E Diel, 1 Nëntor 2026

Punësimi në tatime, jo më me emërime, por me konkurs

Këshilli i Ministrave ka miratuar ditën e djeshme një procedurë të re për sa u përket emërimeve në tatime, apo ngritjeve në detyrë në këtë administratë. Sipas këtij vendimi, punësimi në këtë administratë nuk do të bëhet më me emërime, siç ka ndodhur aktualisht, por do të bëhen me konkurs. Njëkohësisht ngritjet në detyrë brenda institucionit dhe administratës fiskale, do të bëhet me konkurs ku çdo aplikant apo punonjës duhet të kalojë testin përpara komisionit që drejtohet nga vetë ministri i Financave. Drejtoria e Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Tatimeve, në zbatim të strukturës analitike të miratuar dhe nevojave funksionale, shpall vendet e lira. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, me propozimin e drejtorit të Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, miraton procedurën e konkurrimit për këto vende të lira. Përzgjedhja e kandidatëve bazohet në vlerësimin e përshtatshmërisë së tyre me kërkesat e përshkrimit të vendit të lirë të punës dhe në kriteret e përcaktuara në ligjin e ri. Pranimi i nëpunësve të administratës tatimore kryhet nëpërmjet procedurave të konkurrimit të hapur, në bazë të meritave.

Konkursi

Shpallja e konkurrimit bëhet nga drejtoria apo zyra e personelit dhe përmban kërkesat e përgjithshme. Drejtoria përkatëse në administratën tatimore qendrore bën përzgjedhjen e kandidatëve, që do t’i nënshtrohen testimit, pasi vlerëson se kandidatët plotësojnë kërkesat, e përgjithshme dhe të veçanta, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim. Testimi do të bëhet me shkrim dhe me gojë. Drejtoria ngre komitete të veçanta, me 5 anëtarë, përkatësisht zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Shërbimeve Mbështetëse, drejtorin ose përfaqësuesin e zyrës së sektorit të shërbimeve mbështetëse, eprorin direkt për pozicionin e vendit të shpallur të lirë dhe dy personalitete të fushës, ekonomike, me profil financë dhe juridik. Komiteti harton një listë me tre kandidatët me rezultatet më të larta, duke u bazuar kryesisht në rezultatet e testimeve, por edhe në kualifikimet, përvojën profesionale dhe botimet shkencore. Rezultatet e testimit dhe pikët maksimale janë përkatësisht 70 pikë në rezultatin e testimit, 10 pikë për përvojën në punë të kandidatit, 8 pikë për kualifikimet, 8 pikë për botimet shkencore dhe 4 pikë për aftësi të personale të veçanta. Rezultati shpallet në një vend të dukshëm. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve zgjedh njërin nga tre kandidatët e përzgjedhur nga komiteti.

Ngritja në detyrë

Në procedurën e ngritjes në kategorinë C1 lejohen të marrin pjesë kandidatët, që janë të punësuar në sistemin tatimor qendror, ndërsa ata në kategorinë C2, ata që kanë shërbyer në këto kategori për të paktën 2 vjet, pa ndërprerje. Në rast se numri i punonjësve ekzistues, kandidatë për vendin e lirë, është më i vogël se 4, atëherë zbatohen procedurat e konkurrimit të hapur për shtetasit. Forma e ngritjes në kategorinë C1 bëhet me testim, me shkrim dhe intervistë, pas verifikimit paraprak të dosjeve të kandidatëve, sipas procedurave. Kandidatët e interesuar duhet të dërgojnë dokumentacionin e kërkuar brenda afateve të përcaktuara, pranë zyrës së sekretarisë, ku do të bëhet dhe protokollimi. Për aplikim për ngritjen në kategori, kandidati duhet të mos ketë në dosjen personale masa disiplinore për një periudhë 1-vjeçare. Ministri i Financave ngre një komision, me kryetar zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Shërbimeve Mbështetëse, ku bëjnë pjesë drejtori i Sektorit të Shërbimeve Mbështetëse, eprori direkt për pozicionin e vendit të shpallur të lirë dhe dy personalitete të fushës ekonomiko-financiare ose juridike.

Nivelet në Administratën Tatimore

1-Drejtor i Përgjithshëm i përgjigjet klasifikimit: nëpunës civil i nivelit të lartë drejtues.

2-Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i përgjigjet klasifikimit: nëpunës civil, i nivelit të lartë drejtues.

3-Kategoria A i përgjigjet klasifikimit: nëpunës civil, i nivelit të mesëm drejtues. Në këtë kategori përfshihen funksionet: drejtor drejtorie, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe drejtor i drejtorisë rajonale.

4-Kategoria B i përgjigjet klasifikimit: nëpunës civil, i nivelit të ulët drejtues. Në këtë kategori përfshihen funksionet: drejtor drejtorie në drejtorinë rajonale dhe përgjegjës sektori në Drejtorinë e Përgjithshme.

5-Kategoria C1 i përgjigjet klasifikimit : nëpunës civil, i nivelit të ulët drejtues. Në këtë kategori përfshihen funksionet: përgjegjës sektori/zyre, në drejtorinë rajonale, dhe njësitë e ngjashme me to dhe përgjegjës zyre, në Drejtorinë e Përgjithshme.

6-Kategoria C2 i përgjigjet klasifikimit: nëpunës civil, i nivelit ekzistues. Në këtë kategori përfshihen inspektorët, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, të nivelit IVA, dhe inspektorët në drejtoritë rajonale dhe njësitë e ngjashme me to, të nivelit IVA.

7-Kategoria C3 i përgjigjet klasifikimit: inspektor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, të nivelit IVB, dhe inspektor në drejtoritë rajonale dhe njësitë e ngjashme me to, të nivelit IVB.

8-Kategoria D1 përfshin personelin ndihmës si: llogaritar, arkëtar, shofer, magazinier, arkivist, sekretar, protokollist, centralist etj. dhe personel tjetër, të ngjashëm me to.

9-Kategoria D2 përfshin personelin tjetër ndihmës, që kryen shërbimet sanitare dhe të mirëmbajtjes së zyrave.

Doganat zhdoganojnë 567 ton cigare më shumë

Administrata doganore ka arritur që të zhdoganojë 567 ton cigare më shumë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose 34 për qind më shumë. Gjatë periudhës janar-korrik të vitit 2008 janë zhdoganuar 2 mijë e 245 ton cigare. Gjatë periudhës 7-mujore të këtij viti, administrata doganore arkëtoi në buxhetin e shtetit gjatë 7-mujorit të këtij viti 56 miliardë e 964 milionë lekë. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave plani i të ardhurave për 7-mujorin u realizua në masën 101 për ind, duke arkëtuar në buxhetin e shtetit 397 milionë lekë më shumë se plani. Të dhënat zyrtare tregojnë se për muajin korrik të vitit 2008 administrata doganore realizoi planin e të ardhurave në masën 102 për qind. Gjatë këtij muaji u arkëtuan në buxhetin e shtetit 8 miliardë e 963 milionë lekë, ose 185 milionë lekë më shumë se plani i përcaktuar nga Ministria e Financave. Në total gjatë periudhës janar- korrik 2008 u arkëtuan 56 miliardë e 964 milionë lekë ose 7 miliardë e 262 milionë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur u arkëtuan 49 miliardë e 702 milionë lekë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›