E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha “çmend” danezët

 

Besart Berisha, sulmuesi i Kombëtares shqiptare që aktivizohet te skuadra daneze e Horsensit, në një deklaratë të dhënë për mediat vendëse ka provokuar shtypin dhe skuadrën daneze. Sulmuesi 23-vjeçar të dielën u ka lëshuar një sfidë gazetarëve danezë para sfidës së 1 prillit, që Shqipëria do të luajë në Danimarkë, duke thënë se ëndërron t’i shënojë përfaqësueses së vendit ku aktualisht aktivizohet. “Para ndeshjes u kisha thënë shokëve se do të më shihte trajneri, Ari Han. Shënova një gol dhe kjo i rrit shanset e mia për të realizuar ëndrrën aktuale: Të shpëtoj Horsensin dhe t’i shënoj Danimarkës në Kopenhagen, kur të përballet me Shqipërinë”, ka thënë Berisha për të përditshmen “EkstraBladet”. Deklarata e tij është pritur me shumë komente, jo vetëm nga përfaqësuesit e medias, por edhe tifozët. Gjatë dy javëve të fundit, sulmuesi kuqezi ka qenë në qendër të shtypit danez, pasi ka shënuar tre gola në dy takimet e fundit për skuadrën e tij, Horsens. Ai i ka dhënë 6 pikë kësaj skuadre, që tashmë ndodhet në një pozicion më komod në renditje. Ndonëse ka qenë vendimtar dhe i ka dhënë një ndihmesë ekipit të tij, Berisha ka marrë kritika nga trajneri i Horsensit, Henrik Jensen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›