Berisha çel fushatën e PD në Elbasan: Përparësi monitorimi i mjedisit
Kryeministri Sali Berisha ka çelur zyrtarisht fushatën elektorale të Partisë Demokratike në qytetin e Elbasanit, vetëm pak minuta nga përfundimi i një takimi të Partisë Socialiste në këtë qytet. Ajo çfarë bënte më shumë përshtypje ishte moslejimi i gazetarëve në afërsi për të pasur mundësi regjistrimi dhe për të bërë fotografi. Në skenën gjigande kanë qenë të 16 kandidatët e partisë Demokratike për Qarkun e Elbasanit.
Në hapjen e këtij mitingu, kreu i qeverisë Berisha gjatë fjalës së tij ka premtuar se për katër vitet e ardhshme, qeveria e tij do të ketë si prioritet themelorë investime në bujqësi dhe vende të reja punësimi në vend. Veçanërisht për Elbasanin ai deklaroi se parku industrial do të jetë një realitet i prekshëm që do ti japë zgjidhje problemit të punësimit në Elbasan. Berisha deklaroi gjithashtu se një vëmendje të veçantë do të ketë edhe monitorimi i mjedisit duke garantuar shëndetin e qytetarëve të Elbasanit. Ai deklaroi se në katër vitet e ardhshme do të katërfishohen investimet në rrugë, ujësjellës dhe shkolla duke garantuar të gjithë shqiptarët për kushte më të mira jetese dhe për lëvizje të lirë pa viza në mandatin e ardhshëm qeverisës. Gjatë fjalës së tij ai si gjithmonë nuk ka lënë pa sulmuar liderin e Partisë Socialiste Edi Rama, duke u shprehur se është i vetmi lider në planet që nuk kryeson listën në zgjedhjet parlamentare të vendit të tij, por nxjerr të tjerët përpara me qëllim që të ruajë karrigen e Bashkisë së Tiranës. Kreu i qeverisë Berisha i bëri thirrje kreut socialist Rama të marrë pjesë në listën e kandidatëve për deputet duke shtuar se ai po i jep kohë për respektin e tij për socialistët. Më tej, Berisha duke u siguruar pjesmarrësve fitoren e Partisë Demokratike me 28 qershor, tha se zgjedhjet e Ramës nuk janë zgjedhjet demokratike, por janë lejet e ndërtimit. Ti, zoti Rama nuk do zgjedhje të lira dhe të ndershme, ti nuk përballesh dot me zgjedhjet. Ti do vetëm karrige se ashtu je mësuar, theksoi Berisha duke iu drejtuar liderit socialist Rama. Ndër të tjera, kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij është shprehur se në 4 vitet e ardhshme do të katërfishojë investimet në këtë qytet. Unë vij këtu jo për të kërkuar votat për ato që kemi bërë, por për tu zotuar se në këtë qytet deri në fund të mandatit të dytë nuk do të ketë rrugë të paasfaltuara, theksoi Berisha. Kryeministri Berisha gjithashtu shtoi se të gjithë pushtetarët vendorë nuk do të marrin asnjë qindarkë të vetme sepse ligji do të veprojë, por nëse ata duan fonde të kërkojnë në qeveri. Pasi ka uruar pjesëmarrësit, kryeministri i ka lënë vazhdimin koncerti ku merrte pjesë edhe grupi i njohur Elita 5 dhe këngëtarë të tjerë. Kryeministri Berisha ka qenë i shoqëruar nga të gjithë ministrat e kabinetit të tij. Në fund të fjalës së tij, kreu i qeverisë Berisha ka qëndruar për të përshëndetur simpatizantët e djathtë që ishin të pranishëm në këtë miting. Listën e kandidatëve në këtë qark e kryeson ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, i ndjekur më pas nga ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve Ardian Turku, të shoqëruar nga Adriana Gjoni, Rrahim Cota, Dashnor Sula, Luçiano Boçi, etj. Elbasani ka qenë qyteti i radhës ku kryeministri Berisha ka hapur fushatën elektorale nëpër rrethe të Partisë Demokratike, ndërkohë që gjatë javës ai ka hapur fushatën në qytetin e Durrësit, Lushnjës, Korçës dhe Kavajës.