Topi: Pavarësia e sistemit të drejtësisë, sfida aktuale e shtetit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi deklaroi nga qyteti i Burrelit se sfida më e madhe që kreu i shtetit po përballon është pavarësia e sistemit të drejtësisë. Gjatë një vizite në Burrel, presidenti kërkoi që të gjithë duhet të punojnë sa më shumë në drejtim të pavarësisë së drejtësisë. Ka qenë objekt i diskutimit gjatë gjithë kësaj periudhe dhe sfida më e madhe ajo që unë po mundohem të përballoj së bashku me aktorët e tjerë institucionalë dhe politikë, është vendosja e sistemit të drejtësisë në pozicionin kushtetues që i takon dhe i pavarur totalisht nga të gjitha influencat,
qofshin këto politike apo ekonomike dhe ky institucion kaq i rëndësishëm duhet të jetë në funksion të qytetarëve të thjeshtë në mënyrë që ai të bindet, se ne do të ndërtojmë në mënyrë definitive shtetin e së drejtës, shtetin që të jetë në funksion të qytetarëve pavarësisht ku ato jetojnë", tha presidenti Topi. Ndërkohë që vendin e ndajnë pak muaj nga zgjedhjet e përgjithshme, presidenti ftoi edhe një herë të gjithë qytetarët, që të aplikojnë për karta dhe të ushtrojnë të drejtën e votës më 28 qershor. "Në 28 qershor janë zgjedhjet e përgjithshme politike dhe unë iu bëj thirrje që të bëheni pjesë masive në këto votime. Natyrisht, kusht paraprak që të merrni pjesë në to është pajisja me kartat e identitetit, që janë shumë të rëndësishme për çdo person. Duhet patjetër që të merrni pjesë në këtë eveniment shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me administrimin e fateve tuaja, pastaj gjithësecili ka bindjet e veta politike", u shpreh Kreu i shtetit, gjatë një fjalë përshëndetëse mbajtur para banorëve të Burrelit. Gjatë fjalës së tij, Topi vlerësoi arritjet e vendit dhe përmendi faktin se vetëm tre javë e ndajnë Shqipërinë nga anëtarësimi me të drejta të plota në NATO. Gjatë fjalës së tij me anëtarët e Këshillit Bashkiak të këtij rrethi, Presidenti i Republikës vlerësoi arritjet e dukshme në këtë rreth sidomos në vitet e fundit përsa u përket zgjidhjes së suksesshme të problemeve të rendit dhe sigurisë publike, zhvillimit të infrastrukturës dhe zbatimit të procesit të decentralizimit, pavarësisht që mbetet ende shumë punë për tu bërë. Juve keni nxjerrë figura të ndritura në këtë zonë, patriotë, njerëz të ndershëm dhe besoj është rasti ta them që juve keni nxjerrë dhe Ahmet Zogun, i cili ka vendosur themelet e shtetit shqiptar. Është shumë e rëndësishme pavarësisht nga këndvështrimet tuaja politike të dihet dhe të ruhet harmonia, sepse nuk ka gjë më të rëndësishme sesa harmonia midis njerëzve të thjeshtë, midis qytetarëve, sepse vetëm nëpërmjet harmonisë, dhe kjo është traditë e popullit shqiptar, këtu jetojnë fe të ndryshme, njerëz që mund të kenë bindje të ndryshme, por që tek e fundit janë njerëz që dëshirojnë të jetojnë të qetë në harmoni dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre, u shpreh presidenti gjatë takimit me banorët e këtij rrethi.