Berisha-aleatët, ja pakti i fshehtë
TIRANË- Ditën e votimit të paketës Kushtetuese, partitë aleate i premtuan kryeministrit Sali Berisha votat pro, por kësaj here në këmbim të një pakti të shkruar. Asnjë prej drejtuesve të partive të djathta që negociuan deri natën vonë, nuk pranoi të komentonte mbi negociatat e njëpasnjëshme, e aq me tepër për përmbajtjen e paktit, megjithatë gazeta Shekulli ka mundur që të siguroje pikat e këtij pakti që shkojnë tej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Burime të sigurta pranë Partisë Demokratike deklaruan djepër gazetën se partitë aleate, do të jenë sërish në qeverisje në rast fitoreje të së djathtës në zgjedhjet e 2009-tës. Në një nga pikat e marrëveshjes është rënë dakord për bashkëqeverisje si para edhe pas zgjedhjeve të 2009-tës. Ashtu siç është bërë publike edhe më parë, është e sigurt tashmë që partitë e mazhorancës do të dalin ne një koalicion të vetëm me Partinë Demokratike, (përveç PBDNJ-së) ndërkohe që vota e secilës prej partive është premtuar se do të lexohet drejt. Është rënë dakord gjithashtu që votat që do të merren si koalicion do të ndahen në fund mbi bazën e një formule të qartë. Ajo çka burimet nuk bëjnë të ditur deri më tani është pikërisht formula që do të zbatohet edhe pse tepër të rezervuar shprehen se edhe për këtë çështje është rënë dakord. Me marrëveshjen e shkruar të firmosur edhe nga kryeministri Sali Berisha nën cilësinë e kreut të PD-së,partitë e vogla të mazhorancës shkojnë më të sigurt drejt zgjedhjeve te ardhshme, gjë që në fakt është konfirmuar dje edhe nga republikani Sabri Godo. Ky i fundit u shpreh dje në një deklarim për mediat se për koalicionin e djathtë, është dhënë një garanci më shkrim, duke shprehur dëshirën që ajo të zbatohet në çdo pikë të saj. Pakti i nënshkruar për të vegjlit do të jetë një siguri më shumë, pasi me sistemin e miratuar tashmë nga Kuvendi, ato janë krejt të pafuqishme për të siguruar atë numër deputetësh që kanë aktualisht, që për hir të së vertetës është siguruar vetëm përmes zbatimit të formulës së Dushkut. Burimet bëjnë të ditur gjithashtu se letra nuk është firmosur vetëm nga PBDNJ e drejtuar nga Vangjel Dule. Ashtu si edhe në zgjedhjet e kaluara, përfaqësuesit e PBDNJ-së preferojnë të mos firmosin gjëkundi, duke bërë marrëveshje sa me PD aq edhe me PS-në në zona të caktuara. Ndërsa partitë e tjera PR, PDK, PDR madje edhe PAA e drejtuar nga Xhuveli i kanë thënë po marrëveshjes, duke siguruar sërish pozicione në qeverisje, në rast se zgjedhjet e 2009-tës do të jenë në favor të mazhorancës aktuale.
Pikat
1. Pakti i firmosur nga PD, PR, PDK, PDR, PAAA
Eshtë rënë dakord për bashkëqeverisje si para ashtu edhe pas zgjedhjeve të 2009-tës, (në rast fitoreje).
Partitë do të dalin në një koalicion të përbashkët me PD
Vota e secilës prej partive do të lexohet drejt
Votat që do të merren si koalicion do të ndahen pas përfundimit të zgjedhjeve mbi bazën e një formule të paracaktuar
2. Nuk firmos marrëveshjen PBDNJ. Kjo parti do dale e vetme në zgjedhje