E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisma, KQZ në dorë të Nishanit

Berisha paralajmëron një tjetër nismë. KQZ në varësi të Ministrisë së Brendshme

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar dje një tjetër lëvizje pas miratimit te paketës kushtetuese, ku ndër të tjera është shfuqizuar edhe ajo pjesë e Kushtetutës që flet për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kryeministri Berishaka bërë me dije se së shpejti KQZ do të jetë në varësi të Ministrisë së Brendshme, duke qenë kjo e fundit përgjegjësja kryesore për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Megjithatë, kjo sipas Berishës, do të ndodhe vetëm kur të krijohet besimi tek Ministria e Brendshme edhe pse për hir të së vërtetës pak gjasa ka që të ndodhë një gjë e tillë." Po ecim gradualisht drejt formës që e kanë të gjitha vendet perëndimore për administrimin e zgjedhjeve, duke u ndarë nga institucionet që u krijuan për të ndëshkuar opozitën dhe që u çimentuan në Kushtetutë, siç ishte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky nuk është hapi përfundimtar, por parafundimtar. Shumica e vendeve perëndimore e kanë të bashkëngjitur në Ministrinë e Brendshme. Kur të krijohet besimi tek Ministria e Brendshme, bashkërisht do të biem dakord të shkojë tek kjo ministri. Aktualisht Kodi Zgjedhor do të përcaktojë ndërtimin e KQZ-së.Në këtë formë, bie edhe një institucion tjetër kushtetues i panevojshëm", tha ndër të tjera Berisha teksa mori me radhe te gjitha nenet e paketës kushtetuese. Në rast se një gjë e tillë do të sanksionohet në Kodin Zgjedhor, atëherë për herë të parë në historinë e zgjedhjeve, Ministria e Brendshme do të marrë frenat e mbarëvajtjes së zgjedhjeve, ndoshta që në zgjedhjet parlamentare të 2009-tës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›