Merkel: Pas Kroacisë, BE të ndalë zgjerimin
Ndërkohë që po afrojnë zgjedhjet në Bashkimin Evropian, vendet kryesore kandidate kanë nisur të prononcohen mbi problemet dhe zgjedhjet bazë që duhet të bëjë unioni për periudhën në vazhdim. Në një manifest me rastin e zgjedhjeve evropiane në 7 qershor, Partia Konservatore e kancelares gjermane, Anxhela Merkel ka kërkuar që të pushojë zgjerimi i Bashkimit Evropian pas hyrjes së Kroacisë në BE. “Edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë gjasa për anëtarësim, por ky proces do të zgjasë”, tha Merkel duke shtuar se: “Ne e dimë se stabiliteti, qoftë në Serbi, Kosovë, Mal të Zi apo në vendet tjera, mund të garantohet vetëm nëse ato kanë gjasa për të hyrë në BE, por kjo do të zgjasë disa vite”. Por një deklaratë e tillë nuk është pranuar nga Komisioneri për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Olli Rehn. “Bashkimi Evropian nuk do të duhej t’i ngrijë planet për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha ai duke komentuar deklaratën e kancelares Merkel, se Bashkimit Evropian i nevojitet “faza e konsolidimit” përpara se të pranojë anëtarë të rinj. Rehn i bëri këto komente në Bruksel pas takimit me shefat e diplomacive të Sllovenisë dhe Kroacisë.