Gati kompensimi i pronarëve: Ja kriteret, kush përfiton
SHKODER / RIDVAN DIBRA
Shumë shpejt në Shkodër do të nisë kompensimi i ish-pronarëve. Këtë fakt e bën të ditur kreu i Agjencisë së Kthimit e Kompensimit të Pronave, Besnik Kastrati. Sipas tij, ka përfunduar faza e përcaktimit të hartës së vlerës së tokës. Pas kësaj faze, e cila finalizoi një javë para afatit, do të nisin procedurat për përfitimin nga fondi prej 5 milionë USD, që qeveria ka akorduar për kompensimin e ish-pronarëve. Sipas Kastratit, qarku i Shkodrës është i pari në shkallë vendi që ka plotësuar dhe dorëzuar dokumentet e kërkuara në Tiranë. Ai nënvizoi edhe kriteret që duhej të plotësonin të interesuarit, në mënyrë që ata të përfitojnë kompensimin e pronave të tyre. Mësohet se gjatë punës për përcaktimin e hartës janë bërë edhe disa ristrukturime në shtimin e numrit të zonave për qytetin e Shkodrës, si dhe në rishikimin e çmimeve për to. Nga tre zona që ishin përcaktuar më parë, tashmë në qytetin e Shkodrës janë pesë të tilla. Çmimi varion nga 8 mijë lekë që është zona e pestë, në periferi, në 36.200 lekë që është çmimi në qendër të qytetit. Sipas Kastratit, një rishpërndarje e tillë mes zonave ka bërë që edhe çmimet të jenë sa më afër reales. Me dokumentacionin e mëparshëm vlera në qendër të qytetit të Shkodrës me atë të periferisë ishin të njëjta, ndërkohë që në realitet situata ishte krejt ndryshe. Ky është rasti i parë, që ish-pronarët në Shkodër presin të marrin shpërblimin, që qeveria ka vënë në dispozicion të tyre. Shkodra me sa duket do të shikohet me përparësi krahasuar me qarqet e tjera, pasi nuk ka përfituar asnjëherë nga fondet e mëparshme. Madje, në rastin e shpërblimeve të fundit, ky qark nuk përfitoi pasi nuk arriti që të përcaktojë në kohë hartën e vlerës së tokës. "Një element që e thekson ligji dhe që qytetarët duhet ta dinë mirë, është se në listën e përfituesve do të jenë vetëm ata shtetas, të cilët nuk kanë përfituar asnjë lloj forme tjetër kompensimi ose shpërblimi. Pra, do të përfitojnë vetëm ata qytetarë, që në vendimin e komisioneve të mëparshme të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave u është shënuar, 'Për Kompensim 100 për qind' si dhe do të përfitojnë ato vendime, që kanë numrin dhe datën më të hershme të këtyre komisioneve", u shpreh Kastrati. Pas përcaktimit të hartës së vlerës së tokës, plotësimit dhe dorëzimit të dokumentacionit përkatës në dyert e AKPP-së së Shkodrës, kanë vërshuar një numër i madh qytetarësh që interesohen për këtë proces. Vetëm ditët e fundit, mbi 500 qytetarë janë interesuar pranë zyrave të agjencisë për të mësuar në lidhje me ecurinë e këtij procesi, si dhe procedurat që do të ndiqen nga qeveria për të përcaktuar shtetasit, që do të kompensohen për pronën e tyre. Ata kanë marrë informacionin e duhur dhe tashmë janë në pritje të nisjes zyrtarisht të kësaj procedure.