E Diel, 1 Nëntor 2026

Bylykbashi largon “makthin”

 

Më në fund, Dorian Bylykbashi është pjesë e Kombëtares. Trajneri kuqezi, Ari Han, ka vendosur ta ftojë lojtarin për ndeshjen eliminatore me Hungarinë, që do të luhet më 28 mars në “Qemal Stafa”. “Kontakti” i fundit i fantazistit me fanellën kuqezi ka qenë në ndeshjen miqësore të 27 majit të vitit 2008, kundër Polonisë. Më pas, gjithçka ka qenë e pakuptimtë, sepse forma e shkëlqyer që Bylykbashi po kalonte me Krivbasin në kampionatin ukrainas, nuk i kishte bërë fare përshtypje holandezit të kombëtares. “Natyrisht që jam shumë i kënaqur dhe i lumtur, sepse për ne futbollistët, kombëtarja është mbi të gjitha. Të tjera ndjenja përjeton me klubet e të tjera me kombëtaren, sepse përfaqëson kombin tënd”, thotë në linjë telefonike për “Panorama Sport” kapiteni i Krivbasit. Ai pranon se mungesa për një kohë të gjatë në kombëtare e ka zhgënjyer pa masë. “Gjithnjë kam menduar, se pse nuk isha pjesë e kombëtares, në një kohë kur në ekipin tim në Ukrainë jam lojtari më i rëndësishëm. Duke qenë i bindur në aftësitë e mija, mendoja se e meritoja plotësisht thirrjen në kombëtare. Gjithsesi, tani e rëndësishme është që unë jam përsëri pjesë e saj”, thekson 28-vjeçari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›