një proces të besueshëm. Së fundi i pyetur nëse do të realizohen këto standarde, lideri Meta u shpreh se ne jemi shumë të shqetësuar se mungon vullneti politik për realizimin e këtyre standardeve. Sipas tij, në rast se do të kishte pasur një vullnet politik, jo vetëm tek Kryeministri Berisha, por edhe nga kryetari i Partisë Socialiste zyrtare, Rama, Kodi zgjedhor duhet të ishte bërë me kohë, duhet të ishte bërë në transparencë të plotë dhe gjithë këto procese të tjera qofshin edhe kartat e identitetit do të ishin zhvilluar në kohën e duhur. Fakti që ne jemi kaq të shtrënguar tashmë në kohë për të realizuar shumë detyrime, tregon se këto standarde kanë nisur të rrezikohen seriozisht, përfundoi Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›