Leskaj: “Berisha bën protesta me arkivole dhe plumba”
Eljona Ballhysa
Firmosja nga presidenti Bush i Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka shkaktuar debate gjatë seancës së djeshme parlamentare midis pozitës dhe opozitës. Kryeministri Berisha ka akuzuar qëndrimin e opozitës, e cila, sipas tij, nuk e ka përshëndetur këtë akt historik për kombin shqiptar. Madje Berisha, duke sjellë në vëmendje qëndrimin e opozitës që nga data 3 prill, kur Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në NATO, është shprehur se opozita është munduar të manipulojë arritjet e qeverisë. Ndërkaq ka reaguar kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj. Ajo është shprehur se qeveria është e kapur nga krimi dhe nga aferat e pista. Po kështu, duke iu referuar mitingjeve të PS-së, Leskaj u shpreh se opozita bën mitingje paqësore, ndërsa Berisha është mësuar me protesta me arkivole dhe plumba.
Opozita
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, duke reaguar ndaj kritikave të kryeministrit Berisha, theksoi se tragjedia e Gërdecit ishte vrasja e shekullit. Leskaj bëri të ditur se qeveria duhet të japë llogari për këtë tragjedi. Valentina Leskaj tha gjithashtu se opozita ka kontribuar për anëtarësimin e vendit në NATO, ndërkohë që qeveria po e privatizon këtë proces. “Opozita ka dhënë kontributin e saj për anëtarësimin e vendit në NATO, por nuk ka faj për aferat e qeverisë. Qeveria është e lidhur me afera të pista, që nga më të vjetrit deri tek ato të moshës së internetit. Diferenca midis tij dhe nesh është se ai nuk është mësuar me protesta paqësore, por me protesta me arkivole e plumba. Por dua t’i kujtoj atij se vrasja e shekullit është Gërdeci dhe kjo rëndon mbi shpatullat e tij”, - është shprehur Leskaj, duke iu drejtuar kryeministrit Berisha.
Berisha
I nxitur nga kërkesa e opozitës për mocion për debat për çështjen “Fazlliç”, kryeministri Berisha ka përdorur si përgjigje sulmin dhe akuzat ndaj opozitës. Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend Berisha ka akuzuar qëndrimin e opozitës për mospërshëndetjen e aktit të firmosjes së Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga Presidenti amerikan Xhorxh Bush. Duke nisur që nga data 4 prill, kur Shqipëria mori ftesën për t’u anëtarësuar në NATO, Berisha u shpreh se opozita, në vend që ta përshëndeste këtë akt, thërriti në miting shqiptarët. “Prisja që ju sot, në një akt pendese të thellë, të përshëndesni firmën historike të 24 tetorit të presidentit Bush, si një akt madhor. Por ju nuk e bëtë këtë. Çfarë ndodhi në Tiranë më 3-4 prill? Ju thirrët mitingun famëkeq të 4 prillit, në një kohë kur udhëheqja politike e vendit festonte me presidentin Bush në Zagreb. Zoti Rama thirri mitingun në të cilin spikatën dhe portretet e Enverit dhe çdo gjë tjetër, përveç flamurit të NATO-s. Në datën 9 korrik, përfaqësues të vendeve të NATO-s firmosën Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe ju u morët në Parlament me misrin dhe kallamoqet dhe nuk shqiptuat asnjë fjalë përshëndetjeje dhe falënderimi, por u bëtë si misri”, - është shprehur Berisha. Më tej ai komentoi qëndrimin e opozitës në rastin e vdekjes së biznesmenit Trebicka, duke e cilësuar të gabuar sjelljen e saj.
28 Tetor 2008