Bogdani: PS edhe për katër vjet në opozitë

Kandidati i Partisë Demokratike për qarkun Tiranë, Gerti Bogdani, njëkohësisht dhe kryetari i Forumit Rinor të kësaj partie, në një prononcim të dhënë për gazetën Sot, është shprehur se po punon intensivisht për organizimin e fushatës elektorale në njësinë numër 10, ku aktualisht është dhe kryetari i kësaj Minibashkie. Zonë kjo, që i është caktuar të punojë mbas mbledhjes, që patën para disa ditësh 32 kandidatët e PD-së, në qarkun e Tiranës.
Sipas Bogdanit kanë filluar takimet me banorët e zonës 10, dhe po bëhet një fushatë intensive, e cila është bërë dhe në vitin 2005, fushatë kjo që solli edhe fitoren në ato zgjedhje.Aktualisht po bëhen takimet me familjet e mëdha të kësaj zone, sepse duke marrë votat e këtyre familjeve ne shkojmë të sigurt drejt fitores në zgjedhjet e 28 qershorit. Por, pa nënvlerësuar këtu edhe familjet e tjera që janë një mbështetje shumë e fuqishme për ne në këto zgjedhje, ka theksuar ai. Ndër të tjera, kandidati demokrat u shpreh, se deri tani grupet elektorale të Partisë Demokratike që janë formuar në këtë zonë, po merren me evidentimin e të gjitha problemeve që ka kjo zonë dhe me problemet e banorëve të saj. Sipas Bogdanit, jo vetëm në zonën 10, por në të gjitha zonat ku janë shpërndarë të 32 kandidatët e Partisë Demokratike, për qarkun Tiranë po ndiqet e njëjta formulë siç është ndjekur edhe në zgjedhjet e kaluara. Bogdani ndër të tjera theksoi se puna që ai do të bëjë në parlamentin e ardhshëm do të jetë i njëjti përkushtim dhe vullnet, siç ai ka punuar dhe po punon aktualisht në drejtimin e Minibashkisë 10. Unë e kam treguar se jam një njeri i fjalës dhe punëtor gjithashtu kam treguar që jam dhe një njeri që përfaqësoj ndryshimin dhe të renë në vend, u shpreh Bogdani. Premtimet dhe objektivat e tij gjatë katër viteve të ardhshme në Parlament, do të jenë të njëjta si ato të partisë ku ai aderon. Ulja e mëtejshme e taksave, rritja e pensioneve dhe e rrogave në shifra akoma dhe më të larta, zhdukja përgjithmonë njëherë e mirë e korrupsionit dhe e krimit të organizuar, jo vetëm në administratë por edhe në rrugë dhe në shkolla, do të jenë gjërat që ne do të vazhdojmë të bëjmë edhe në katër vitet e ardhshme, nënvizoi Bogdani gjatë prononcimit të tij. Partia Demokratike, sipas tij u ka treguar shqiptarëve dhe mbarë botës se kur një forcë politike, ka vullnetin dhe dëshirën që të sjellë një ndryshim rrënjësor në vend i arrin gjithmonë këto objektiva. Shqipëria në katër vitet e ardhshme nën qeverisjen e demokratëve jo vetëm që do ti arrijë objektivat e saj duke e përmirësuar të gjithë jetën politike dhe ekonomike të vendit, por edhe do ti tejkalojë ato, duke e bërë Shqipërinë një vend akoma dhe më të përparua. Dhe rritja ekonomike do të jetë në vlera akoma dhe më të larta, nënvizoi ai. Ndër të tjera Bogdani theksoi se banorët e Njësisë numër 10, dhe të gjithë shqiptarët në mandatin e dytë të qeverisë Berisha do të lëvizin lirshëm dhe do të jenë anëtarë të Bashkimit Europian. Fitorja e PD-së në zgjedhjet e qershorit, sipas Bogdanit është edhe më e sigurt për vetë faktin se kjo parti dhe qeveria e saj me kryeministrin Berisha në krye i kanë mbajtur të gjitha premtimet elektorale dhe se e kanë përgatitur terrenin për të realizuar të gjitha objektivat e saj, të cilat do të sjellin një ndryshim edhe më të madh në jetën e të gjithë shqiptarëve dhe të Shqipërisë. Arsyeja tjetër që Bogdani shprehu siguri në këto zgjedhje, është dhe politika shumë e gabuar që po ndjek aktualisht forca kundërshtare, pasi sipas tij kryetari kësaj force është i paaftë dhe i frikësuar për të garuar personalisht në këto zgjedhje, dhe se ai vuan nga frika se mos i humbet të dyja postet mbas zgjedhjeve, atë si drejtues i Bashkisë më të madhe në vend, si dhe atë të kryetarit të opozitës, që do të vazhdojë edhe për katër vitet e ardhshme. Edi Rama dhe partia e tij dhe për katër vitet e ardhshme do të vazhdojnë të jenë opozitarë, sepse nuk përfaqësojnë asgjë me politikën e tyre, përfundoi Gerti Bogdani.
Last Updated on Wednesday, 03 June 2009 15:03
Last Updated on Wednesday, 03 June 2009 15:03