Hani lë jashtë Kombëtares dyshen Bogdani e Kapllani
Jetmir Halilaj
Erjon Bogdani dhe Edmond Kapllani nuk do të grumbullohen me Kombëtaren shqiptare për dy ndeshjet e radhës, kundër Hungarisë dhe Danimarkës. Trajneri i kuqezinjve, Ari Han, ka vendosur të mos u bëjë ftesë dy sulmuesve. Vendim ky, që nuk u prit aspak mirë nga lojtarët. Gjatë pasdites së djeshme, “Panorama” u përpoq të kontaktonte me lojtarët nëpërmjet telefonit, por asnjëri nuk ka dashur të përgjigjet. Nga ana tjetër edhe trajneri i përfaqësueses, Ari Han, ka refuzuar të argumentojë zgjedhjet e tij, sepse gjithashtu nuk ka preferuar të përgjigjet në telefon. Megjithatë, burime pranë stafit kuqezi bëjnë të ditur se, holandezi nuk i ka kursyer “shigjetat” në adresë të Bogdanit. Kur është njoftuar se Bogdani kishte shënuar gol me Lacion mësohet të ketë thënë: “Ma merr mendja e ka shënuar me kokë golin, se me këmbë...”. Një tjetër mungesë që bie në sy, është edhe ajo e mesfushorit të talentuar, Jahmir Hyka. Gjatë këtij sezoni, ai ka luajtur fare pak me Mainc 05 dhe kjo duket se e ka penalizuar jo pak atë.
Surprizat
Migen Memelli dhe Dorian Bylykbashi janë padyshim surprizat e listës së publikuar dje nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han. Bomberi i Tiranës do të ketë shansin që të luajë ndeshjen e tij të parë me fanellën kuqezi. Ai është grumbulluar edhe herë të tjera me përfaqësuesen, por asnjëherë nuk ka mundur të zbresë në fushën e lojës. Një mundësi e mirë edhe për mesfushorin e Krivbasit, Dorian Bylykbashi.
Të tjerët
Trajneri holandez i përfaqësueses ka vendosur që të grumbullojë 23 lojtarë për dy ndeshjet e ardhshme. Të gatshëm për të mbrojtur kuadratin e portës do të jenë Arjan Beqaj, Isli Hidi dhe Samir Ujkani. Favoriti për të luajtur si titullar është Arjan Beqaj. Tekniku Ari Han ka vendosur të thërrasë tetë mbrojtës për dy takimet e radhës. Lila, Dallku, Curri, Vangjeli, Beqiri, Vrapi, Teli dhe Agolli do të luftojnë për katër vende titullari. Agolli do të mungojë në ndeshjen me Hungarinë, për shkak të kartonëve. Në mesfushë janë rikthyer Cana e Lala, që munguan për arsye dëmtimesh në ndeshjen me Maltën. Skela, Duro, Bulku, G.Lika, Bylykbashi dhe Bakaj janë emrat e tjerë të repartit qendror. Në sulm do të jenë të gatshëm Salihi, Berisha, Memelli e Sukaj. Dy të parët janë lehtësisht të favorizuar për vendin e titullarit, të paktën për ndeshjen kundër Hungarisë.
Lista e Kombëtares
Portierë
Arian Beqaj (Anorthosis)
Isli Hidi (Krivbas)
Samir Ujkani (Palermo)
Mbrojtës
Andi Lila (Tirana)
Armend Dallku (Vorskla)
Debatik Curri (Vorskla)
Ansi Agolli (Tirana)
Kristi Vangjeli (Aris)
Endri Vrapi (Elbasani)
Elvin Beqiri (Vllaznia)
Admir Teli (Karabak)
Mesfushorë
Lorik Cana (Marsejë)
Altin Lala (Hanover)
Ervin Skela (Kotbus)
Gilman Lika (Haxhetepe)
Ervin Bulku (Krivbas)
Dorian Bylykbashi (Krivbas)
Elis Bakaj (Dinamo)
Klodian Duro (Omonia)
Sulmues
Hamdi Salihi (Ried)
Xhevahir Sukaj (Vllaznia)
Besart Berisha (Horsens)
Migen Memelli (Tirana)