E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, ndryshon 5 emra në listën shumëemërore



KQZ-ja miraton listën e kandidatëve të PD-së për zgjedhjet e 28 qershorit me 5 ndryshimet e fundit, por kthen mbrapsht atë të PS-së. Lista e qarkut të Lezhës u bë dje shkak për shtyrjen e miratimit, pasi sipas KQZ-së, nuk ka të plotësuar kriterin e përfshirjes në lista të kandidateve femra në masën 30%. Në mbledhjen e djeshme, KQZ-ja miratoi listën e socialistëve në 11 qarqe, duke kthyer për rishqyrtim vetëm atë të Qarkut të Lezhës. Ndaj anëtarët e këtij komisioni vendosën që listën e Lezhës ta shqyrtojnë në seancën e ditës së hënë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pranoi listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë të PD-së. Pas shumë debatesh, lista me 140 kandidatë u gjet në përputhje me ligjin nga KQZ. Përfaqësuesi i PD-së pranë KQZ-së, Njazi Kosovrasti, pohoi se "kodi zgjedhor i ka dhënë liri subjekteve që lista e kandidatëve, të jetë pa kufi. Ndryshimet e paraqitura nga PD-ja në listat e kandidatëve të saj përfshinin Qarkun e Tiranës, ku kandidatja Migena Reçi kalonte në listën e kandidatëve të Qarkut Berat, duke u ndërruar me kandidatin Dhori Kule. Në Qarkun Lezhë, listës së emrave i shtohet kandidati Rajmond Hoxha, në Qarkun e Elbasanit Alda Biçoku zëvendëson Ilda Pezën, ndërsa listës i shtohet kandidati Agim Boja. Në Qarkun Durrës kandidati i dorëhequr Sami Gjergji, u zëvendësua me kandidatin Bedri Luku. Por në përfundim të shqyrtimit të dokumenteve të kandidimit për listat e propozuara nga PS, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, bëri të ditur se "lista e PS-së ka një mangësi tek Qarku Lezhë, për shkak të kriterit të 30%, ndaj duhet ta kthejmë për plotësim. Besoj se brenda ditës së hënë (25 maj) më së shumti të martën (26 maj) kjo mangësi do të plotësohet nga PS". Lista e PS-së, e paraqitur në KQZ, kishte tre ndryshime; përkatësisht në Qarkun Lezhë kandidati i publikuar zyrtarisht Luan Dalipaj zëvendësohet me Manushaqe Kulin, ndërsa në Qarkun e Shkodrës, Helidon Bele zëvendësohet me Suzana Golemajn. Në emrat e kandidatëve në Qarkun e Kukësit, me qëllim respektimin e Kodit Zgjedhor për 30% të kuotës gjinore, kemi një zhvendosje të emrave, ku kandidatja Tatjana Kerxhaliu, e renditur e katërta në listë, ngjitet e treta, duke u ndërruar me kandidatin Rexhep Ukperaj. PS, partia më e madhe opozitare në vend, ishte subjekti i fundit zgjedhor që përcolli listat në KQZ, përtej afateve të përcaktuara në ligj (ora 00:00 e datës 19 maj). Ajo i paraqiti listat vetëm në orën 07:50 të datës 20 maj. Po dje komisioni miratoi listat e “G99” dhe LSI-së. Probleme kanë pasur edhe listat e disa partive të tjera, si PBDNJ, që gjithashtu do ta risjellin listën të rishikuar ditën e hënë. Partia Demokratike ka përdorur një praktikë tjetër për sa i përket plotësimit të kriterit të përfshirjes së 30 për qind të femrave në lista. Për shembull në Qarkun e Kukësit që garohet për 4 mandate, PD ka sjellë një listë me 5 emra, në fund të së cilës është një femër. KQZ rezultoi se edhe lista me më shumë emra sesa mandate nuk ka asnjë shkelje ligjore. Kurse PS-ja shkeli ligjin edhe me afatin në dorëzimin e listave, ora 00:00 e datës 19 maj, duke i depozituar ato në orët e para të mëngjesit të 20 majit. Pas dorëzimit të listave të kandidatëve më 19 maj, afati i përcaktuar për këtë qëllim nga KQZ, ky institucion deri tani ka shqyrtuar dokumentacionin e kandidatëve për rreth 31 subjekte politike, nga 35 të regjistruara për zgjedhjet e 28 qershorit. Vetëm listat e 4 partive kanë rezultuar në përputhje me ligjin, PD, PLL, LSI dhe Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve. Procesi zgjedhor nuk mund të quhet i rrezikuar, pavarësisht se gjatë tre ditëve të fundit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka pranuar listat për kandidatë të shumë prej partive politike që do të garojnë për deputetë më 28 qershor. Sipas zëdhënësit të këtij institucioni, Leonard Olli, problemet në dokumentacion, si dhe mospërmbushja e kuotës 30% të grave pjesëmarrëse në këtë proces, kanë qenë disa nga arsyet që gjatë shqyrtimit të listave KQZ i ka kthyer pas. Deri më tani KQZ-ja ka kthyer pas listat e 12 subjekteve politike, ndërkohë që Partia e Legalitetit dhe ajo e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë qenë më të rregulltat në përmbushjen e kritereve ligjore për sa i përket dokumentacionit të depozituar pranë KQZ-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›