Kryeministri: Do të ulim barrën fiskale për arsimin te privati
Lehtësim i barrës fiskale për arsimin privat. Ky është premtimi që kreu i qeverisë Sali Berisha bëri dje gjatë inaugurimit të kompleksit më të madh arsimor në Shqipëri, “Turgut Ozal”. "Arsimit privat, që është shumë ngushtë i lidhur me interesin publik, i takon edhe një trajtim i veçantë fiskal, që ne do ta bëjmë", tha Berisha. Por ai vuri theksin edhe mbi cilësinë e diplomave që duhet të ofrohen". Sfida e universiteteve shqiptare është cilësia dhe ajo kërkon përqendrim të madh. Kjo është e vërtetë, si për universitetet publike, ashtu edhe për ato private. Është tërësisht e palejueshme të paragjykosh, madje është shumë e dëmshme të nxjerrësh konkluzione mbi paragjykimin. Do të bëhet akreditimi dhe këtij vlerësimi do t'i nënshtrohen të gjitha universitetet", u shpreh kryeministri. Ai theksoi se institucionet arsimore private do të kenë mbështetjen maksimale të qeverisë. "Unë inkurajoj dhe mirëpres pjesëmarrjen e sektorit privat në arsim. Pres me padurim që qeveria ime të mund të marrë sa më shpejt vendime për të lehtësuar barrën fiskale të arsimit privat në Shqipëri, për të rritur me shpejtësi peshën e këtij sektori në shkollimin e fëmijëve shqiptarë", tha në fjalën e tij Berisha. Inaugurimin e kompleksit të ri arsimor, kryeministri e quajti një ngjarje të madhe për Tiranën dhe gjithë Shqipërinë. "Në këtë kompleks janë investuar 14 milionë euro. Projekte edhe më të mëdha, ky grup ka për Universitetin Epoka, për të cilin presidenti më informoi se ka blerë të gjithë truallin për një kampus modern të këtij universiteti", theksoi ai. I pranishëm në ceremoni ishte edhe Ministri i Arsimit Fatos Beja. "Besoj se të gjithë ne që shikojmë me sytë tona sot këtë histori suksesi, nuk nisemi thjesht nga godinat e bukura e moderne që shikojmë, por me shërbimin që u ofrohet arsimi nxënësve që janë këtu duke u shoqëruar me teknologjitë më të fundit, besoj se të gjithëve na ka bërë përshtypje, ajo që është produkti kryesor dhe ajo të cilën ne synojmë; kuadro të aftë", tha Beja.